TVSH sulmon Ina Ramën: Shkarkoi Kosovën, të japë dorëheqjen
Televizioni shqiptar ka transmetuar dje një kronikë, ku akuzonte kryeprokuroren, Ina Rama, se për shkarkimin e Adnand Kosovës, ish-kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda, kanë ndikuar bandat kriminale, dhe akoma më keq pjesëtarët e bandave të Lushnjës. Dhe jo vetëm kaq, por këtë deklaratë Televizioni Publik Shqiptar e bazonte në protestat mediatike, që nuk dihej se ku i kishte gjetur, se për emërimin e Olsian Çelës kanë protestuar mediat, pasi dhe ky i fundit paska lidhje me bandat e Lushnjës. TVSH shkoi deri aty, sa aludoi se pas këtij veprimi Ina Rama duhet të japë dorëheqjen, sepse institucionet kushtetuese, me sa u kuptua, duhet të japin njëherë llogari te TVSH, përpara se të bëjnë zëvendësime apo lëvizje kuadrosh brenda dikasterit të tyre. Deklarata e TVSH është në vazhdën e deklarimeve që ka bërë ky televizion që pas ngjarjes së 15 marsit, ku prokuroria u preokupua seriozisht në ngjarjen e saj. TVSH doli kundër heqjes së imunitetit të Mediut, duke aluduar për hetim të njëanshëm nga ana e prokurorisë, si dhe duke u kthyer në një megafon të korrupsionit që fshihet pas kësaj ngjarjeje. Përfshirja e TVSH në këto lloj komentesh, televizionit ku shqiptarët janë të detyruar të paguajnë taksën, për një ekran ku shumica nuk e shohin kurrë, përbën një precedent të rrezikshëm për pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Dyshimet bien direkt mbi qeverinë, e cila mbledh taksa për ta financuar këtë televizion dhe tashmë po e përdor si pushkë kundër Ramës, për çështjen ‘Mediu’, por nuk përjashtohet fakti që në këtë histori të jenë ngatërruar dhe interesat e ndonjë drejtuesi të saj, që emërimi i Olsian Çelës dhe shkarkimi i Adnand Kosovës lidhet me kujtime të hidhura nga ngjarje të shkuara. TVSH s’ka asnjë të drejtë të bëhet vegël e askujt, përderisa për këtë televizion paguajnë të gjithë shqiptarët, aq më shumë të sulmojë një institucion të drejtësisë. Por ndoshta TVSH ka të drejtë, sepse institucioni i akuzës ndoshta duhej të kishte vepruar më parë për të hetuar skandalet dhe abuzimet që janë kryer në këtë institucion me të drejtat televizive apo përdorimin e fondeve dhe për të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit që e kanë shndërruar këtë media, e cila merr fonde sa të gjitha mediat së bashku, në kanalin me audiencën më të ulët në vend.