E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi katoliko-mysliman, një hap para drejt një bashkëpunimi edhe në sferën teologjike

Përfundoi të enjten e kaluar në Romë Forumi katoliko-mysliman me temë “Dashuria e Zotit, dashuri për të afërmin”, në të cilin morën pjesë specialistë katolikë e islamikë. Organizmi, i themeluar nga Këshilli Papnor për dialogun ndërfetar, përbëhet nga përfaqësues të të dyja feve. Veprimtaria kulmore ishte audienca tek Benedikti XVI, gjatë së cilës Papa ripohoi me forcë se emri i Zotit është emër paqeje e dashurie, prandaj nuk mund e nuk duhet të përdoret kurrë për të përligjur dhunën. Më pas i ftoi të krishterët e myslimanët të punojnë për t’i kapërcyer paragjykimet e keqkuptimet dhe i nxiti liderët politikë e fetarë të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, posaçërisht lirinë e fesë. Ndërsa në përfundim të bisedimeve, pas takimit me Papën, në Universitein Papnor Gregorian u mbajt një seancë publike, gjatë së cilës dy nga pjesëmarrësit, një katolik e një mysliman, paraqitën Deklaratën përfundimtare të Forumit. Vlera e jetës, impenjimi kundër terrorizmit dhe respekti për pakicat janë disa nga temat kryesore të Deklaratës përfundimtare, përmes së cilës u bëhet thirrje besimtarëve të punojnë për një sistem financiar etik, mekanizmat normative të të cilit të kenë mirë parasysh gjendjen e të varfërve e të nevojtarëve. Të gjithë njerëzit vullnetmirë – shtohet në Deklaratë – janë të thirrur të bashkëpunojnë për të lehtësuar vuajtjen e njeriut që ka uri, që është i sëmurë, që shtrin dorën për të kërkuar ndihmë. Zoti është emër paqejeje: dhuratë, kjo e fundit, të cilën njerëzimi e kërkon e për të cilën burrat e gratë, që besojnë, edhe pse në fe të ndryshme, mund e duhet të punojnë së bashku. Ky është impenjimi nënshkruar pak ditë më parë, në përfundim të Seminarit të organizuar në Romë nga Forumi, që prej vitesh organizon ballafaqimin e anëtarëve ë të dy besimeve. Për rëndësinë e kësaj ngjarjeje të madhe, Radio Vatikani emëtoi dje reflektimin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi: “Seminari katoliko-mysliman, që u mbajt në Romë më 4 deri më 6 nëntor, është një hap domethënës përpara në dialog. Kisha mban takime të rregullta me grupe të ndryshme të përfaqësuesve myslimanë, por ky takim dëshmoi mundësinë për të hyrë më thellësisht e më çiltërsisht në temat themelore e për të shprehur me qartësi e ndershmëri më të madhe, atë që bashkon e atë që dallon. Deklarata e përbashkët përfundimtare përmban pohime të rëndësishme, që kanë të bëjnë me respektin e njeriut, me rrugën që zgjedh përsa i përket ndërgjegjes e fesë, me dinjitetin e barabartë të burrit e të gruas. E impenjimi i përbashkët për një botë më të drejtë e më paqësore buron nga besimi i përbashkët se njeriu u krijua nga një Zot, që na do e na bën thirrje të duhemi.
Papa inkurajon vijimin e këtij dialogu, që u hap në një atmosferë besimi e që shpresohet se do të përfshijë rrethe gjithnjë më të gjëra në botën e krishterë e në atë myslimane. Kujtimi nga njëra palë e nga tjetra i situatave dramatike, si kërcënimi e heksodi i të krishterëve në Lindjen e Mesme ose masakrat e së kaluarës së afërt mbi myslimanët e Bosnjës, identifikimi, i bërë me lehtësi të çuditshme, ndërmjet përgjegjësisë së personave ose të shteteve - e fesë, që thonë se praktikojnë, e bëjnë dialogun të ndërlikuar e të vështirë, por nuk duhet ta pengojnë e as ta ndalojnë. Benedikti XVI përfundon duke i ftuar të gjithë të përpiqen së bashku për të kapërcyer çdo mosmarrëveshje, për të zhdukur paragjykimet e për të korrigjuar figurën e shtrembëruar të tjetrit. Rruga mbetet e gjatë, por gjithsesi ky hap u bë në drejtimin e duhur”.
Papa në Lutjen e Engjëllit të Tenzot: Kurrë më tmerre të antisemitizmit nazist/Në lutjes e mesditës të Engjëllit të Tenzot, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI kujtoi se para 70 vjetësh, shpërtheu tërbimi nazis kundër hebrenjve në të ashtuquajturën “Natën e kristaleve”. Një ngjarje dramatike, e evokuar nga Papa, të cilën nuk duhet harruar në mënyrë që më kurrë të mos përsëriten tmerre të tilla e të ngjashme. Prandaj, Papa bëri thirrje për paqen në Veri të Kivu, rajon i Republikës së Kongos, i goditur këtyre ditëve nga vala e një dhune shkatërrimtare e vdekjeprurëse. Në solemniteti n e sotëm të Kushtimit të Bazilikës së Lateranit, “nënë e të gjitha Kishave”, Benedikti XVI i ftoi besimtarët të jenë “gurë të gjallë” të ndërtesës shpirtërore të tempullit të Zotit.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›