Të panevojshëm si shqiptarë
Koncepti, për të cilin këmbëngulin dy emrat e respektuar të shqiptarëve të Maqedonisë, është një koncept etnik, që e shikon Maqedoninë si një shtet, ku shqiptarët vetëqeverisen më vete. Ky mund të jetë një opsion në të ardhmen, por sot nuk është realitet. Shqiptarët atje bashkëqeverisin me maqedonasit jo mbi baza etnike, por mbi baza elektorale dhe nuk ka sens që vendi të qeveriset me të parët e katundeve. Nuk kam ndonjë preferencë mes partisë së zotit Ahmeti dhe asaj të zotit Thaçi, por e shikoj koncept krejt të ndryshëm, atë që e bazon vetëqeverisjen e shqiptarëve si realitet në Maqedoni. Vetëqeverisja e shqiptarëve nuk është realitet. Nëse Maqedonia do të federalizohej dhe shqiptarët do të vetëqeveriseshin, atëherë koncepti i të qenit parti në pushtet, parti e parë e shqiptarëve, është legjitim. Kurse kështu si funksionon politika në Maqedoni dhe koncepti i shtetit të qytetarëve, nuk na jep shanse të diskutojmë për një qeverisje federale, ku të ruhet pariteti etnik i partive që konkurrojnë.
Së fundi, zgjedhjet e fundit në Maqedoni u bastarduan nga faktori shqiptar dhe shqiptarët vizatuan një portret aspak demokratik para botës perëndimore. Thaçi, por dhe Ahmeti nuk arritën të përmbahen dhe të vendosin standarde për zgjedhjet. Qeveria e zotit Gruevski dhe ashtu e ka siguruar shumicën, pa pasur nevojën e tyre. Por do të ishte gabim që vendimi i tij të kushtëzohej nga futja në qeveri e partisë fituese të shqiptarëve. Ai nuk është kryeministër i një Maqedonie federale, por i një Maqedonie të bashkuar. Nuk jam kundër federalizimit atje, por duhet të arrihet dhe pastaj të veprohet si në një shtet federal. Për kaq sa kanë arritur dhe kështu si kanë vepruar taktikisht dhe politikisht partitë shqiptare në Maqedoni, nuk ka kuptim që të jenë në qeveri si të deleguar të një federate, por si një përfaqësi politike, e cila ka mbijetuar, duke artikuluar kërkesat e shqiptarëve. Dhe s’duhet të harrojmë se shpesh, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit në Maqedoni, është mirë të mos identifikohesh në grup si shqiptar, pasi më shumë mund ta dëmtojmë se sa ta ndihmojmë çështjen e tyre në Maqedoni. Të dyja grupimet politike janë të panevojshme si shqiptarë, pasi vetë janë defaktorizuar. Dhe intelektualët shqiptarë aty duhet ta ndajnë mendjen, përse janë përcaktuar, për shtet të qytetarëve apo shtet federal. Të dyja bashkë hë për hë nuk shkojnë.