Pensionet false, pranga tre ish-zyrtarëve
Hetimi
Vetëm një ditë më parë burime hetimore pranë prokurorisë së kryeqytetit konfirmuan se, gjatë analizës në Laboratorin e Kriminalistikës të dosjeve të sekuestruara në DRSSH-në e Tiranës rezultuan një numër i konsiderueshëm si të falsifikuara. Duket se rezultati i analizës në Laboratorin e Kriminalistikës ka çuar në marrjen e vendimit nga gjykata, e cila dje ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për tre të prangosurit, nën akuzën për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore të kryera në bashkëpunim”, “Shpërdorim detyrë”, dhe “Falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”.
Këto dosje u dorëzuan disa muaj më parë nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, pasi, pas verifikimeve rezultuan si të dyshuara për falsifikim. Sipas hetimeve, bëhet fjalë për disa falsifikime që kanë ndodhur në periudhën kohore të viteve 2000-2004. Drejtori i kësaj drejtorie, Ilir Goci, publikoi disa javë më parë se kishte çuar drejt prokurorisë mbi 400 dosje të dyshuara sit ë falsifikuara, ku përfshiheshin pagesat suplementare dhe pensione pleqërie. Sipas hetimit, të akuzuarit dyshohet se kanë nxjerrë në pension shtetas të ndryshëm me dokumente të falsifikuara. “Falë punës hetimore u konkludua se të prangosurit iu kanë lidhur pension disa personave sikur të ishin punonjës pranë minierës së Priskës. Këtë aktivitet dyshohet se e kryenin kundrejt shumave të parave 200 000 lekësh për çdo shtetas”, - thanë dje burimet zyrtare të policisë së Tiranës. Për të akuzuarit bëhet fjalë për abuzim me rreth 200 dosje, ndërkohë që dyshohet se në këtë aktivitet të jenë përfshirë edhe persona të tjerë. Gjatë kontrollit të banesave të tyre, iu gjendën dokumente shkresore që implikojnë tërësisht të lartë përmendurit si: certifikata personale dhe familjare në emër të shtetasve të ndryshëm, libreza pensionesh e dokumente të tjera të falsifikuara. Materialet hetimore të përpiluara për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës i kaluan për kompetencë njësisë së përbashkët hetimore kundër krimit financiar dhe korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Aktualisht, vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale apo të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Pak orë përpara tyre policia kishte nisur hetimet për 52-vjeçarin Reshat Çopani, lindur dhe banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka përfituar trajtim të veçantë për pension si minator, duke falsifikuar dokumentet. Çopani e çon në 15 numrin e personave nën hetim nga policia me këtë akuzë.