Arsimi i mesëm. Në shtator, lëndë me zgjedhje për nxënësit edhe në gjimnaz
Si duhet ti përzgjedhin gjimnazistët lëndët jashtë programit mësimor. Pikat kyçe ku do të përqendrohet reforma për futjen e lëndëve me zgjedhje
Jonida Tashi
Reforma në fushën e arsimit parauniversitar, e veçanërisht atij të mesëm nuk është ndalur vetëm në ndryshimin e strukturës së këtij sistemi. Kështu, për herë të parë këtë vit, nxënësit e shkollave të mesme përveç programit mësimor të kurrikulës bërthamë, do të mësojnë edhe lëndë të veçanta me zgjedhje. Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, bën të ditur se në shtator të gjithë nxënësit e arsimit të mesëm, në varësi të profilit të gjimnazit dhe dëshirës për të vijuar studimet e larta, duhet të zgjedhin lëndët e veçanta, tek të cilat ata duan të përqendrohen gjatë periudhës 3-vjeçare.
Përzgjedhja
Futja e lëndëve me zgjedhje edhe në gjimnaz është parë si një hap pozitiv nga ekspertët e arsimit, për arsye se një nxënës që profilizohet në një drejtim të caktuar gjatë shkollimit të mesëm, do të ketë edhe më shumë mundësi për të fituar shkollën e lartë në po të njëjtin drejtim. Madje jo vetë kaq, por ekspertët e arsimit kanë parashikuar edhe vlerësim me koeficient maksimal nga universitetet, kur nxënësi konkurron në një degë fakulteti që është e njëjtë me lëndën që ai ka studiuar si lëndë më zgjedhje në gjimnaz. Për shembull marrim rastin e një gjimnazisti që ka prirje për lëndën e Matematikës dhe gjatë shkollës së mesme ka preferuar të ndjek si lëndë me zgjedhje po Matematikën. Duke qenë se ky gjimnazist ka marrë për 3 vjet rresht dije shtesë për këtë lëndë, përveç orëve të mësimit, pasi Matematika bën pjesë në kurrikulën bërthamë, shanset që ai të fitojë shkollën e lartë për këtë degë janë të mëdha. Kjo edhe për arsyen, pasi fakulteti ku ai do të konkurrojë për studimet e larta, do ta vlerësojë këtë maturant me koeficient më të lartë se të rinjtë e tjerë që nuk kanë përzgjedhur Matematikën si lëndë me zgjedhje. Ndërkohë që në rast se maturanti i mësipërm vendos të vijojë studimet e larta në një fakultet tjetër që ka degë të drejtimit shoqëror mundësitë që ai të renditet në listat e fituesve janë të pakta.
Struktura
Specialistët e arsimit kanë parashikuar që për pranimet e viteve të ardhshme në universitete, këto të fundit, të marrin parasysh lëndën me zgjedhje që nxënësi ka ndjekur gjatë gjimnazit. Në këtë mënyrë, jo vetëm do të rritej niveli i studentëve që do të pranohen në universitete, por edhe konkurrimi për të fituar të drejtën e studimit do të ishte më i lehtë, pasi presupozohet që maturanti ka marrë dije të mjaftueshme për lëndën që dëshiron të studiojë. Pikërisht për të rritur nivelin e arsimimit të nxënësve, aktualisht në vendin tonë po zbatohet një strukturë e re e arsimit parauniversitar. Në strukturën e rishikuar 5+4+3, arsimi i detyrueshëm falas do të zgjasë 9 vjet (nga 8 vjet që ka qenë deri një vit më parë). Zbatimi i strukturës së mësipërme pritet ta afrojë sistemin arsimor shqiptar me atë të shumicës së vendeve të tjera të Ballkanit e të Bashkimit Europian. Dy nivelet e para përqendrohen në Gjuhë e Lexim, Matematikë, Njohuri për shoqërinë e Shëndetin si dhe në përvetësimin e njohurive dhe aftësive për të qenë pjesë aktive në një shoqëri demokratike të bazuar në njohuritë. Niveli i arsimit të mesëm do të ndërtohet duke u bazuar në nivelin e arsimit të detyruar dhe do të zhvillojë njohuritë e nxënësve për jetën e përditshme në një ekonomi tregu të një bote demokratike. Në këtë nivel degëzohen dy drejtime. Drejtimi i parë i përgatit nxënësit për të vazhduar shkollën e lartë, ndërsa drejtimi tjetër i pajis ata me aftësitë e shkathtësitë profesionale të nevojshme, për tu bërë anëtarë produktivë të shoqërisë, qysh me mbarimin e shkollës së mesme.
