E Diel, 1 Nëntor 2026

Pr.ligji për gjyqësorin, debate në komision, kundër edhe KLD-ja

Tiranë- Përfaqësuesit e gjyqtarëve kanë dhënë argumentet e tyre kundër projektligjit“Për administratën gjyqësore”, duke kërkuar pezullimin e tij. Kundër janë shprehur sot edhe disa nga kryetarët e Gjykatave në rrethe dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në një takim të zhvilluar me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

Në seancën e sotme dëgjmore në Komisionin e Ligjeve kryetarja e shoqatës, Manjola Bejleri ka deklaruar edhe njëherë atë që ka thënë që më parë. “Projektligji është në papajtueshëmri me Kushtetutën dhe cenon pavarësinë e gjyqësorit”- ka thënë ajo para anëtarëve të komisionit.

Sipas saj, ky projektligj çorienton punën që duhet të bëjnë gjyqtarët dhe kjo është një kosto shumë e rëndë për sistemin gjyqësor.

Bejleri e argumentoi qëndrimin e saj, duke theksuar se "dispozitat i heqin totalisht mundësinë pushtetit gjyqësor për të administruar shërbimet në gjykatë, duke ia kaluar ato Ministrisë së Drejtësisë, një organ që i përket pushtetit ekzekutiv".

Në hartimin e këtij p/ligji, vërejti ajo, nuk është marrë mendimi dhe nuk është përfshirë as KLD në grupin e punës, duke e përjashtuar qeverinë e gjyqësorit si grupimi më i interesuar në këtë projekt.

Kundër projektligjit ka qenë edhe opozita. Në emër të saj, deputeti socialist, Besnik Dervishi deklaroi se projektligji nuk siguron pavarësine e gjyqësorit. "Këtij projektligji i mungon fatura financiare dhe nuk është bazuar në asnjë model të vendeve të tjera",- ka thënë ai në seancën dëgjimore.

Kundërshtime të ashpra ka pasur për projektligjin edhe nga ana e gjyqtarëve dhe disa anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në një takim konsultativ mes gjyqtarëve në rrethe dhe anëtarëve të KLD-së.

Sipas kundërshtuesve, tre nene të ligjit për administratën e gjyqësorit, cenojnë pavarësinë e gjykatës.

“Këto nene i japin pushtet ministrit, duke lënë në hije kryetarët e gjykatave që pas ndryshimeve marrin vetëm rol vëzhgues në administrimin e gjykatës”- është theksuar në takim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›