U nda nga jeta, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën shqiptare në Moskë
Kryeministri Berisha homazhe në nder të diplomatit Halit Furriku
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje në mesditë homazhe në nder të diplomatit Halit Furriku, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën shqiptare në Moskë, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 57 vjeçare.
Kryeministri u shprehu ngushëllimet familjarëve të diplomatit, në homazhet e zhvilluara në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke vlerësuar lart figurën dhe kontributin e Halit Furriku në diplomacinë shqiptare dhe në botën intelektuale të vendit.
“Halit Furriku ndahet nga jeta duke lënë kujtimin më të mirë të një qytetari shembullor, të një prindi shembullor, familjari shembullor, një intelektuali të shquar, një demokrati të vendosur, një diplomati të talentuar. Për shërbimin diplomatik shqiptar, botën intelektuale të vendit, për familjen, për vendin e tij të lindjes, Pukën dhe, për mbarë Shqipërinë, kjo është një humbje e dhimbshme, por Haliti lë tek të gjithë ne, kujtimin më të mirë që mund të lerë një njeri. Duke shprehur edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe Trupit Diplomatik Shqiptar për këtë humbje të rëndë, lutem që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar”, tha kryeministri Berisha.
...