“Rrota e qerres” së Pollos
Matura Shtetërore
Ka tre vjet që historiani Genc Pollo, i bërë i tillë për hir të babait “me merita të gjithanshme“, drejton dikasterin e Ministrisë së Arsimit, ndonëse nga arsimi nuk merr vesh fare. Mirëpo ka dhunti të tjera: publicitetin. E vetmja “reformë“ që trumbeton çdo ditë në morinë e gazetave dhe masmedias elektronike është Matura Shtetërore, “suksesi i sukseseve i shkollës shqiptare”; a thua se më parë nuk kishte provime mature, a thua se më parë ata që mbaronin shkollën e mesme shkonin në shkollën e lartë pa këtë hajmali, a thua se për ministrin shkolla ka vetëm një klasë, maturën. Këto “dredhi teatrore” nuk janë të vështira për t’u kuptuar. Ekipi i përzgjedhur nga ai si dhe nga njerëzit e afërt të kryeministrit nuk e ndalojnë dot rrokullimën e arsimit. Madje, duke arsyetuar vetvetiu të lind pyetja: A duan vërtet ta përmirësojnë arsimin?
Nuk drejtohet një dikaster kaq i rëndësishëm me kushërinj e kushurira, me sigurimsa të konvertuar në shikas. ǒpret prej këshilltarit, kushëririt të së ëmës, stërnipi i drejtpërdrejtë i odiseut homerik, minoritarit Stavros Llambiris, ish-drejtorin Institutit të Studimeve Pedagogjike, i hequr nga posti në vitin 1996, si bashkëpunoëtor i Sigurimit të Shtetit. Si këshilltar i parë i ministrit Stavrosi “udhëhoqi” reformën në arsim, bashkë me mikun e tij, matematicienin Maks Gumeni, dëshmitarin e gjyqeve të diktaturës kundra kolegëve. Kur në drejtim ka njerëz me begraund të tillë dihet se ç’pritet. Arsimi është një katrahurë që vetëm “reformohet“, pra vetëm shkatërrohet. Po Stavrosi, bashkë me Maksin, “hëngrën, pinë dhe buzët i fshinë” me të ashtuquajturën reformë. Kryesore qe ajo e teksteve, të financuar nga “dashamirësit” perëndimorë dhe tani u thotë: ku ju kam parë o tungjatjeta! Ministri nxjerr kokën në çdo televizion dhe flet për tekstet në mënyrë hipotetike, sepse nxënësit i blejnë në të zezë. Kurse financimet shpërndahen në një tufë kopukësh dhe hajdutësh ordinerë, qysh nga grupi parlamentar për arsimin e deri te politikanë, të cilët kanë ortakëri me shtypshkronja. Por, nuk janë vetëm këta. Pa hezitim mund të themi se Ministria e Arsimit është një nga “strehët” më të populluara dhe më të sigurta të pinjojve të diktaturës, veçanërisht sigurimsa, që vetëm zhvatin e vjedhin pa iu dridhur dora dhe syri, sepse e kanë të qartë idenë: kjo është hera e fundit. Këtyre këpushave të demokracisë iu ka ardhur fundi.
Kjo zhurmë mediatike nuk mbulon dot degradimin e gjithanshëm të shkollës sonë, publike dhe private.
Së pari, ministri Pollo duhet ta dijë, sigurisht që e di, se aktualisht është shtuar disa herë numri i analfabetëve; se fëmijët, jo vetëm në zonat e mëdha rurale, por kudo kanë braktisur shkollën. Dhe nuk është fjala vetëm për fëmijët e fshatrave që “Bagëtinë dhe Bujqësinë“ e Naim Frashërit nuk e mësojnë në shkollë, por arave dhe kullotave, duke ruajtur bagëtitë dhe duke bërë punët e stinës; se Ministria nuk e di sesa është numri i nxënësve, madje as të ashtuquajturës “Maturë Shtetërore”, që do të ishte më e drejtë të quhej “batakçillëk shtetëror”; se në tenderat e kësaj ministrie është bërë batërdi. Madje, mjafton që t’iu referohesh të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit që janë vetëm maja e ajsbergut e korrupsionit.
Një kapitull më vete është arsimi privat. Na thotë mendja se me to, me “lejet”, licencat e tyre, është marrë vetë ministri Pollo. Nuk është e rastësishme që janë lejuar të hapen shkolla me emra të mëdhenj por me punë të vogla, pa kriteret, personelin dhe tekstet e domosdoshme. Në to, bijtë e baballarëve të pasur “diplomohen” pa vrarë mendjen, por xhepin e prindërve. Tapë hyjnë e tapë dalin, por ama një “dhipllomë“ e marrin.
Sigurisht, me ndonjë përjashtim, niveli i tyre, ashtu si dhe i shkollave shtetërore, është zero me xhufkë. Doni të verifikoni cilësinë e shkollës sonë në këto vite të tranzicionit që s’po mbarojnë kurrë? Shihni bisedat televizive me të rinj e të reja, shihni konkurset që bën ndonjë televizion, shihni programet banale, kopje të shëmtuara të televizioneve të huaja. Nuk dinë të lidhin dy fjalë bashkë. Përmendim televizionet që i shohin të gjithë dhe nuk flasim për mjekët që, paditurinë në shumicën e rasteve e fsheh varri.
