E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, prodhohen formularë A2 edhe për maturantët mbetës në provimet me detyrim



Maturantët që ngelën në provimet me detyrim të Maturës dhe pas rishikimit të rezultatit marrin notë kaluese, do të futen në garën e provimeve me zgjedhje. Për rrjedhojë, këtë vit këta maturantë, që në total janë rreth 4 mijë për të dy provimet, ndryshe nga Matura e kaluar kanë të drejtë të plotësojnë formularin A2 për pranimet në universitete. Kjo e drejtë u është dhënë maturantëve të sivjetshëm, në mënyrë që ata të mos e humbasin një vit të drejtën për të konkurruar për studimet e larta. Konkretisht, lidhur me të drejtën e maturantëve mbetës për të qenë pjesë e provimeve me zgjedhje në udhëzimin për plotësimin e formularit A2 shkruhet: “Për maturantët që kanë ngelur në provimet D1 dhe D2, janë prodhuar formularë A2, por që këto të dhëna të jenë të vlefshme për më tej, do të merret për bazë vlerësimi i rishikimit të rezultatit, nëse maturanti ka bërë ankimim”. Tashmë pritet që ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), të publikojnë para datës 10 korrik rezultatet e reja për maturantët që kanë paraqitur kërkesë për rishikimin e tyre. Kështu, kush prej maturantëve, që krahas kërkesës për rishikimin e rezultatit të provimit ka studiuar edhe për provimet me zgjedhje, mundësitë për të grumbulluar pikë në këto provime janë të pranishme. Ndërkohë që një vit më parë, maturantët që rezultuan jo kalues qoftë edhe në njërin nga dy provimet me detyrim të Maturës, e humbën automatikisht të drejtën për të konkurruar për në universitet, për një arsye thelbësore, që kishte të bënte me mohimin e të drejtës për rishikimin e testeve të provimit. Në Maturën 2008 e drejta për ankimimin e rezultateve të provimit ishte thjesht diçka e shkruar në letër që nuk u zbatuar nga asnjë shkollë e vendit. Për këtë arsye, të gjithë maturantët që nuk arritën të kalonin me sukses provimin e Letërsisë dhe Matematikës kaluan direkt në sezonin e provimeve të vjeshtës, duke humbur kështu mundësinë për të vazhduar më tej proceduarat për në universitet.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›