E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama nuk i ka mundësitë të distancohet nga Flamur Bime

Tragjedia e djeshme në Gjirokastër ka qenë me të vërtetë e paralajmëruar. Është ajo situata tampon që po inkurajon prej mëse tre vitesh kryetari i Bashkisë së Tiranës e që me rregull treshi ka rezonancë në të gjitha bashkitë e qeverisura nga socialistët, për të mbajtur fort monopolin e lejeve të ndërtimit, si një aset i rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Beteja në Tiranë ka qenë me përqendrim mediatik e prandaj edhe abuzimi duket se nuk ka mbërritur ende deri tek arroganca e dhënies së lejeve të ndërtimit vrastare, por në Gjirokastër, atje ku s’ka pasur kurrë tokë e troje, alternativat kanë qenë të pakëta, por edhe rehatlliku e arroganca e kryebashkiakut e paprecedentë. Njëri nga profilet më bolshevike që qarkullonte ende në skakierën e politikës e të pushtetit në Shqipëri (ndoshta ka si të krahasueshëm ende vetëm Gramoz Ruçin), kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Bime u zhduk dje nga sytë e publikut, krejt si burracak e duke lajmëruar në vetë të parë se ishte bash ai përgjegjësi e se s’kishte nevojë të kërkoheshin alibi, as nga prefektura e as nga PS-ja, për ta shpëtuar. Zaten të dyja këto institucione - të mirëinformuara me sa duket - e kanë nulifikuar si protagonist, duke e trajtuar de facto, si një fajtor me të cilin duhej të merrej drejtësia.
Mbivendosja e lejeve të ndërtimit, shkatërrimi i infrastrukturës ekzistuese, zvogëlimi i hapësitave të gjelbra dhe rënia e cilësisë së jetesës janë ikonat e qeverimit të Edvinit në Tiranë, por kjo kurbë përkeqësuese, e cila të çon domosdo tek rrënimi urbanistik i Gjirokastrës, nuk po lexohet nga Bashkia e Tiranës e politikani Edvin. Dje në Gjirokastër ai kishte dukshëm imazhin e njërit që ka bishtin ndër shalë, po s’ia mbajti që me zemër në dorë, të thoshte të paktën se këtej e tutje, në bashkinë e tij do të ndërmerrej një aksion “sanatoria” për të ndërhyrë në eleminimin e të gjithë atyre faktorëve, që mund të sjellin një përsëritje të tragjedisë së Gjirokastrës, këtë herë me përmasa më të frikshme, në kryeqytet. Asnjë fjalë nuk tha dot kryebashkiaku i kryeqytetit, për atë që në fakt është kërcënimi më i madh për sigurinë në Tiranë. Domosdo, ecet me logjikën që të mos prishet “status-quo”-ja.
Por s’mund të përparohet hiç me mendësinë “bëje Zot ëndërr”, as me neglizhencën “larg prapanicës time”. Edvini kishte një shans dje që të shmangte nesër rrufetë mbi vete e të bënte thirrje për një bashkëpunim të gjithanshëm me qeverinë qendrore, specialistët e fushës apo edhe përvojës ndërkombëtare, në vende të tjera të trazuara si i yni, por atë mundësi nuk e shfrytëzoi. Përkundrazi, respektoi profilin minimal të situatës, duke përshëndetur thjesht aksionin e grupeve të shpëtimit. Shumë pak për të shpresuar më në fund se nga opozita e shpifjeve dhe e pabesisë, do të mund të dalë ndonjë aksion luajal. Njëlloj veproj edhe në gërdec me 15 mars, por me 17 mars bubulliu i penduar se nuk e shfrytëzoi sa duhet rastin. E kur s’i fryn qullit, i fryn kosit, dhe karikaturën e këtij aksioni e regjistroi me rastin e aksidentit të pafat të Kosta Trebickës. Tani ishte disi më i iluminuar, meqenëse mund të quhet si më i informuari për punë të sigurisë në sektorin e ndërtimeve, por prapëseprapë, kapja e bashkiakuat nuk e la politikanin të kryente detyrën e tij.
Jemi në rastin kur i takon politikanit Sali Berisha, që përveç politikanit “par excellence” të kryejë edhe rolin e shtetarit e të kryeministrit, e në rastin e Flamur Bimes të ushtrojë veten të drejtën e kallzimit penal, ndërkohë që ka mundësi preventive për të ushtruar sa i përket katrahurës në bashkinë e Tiranës.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›