Së dyti, tekstet me të cilët mësojnë ata nxënës që frekuentojnë shkollën janë në një nivel aq të ulët sa që edhe “tekstexhinjtë” e diktaturës janë krenarë ndaj pasardhësve të tyre demokratë. Tekstet e shkencave të përpikta janë një kaos i vërtetë, ndërsa ato të shkencave shoqërore një vazhdim i teksteve të monizmit. Në histori vazhdon kulti i të ashtuquajturës “Luftë Nacional-Çlirimtare”, ku udhëheqja sllavo-komuniste luftoi vetëm kundër nacionalistëve dhe popullit që e kundërshtonte. U shpikën beteja, ndeshje; u asgjësuan në mënyrë imagjinare dhjetëra mijëra armiq, pushtues dhe tradhtarë, aq sa krijohet përshtypja se pa luftën e partizanëve shqiptarë fashistët do të jetonin dhe mbretëronin sot e kësaj dite në të gjithë botën. Sigurisht, nuk mund të ndodhë ndryshe kur në pushtet janë po ata që kanë qenë. Madje edhe sikur të duan nuk i bëjnë dot. Mirëpo, arsimi nuk është si disa sektorë të tjerë, ku mund të fshihesh pas lumit të fjalëve pa bereqet, nëpër konferenca shtypi që i shumëfishojnë televizionet. Çdo njeri është i lidhur me shkollën, në mos djalin apo vajzën ka nipin, mbesën apo vëllain e vogël. Pra, matësin e cilësisë e ka në shtëpi. Të dalë kush të dojë e të thotë se shteti financoi tekstet me 500 milionë lekë, sepse këto shuma nuk kanë shkuar për nxënësit, por për ministra arsimi që po mundohen të gllabërojë sa të mundin si hiena nga mbetjet e luanëve; të thonë sa të duan se librin shtypshkronjat e kane çuar vetë deri në zonat më të thella, por e vërteta është se edhe tani, në kryeqytet, ende nxënësit nuk janë plotësuar me tekste.
Në ndihmë të “rrotës së qerres” së Pollos vjen edhe Berisha. Rrota e tij është me disa herë më e madhe, është më moderne, më e sofistikuar, si e tillë po shërben kompjuteri dhe interneti që po “futet” në çdo shkollë. Absurditet më të madh nuk ke ku gjen: shkollat janë pa dyer e pa dritare, copë-copë, jo më fshatrave, por në kryeqytet dhe Berisha flet për internet. Sa për dijeni të tij, internet nuk ka as Radiotelevizioni Publik Shqiptar. Prandaj: Praj Sali hë të shitoftë Zana se na fryve! Të dhëntë zoti aq mend sa të mbyllësh gojën se ja kalove edhe Enverit.
Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë.
Të tjera e të tjera...
Aktualisht, tani si “rrotë qerreje” po shërben përgatitja për të hyrë në NATO. Me këtë “sukses” të qeverisjes së PD-së Berisha po i bie kryq e tërthorë vendit. Siç thotë kavajasi që e ka zgjedhur deputet Saliun prej 17 vjetësh, “po hymë në NATO, do të ndahet sheqeri me qeleshe”. E vërteta është se angazhimet ndaj NATO-s do të shtojnë edhe më shumë kontigjentin e ushtarëve tanë në zonat e nxehta të globit. Vetëm kaq. Të gjitha të tjerat janë marrëzira. Konsum për propagandë banale. NATO-ja ka vetëm detyra.
“Rrota e qerres” është një truk që e përdorin të gjithë politikanët, në pushtet apo në opozitë. Dëgjoni Edi Ramën që i bie kryq e tërthor Shqipërisë për të biseduar “gju më gju” me popullin, si dikur idhulli i tij dhe i Berishës, Enver Hoxha. Një “rrotë qerreje” e konsumuar qysh nga lashtësia. Po “piktori modern” aty ka mbetur, sepse kaq di. Është me shkollë tetëvjeçare. Aq. Se të gjithë ata që kanë mbaruar shkollat artistike nuk e kalojnë tetëvjeçaren, se më pas bëhet gallatë. Nuk duhet të na duket çudi kur dëgjojmë mufkat që këput, me një fjalor të varfër, me marrëzira të pafundme. Ky derëzi, duhet më parë të bëjë Tiranën që e ka lënë pas dore për të takuar fshatarët anembanë vendit, sepse për atë paguhet dhe pastaj të nisë të bëjë të gjithë Shqipërinë. Sepse Tirana është bërë qyteti i skëterrës, i krimit, i dhunës, i fukarallëkut dhe i pisllëkut, me rrugë copë-copë, me pallate ngjitur, të ndërtuara në kohën e drejtimit të tij të lavdishëm.
Një tjetër “rrotë qerreje” është kërcënimi me hapjen e dosjeve. Sa herë që politika është bosh me shfaqje vë në mes të skenës lojën e vjetër të kungulleshkave: të hapen apo mos të hapen dosjet. Fatalitet për këtë popull e për këtë vend, të mbërthyer nga oktapodi i Sigurimit të Shtetit, me tentakula edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Dhe poplli pret. I ziu, nuk është ngopur me gënjeshtra. Po kush t’i hapë dosjet? Të gjithë sigurimsat janë në pushtet dhe në opozitë, mbushin sallën e parlamentit, ministritë dhe gjithë administratën e lartë. Ata vendosin të hapen ose jo. Mirëpo, keni dëgjuar ndonjëherë që njeriu t’ia fusë vetvetes? Prandaj është e kotë kjo çështje. Sali Berisha po e “bën“ demokracinë me bijtë e Enverit dhe Ramizit. Pushteti është në duar të sigurta, në duart e rrufjanëve politikë që përgatiti diktatura. Hajde të shpëtosh prej tyre, se janë edhe bij nënash lozonjare edhe burra grash lozonjare.