Kadare nderohet me “Honoris Causa”
Me propozimin e albanologut Matteo Mandalà, profesor në Universitetin e Palermos, Fakulteti i Shkencave të Formimit pranë këtij Universiteti, dje në mesditë i është dhënë shkrimtarit Ismail Kadare titulli “Doctor Honoris Causa” në “Shkenca të Komunikimit Shoqëror dhe Institucional”. Prof. Roberto Lagalla, nënvizon: «Kadare ka qenë dhe vijon të jetë kumtuesi më i frytshëm i paqes, një shkrimtar që e vë talentin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të bashkësisë së tij e të bashkësisë evropiane. Universiteti i Palermos e ka për nder ta fusë atë mes laureatëve të shquar». Prof. Michele Cometa, dekan i Fakultetit të Shkencave të Formimit, një ndër studiuesit italianë më në zë të letërsisë së krahasuar, do t’i bjerë barra të përvijojë një profil kritik të veprës së Ismail Kadaresë e të veçojë tema e motive, që karakterizojnë prozën e shkrimtarit të madh shqiptar në kontekstin diakronik e sinkronik të letërsisë bashkëkohore. «Me mikun dhe kolegun Matteo Mandalà kemi ndër duar një studim të përbashkët, ku do të vëmë në dukje vendin që zë dhe kontributin që i ka sjellë arti i Kadaresë letërsisë së shekullit XX». Motivacioni i titullit “Honoris Causa” është shkruar nga prof. Patrizia Lendinara, profesoreshë e filologjisë gjermanike dhe presidente e Kursit të Laureimit në Shkenca të
Komunikimit, si edhe nga prof. Matteo Mandalà. Në motivacion, theksohet merita intelektuale e Ismail Kadaresë që ka interpretuar «mjeshtërisht dëshirat dhe aspiratat e popullit shqiptar në çastet më tragjike të historisë, duke përçuar përmes romaneve, vëllimeve poetike dhe eseve kritike të tij vlerat universale që udhëheqin drejt emancipimit shoqërinë njerëzore në kushtet e privimit të lirive themelore». Ismail Kadare do të lexojë në shqip një “lectio magistralis”.