Arsimi dhe bujqësia, sektorët me realizimin më të keq të investimeve, vetëm 25%
Ministria e Arsimit dhe ajo e Bujqësisë janë dy prej realizuesve më të dobët të investimeve gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. Të dhëna të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se Ministria e Arsimit i ka realizuar investimet e parashikuara në masën e 25,8 për qind dhe ajo e bujqësisë në masën 24,8 për qind duke zënë vendin e fundit. Ministria e Transporteve është ministria me realizimin më të mirë të investimeve në këtë pjesë të parë të vitit dhe krahasuar me planifikimin vjetor ajo është në mbi 30 për qind të totalit të investimeve. Punimet në disa projekte të mëdha rrugësh janë arsyeja kryesore e këtij realizimi. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, e cila mbulon një prej sektorëve më të rrënuar të vendit, në të cilin nevoja për investime është dëshpëruese, është më pak e efektshmja në realizimin e tyre. Kontributi i bujqësisë shqiptare në ekonominë kombëtare kanë rënë nga 35 për qind që ishte vite më parë në 18 për qind aktualisht. Rënia në këtë sektor është pasojë e prej disa viteve. Në bujqësi, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, janë të zënë me punë rreth 545 mijë njerëz nga rreth 900 mijë që ka gjithsej vendi dhe ky sektor jep vetëm 18 për qind të prodhimit kombëtar. Kjo është një shifër e tmerrshme dhe ndërkohë Ministria e Bujqësisë nuk arrin të investojë paratë që cakton buxheti i shtetit. Një vend blegtoral dhe bujqësor si yni importon masivisht drithëra, fruta, perime, mish, produkte blegtorale. Në anën tjetër, edhe Ministria e Arsimit është në këto gjurmë. Pavarësisht se numri i nxënësve nëpër shkolla është pallogaritshëm i lartë, gjendja e shkollave ekzistuese në disa raste është e tmerrshme, pajisja e tyre me mjete të domosdoshme është mizerabël. Ministria e Arsimit nuk arrin as ajo të investojë paratë e buxhetit të shtetit dhe arsyet kryesore janë burokracia, moskoordinimi me pushtetin vendor etj. Një vit më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të tijin i cilësoi investimet atje si shumë të copëtuara dhe tejet të paefektshme. Nuk dihet se sa këtë vit kjo gjë është përmirësuar, por në gjashtë muaj është investuar vetëm 25 për qind e asaj që është parashikuar të investohet në vit. Do të duhet që në gjashtë muajt e dytë të investohet pjesa tjetër prej 75 %. Të tëra këto mosrealizime investimesh ndodhin në kohën kur nevoja për investime është shumë e madhe dhe kur qeveria po rrit nga viti në vit paratë për investime.