Sot nis G8-a, protesta e arrestime në Romë
Sot nis samiti i tetë i vendeve më të industrializuara të botës në Romë, Itali, por me gjithë masat e rrepta të sigurisë nga qeveria “Berluskoni”, përfshirë edhe pezullimin e marrëveshjes Shengen deri më 15 korrik, në kryeqytetin italian gjatë një operacioni blic qeveria ka arrestuar dhjetëra persona, të cilët protestonin kundër samitit të G8. Mes 36 demonstruesve të ndaluar, italianë dhe të huaj, u arrestuan 10 me akuzat e vënies së zjarreve në kazanët e plehrave dhe vendeve publike, për mbajtje të objekteve të papranueshëm nga ligji dhe për ofendim si dhe për bllokim të rrugëve. Gjatë protestave të tyre u është vënë flaka disa gomave të makinave. Mes të ndaluarve 27 janë italianë, katër suedezë, dy gjermanë, një zviceran, një francez dhe një polak. Të gjithë u morën për identifikimin e qëndrimit të tyre në zyrat e policisë në Digos. Rreth 150 manifestues, anëtarë të rrjetit “NoG8 Roma”, kanë dalë në rrugët e sheshit San Paolo, në zonën universitare “Roma 3”, shumë të veshur tërësisht me të zeza me flamuj të zinj me një V ngjyrë vishnje sipër. Sipas burimeve të policisë italiane, ata mbanin një çantë blerjesh plot me gurë, të cilat i kanë hedhur në drejtim të policisë bashkë me shishet e birrës dhe bombolave të gazit. Pasi i kanë vënë flakën gomave turma është shpërndarë deri sa u bllokua nga policia.