Arshi Pipa në letrat shqipe
Për një nga studiuesit dhe kritikët më të rreptë që kemi pasur deri tani në letërsi, Arshi Pipën, për herë të parë, do të tubohet një simpozium intelektualësh.
Potenciali i tij elitar, por dhe një rast disidenti i pastër, Pipa është refleksion i të kundërtës çfarë po ndodhte në Shqipëri, në vitet e diktaturës. Për ta njohur dimensionin e tij dhe për të perceptuar mendimin e një njeriu elitar krejtësisht të kthjellët në punët e letërsisë dhe në moralin idealist të të besuarit në vlerat njerëzore, Pipa bëhet pinjolli i dritës mbi obskurancën shqiptare të viteve ’70-’80 në Shqipëri. Për ta kaluar këtë në një rrafsh tekstor, letrar dhe studimor, të shtunën në mjediset e Ministrisë së Kulturës, Qendra Studimore Albanologjike organizon “Arshi Pipa në letrat shqipe”, ku do të mblidhen shkrimtarë e personalitete të letrave për të shenjuar prej së pari krijimtarinë letrare të Pipës.
Ky organizim ofron një program studimor, por dhe refleksione për ç’përfaqësonte në letrat shqipe Pipa duke referuar: Ardian Marashi, studiues: “Pipa në gjuhë të huaj dhe në përkthim”; Floresha Dado, akademike: “Arshi Pipa, filozofia e jetës dhe e artit letrar”; Hektor Çiftja, studiues: “Arshi Pipa dhe disiplina akademike e studimeve kulturore”;
Çelo Hoxha, poet, publicist: “Antistalinizmi koherent i Arshi Pipës”; Myftar Gjana, poet, publicist: “Kadare-Pipa: historia e një polemike”; Dhurata Shehri, studiuese: “Arshi Pipa dhe Migjeni”; Agron Tufa, shkrimtar, studiues: “Ngushëllimi me Muzat”; Baviola Shatro, studiuese: “Lindja e poezisë: transfigurimi i ëndrrës në vetëdije për kohën”; Hysni Ndreu, studiues: “Reportazh poetik nga zgavra e ferrit”; Behar Gjoka, shkrimtar, studiues” “Arshi Pipa – themelvënës i kritikës letrare shqipe”; Brikena Smajli, studiuese: “Për një Histori të Letërsisë Shqipe: metodika bazë e studimit”; Odeta Zhegu, studiuese: “Mes Gjergj Elez Alisë dhe Zhuljetës”. Arshi Pipa lindi në Shkodër, në një familje intelektuale të këtij qyteti. Diplomohet për filozofi, në Universitetin e Firences, në vitin 1942. Ai dha mësim në Amerikë në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe më vonë si profesor në Universitetin e Minesotës, ku ligjëroi letërsinë italiane. Nga veprat e tij: “Lundërtarët”, “Libri i Burgut”, “Rusha dhe Meridiana”, “Letërsia shqiptare, perspektiva sociale”, “Letërsia shqiptare bashkëkohore” etj. Ka kryer edhe shumë studime si: “Tipologjia dhe periodizimi i letërsisë shqiptare”, “Bisedë me Kadarenë”, “Dy libra për gjuhën dhe folklorin” etj. Së bashku me publicistin Martin Camaj ishin disidentë të cilët punuan në mërgim dhe që dhanë një kontribut të madh intelektual në fushën e gjuhësisë, letërsisë, filozofisë, sociologjisë, si dhe publicistikës. Vdiq më 20 korrik, 1997.