E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi në ankand

Duke shfletuar faqet e një numri të kaluar të revistës “Klan”, më bëri shumë përshtypje një shprehje e analistit Mentor Kikia. Ai, me shumë të drejtë thotë: “Ne jemi vendi që kemi universitete private më shumë se Greqia, Italia, Franca apo dhe Britania e Madhe. Nëse Ministria e Arsimit ka nxjerrë në ankand arsimin, kjo nuk na pengon ne të tjerëve të shqetësohemi për degradimin e cilësisë së shkollës sonë të të gjitha niveleve.”

Paraprakisht, dua të sqaroj se personalisht nuk jam kundër tregut privat të arsimit të të gjitha niveleve, sepse do të dilja kundër principit të konkurrencës që më karakterizon. Dhe më duhet t’iu kërkoj stafeve drejtues të disa universiteteve jo publike si New York University of Tirana, ose Zonja e Këshillit të Mirë apo dhe UET e UFO, që kanë bërë një punë të konsiderueshme për të arritur standardet e kërkuara, si dhe janë bashkëpunëtorë të kolosëve të arsimit publik si Universiteti i Tiranës, i Elbasanit, Vlorës, Gjirokastrës etj., të më kuptojnë sepse, fatkeqësisht më duhet nganjëherë t’i përfshij në bashkësinë që në këto kohë të edukimit të cunguar shpesh njihet me njëfarë konotacioni me trajtë pexhorative: “Privatët”.

Por ama, nuk mundem të mos reagoj ndaj kthimit të brumosjes së mendjeve të së ardhmes në një ankand pa fre dhe më keq, ligjërimit të këtij procesi, siç ka bërë gjatë gjithë këtij mandati Ministria e Arsimit dhe Shkencës që më duket se e ka transferuar arsyen në llogari bankare për taksa të dëmshme biznesi të madh që vilen prej universiteteve jo publike.

Fatkeqësisht, nuk jam vetëm unë që këtë vit diplomohem me një diplomë të nivelit të parë tre-vjeçar, pa një treg të qartë pune që mendoj kështu, por dhe shumë studentë të tjerë të infektuar me virusin e inflacionit të diplomave, derivat ky i ankandit të arsimit. Me të njëjtin ton reagojnë dhe shumë pedagogë, akademikë deri tek atashe të huaj për arsimin e Lartë në BE dhe zyrat e OKB-së. Gjatë një konference në lidhje me legjislacionin e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, prof. Jan de Groof, i dërguar i UNESCO-s për arsimin e lartë në Europën Juglindore, mes shumë e shumë komentesh jo pozitive në lidhje me legjislacionin për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë vuri në dukje dhe nenin 45 të këtij ligji i cili në germën (b) të pikës 1 shprehimisht thotë:

“1. Organizimi i programeve të studimit në institucionet private të arsimit të lartë bëhet sipas:

...b) një modeli tjetër, kur ai ofrohet nga një institucion që jep diplomë të një institucioni të huaj ose të ngjashëm me të. Në këtë rast, ato duhet të shoqërohen edhe me vlerësimin në kreditove, sipas Sistemit Europian të Transferimit dhe Grumbullimit të Kreditove (ECTS), për të mundësuar njohjen e studimeve dhe transferimet e studentëve.

Pra, është shumë e qartë që kjo pikë e këtij neni të ligjit për arsimin e lartë është dhe biti i parë i ankandit për këdo që ka fondet e duhura për të hapur një biznes të madh, që në rastin tonë është universitet privat. Shihet qartë për më tepër që vetë ligji, jo vetëm nuk bën presion mbi këto Universitete “shumice”, si shumë në qarkullim, për të garantuar staf jo fiktiv pedagogësh me gradë shkencore, hapësirat fizike dhe infrastrukturën e nevojshme, por nga iu jep atyre “autonominë” për t’u vetorganizuar për sa i përket programeve, cikleve të studimit, si dhe i liron nga dhimbja e kokës që të sjellin arnimet e shpeshta nënligjore dhe frenuese të hartuara ekskluzivisht për IPAL (Institucionet Publike të Arsimit të Lartë). Kur them IPAL kam parasysh hallkën e fundit të këtij kalvari ose më saktë, studentët “Publikë” që janë ata që e vuajnë produktin e dëmshëm, të ligjëruar, dhe shumë me finesë të fshehur pas burokracive që nuk mendoja se do t’i gjeja në punën si përfaqësues i studentëve në Senatin Akademik të Universitetit. Personalisht, nuk bie dakord me faktin që ligji privatët në përgjithësi i shikon me syrin e nënës dhe publikët më të njerkës, ashtu siç kam shumë rezerva përsëri për këtë ligj që ka transformuar edukimin në një biznes fitimprurës për disa persona dhe shumë të dëmshëm për familjet shqiptare që duhet të vuajnë pasojat e përfitimit të shtrenjtë të licencës në ankandin e radhës për hapjen e IJPAL (institucionit jopublik të arsimit të lartë).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›