Hapat për futjen e lëndëve me zgjedhje në arsimin e mesëm
Racionalizimi i lëndëve
Tanimë është i domosdoshëm konceptimi dhe zhvillimi i një modeli kurrikular të orientuar nga kërkesa dhe i fokusuar në njohuritë dhe aftësitë e mjaftueshme për qytetarët aktivë të një shoqërie demokratike të bazuar në ekonominë e tregut. Realizimi i kësaj kërkese dikton kalimin nga metoda ekzistuese “kurrikula me bazë lëndësh”, në ”kurrikulën e bazuar në rezultatet e të nxënit”, sipas së cilës hapen opsione për lëndë të reja dhe/ose integrimin e lëndëve.
Integrimi vertikal dhe horizontal
Një nga shkaqet që favorizon dukurinë e braktisjes së shkollës nga nxënësit në nivelin parauniversitar është mungesa e interesit të këtyre të fundit për mësimin. Për këtë arsye është e nevojshme të përshtatet procesi mësimor dhe përmbajtja kurrikulare me kërkesat e zhvillimit të fëmijëve dhe me aspiratat e nxënësve dhe të prindërve. Integrimi i lëndëve është një nga përvojat që e bëjnë procesin e nxënies më efektiv në vitet e shkollimit bazë. Veç kësaj, integrimi lëndor do të ulë edhe numrin e teksteve shkollorë, pra, nga një për çdo lëndë, në një numër më të kufizuar tekstesh, duke menaxhuar kështu më mirë impaktin e kostos në arsimin parauniversitar.
Krahasuar me treguesit e ngarkesës për vendet e OECD, ngarkesa mësimore aktuale e nxënësve tanë është shumë e lartë. Kështu, reforma kurrikulare duhet ta trajtojë me përparësi aspektin cilësor të mësimdhënie-mësimnxënies në raport me atë sasior, si dhe t’u sigurojë nxënësve më shumë kohë, të kultivojë tek ata shprehitë eksperimentuese, të rrisë ambicien për kërkim e të zhvillojë operacionet mendore të analizës dhe sintezës gjatë procesit mësimor.
Struktura e kurrikulës së arsimit parauniversitar
Ndryshimi i strukturës së sistemit parauniversitar (5 vite arsimi fillor, 4 arsimi i mesëm i ulët dhe 3 arsimi i mesëm i lartë) dikton rishikimin e strukturës kurrikulare për të zgjidhur problemet që shtron koha si dhe për ta afruar atë me vendet e rajonit dhe të BE. Brenda strukturës së propozuar ka lindur nevoja për një integrim vertikal të koncepteve. Inicimi i praktikës së lëndëve me zgjedhje kërkon të planifikohet në mënyrë të kujdesshme, për të garantuar zhvillimin gradual të specializimit dhe artikulimit në programet universitare.
Zgjedhja e lëndëve nga nxënësit dhe kurrikula gjithëpërfshirëse
Zhvillimet e brendshme dhe kërkesa e afrimit me komunitetin europian diktojnë nevojën për rritjen e fleksibilitetit në hartimin e kurrikulës, në mënyrë që shkollat ose niveli lokal ta përshtatin atë, në masën që u lihet në dispozicion, me nevojat dhe kërkesat e zhvillimit perspektiv lokal ose të traditës. Politikat që udhëheqin përdorimin e lëndëve me zgjedhje dhe të gruplëndëve i shërbejnë forcimit të këtij fleksibiliteti. Bordi i shkollës miraton politikën e kurrikulës në nivel shkolle, ndërsa qeveria vendore, nëpërmjet aplikimit të grantit në shkolla, ka rastin t’u japë prioritet projekteve kurrikulare të specifikuara.
8 Korrik 2009