E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi i lartë, Shamku: Studentët, të painformuar

Tiranë- Studentët janë të painformuar në prag të nisjes së vitit të ri akademik. Asnjë e dhënë për kriteret sipas sistemit të ri të Kartës së Bolonjës, asnjë e dhënë për kushtet e pranimit dhe as kostoja që do t’u kushtojë të interesuarve, për të ditur nëse ua mban xhepi apo jo. Shqetësimi për arsimin e lartë është përcjellë sot nga Ledi Shamku, sekretare e komisionit për edukimin në PS.

Ajo ka deklaruar sot në një konferencë për shtyp se Universitetet po shndërrohen në uzina me tre turne, duke prodhuar për vit mijëra të papunë me diplomë. Por, jo vetëm kaq. Gjatë gjithë mandatit të vet qeveria, sipas Shamkut nuk bëri asgjë për të investuar në cilësinë e kërkimit shkencor, parakusht i formimit profesional, por tani ajo e bllokon thuajse krejt këtë formim.

“Studentët ende nuk dinë cilat janë kushtet e pranimit; nuk dinë as sa do t’u kushtojë ky cikël shkollimi, pra në ua mban xhepi ta përballojnë; e pra duket se flitet për 1 milionë e 500 mijë lekë në vit. Nga ana tjetër pedagogët ende nuk dinë sa studentë do kenë, nuk dinë çfarë lëndësh do japin e nuk dinë as ç’leksione të përgatisin”- tha ajo.

Një gjë e tillë, sipas Shamkut do të thotë që kur mësimi të fillojë, gjithçka do të bëhet rrokopujë, duke improvizuar ditë pas dite. Do të thotë që edhe këtë vit me mijëra të rinj shqiptarë do të investojnë mund e parà në errësirë. Dhe do të thotë që sajesa për arsim europian e konkurrues është pjesa më e hidhur në sajesën e madhe të qeverisë se Shqipëria na qenkësh vendi i parë në botë për reforma të suksesshme.

“Kjo është një vorbull e frikshme në të cilën arsimi i lartë në Shqipëri nuk është gjendur ndonjëherë qyshse u krijua”- tha ajo, duke kërkuar në emër të studentëve dhe pedagogëve, që e ashtuquajtura Ministri e Arsimit dhe e Shkencës të ndërhyjë menjëherë e të kthejë në vend funksionimin dhe dinjitetin e këtyre institucioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›