E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi profesional, plan për punësimin

Nënshkruhet marrëveshja trepalëshe e punësimit

Një plan i ri pune, që synon vjeljen e informacionit, krijimin e të dhënave lidhur me atë që kërkohet sot nga tregu i punës do të hartohet me ndihmën e disa aktorëve.

Në planin e punës do të shihen krijimi i hapësirave për identifikimin e profesioneve me perspektivë, shqyrtimi i marrëveshjeve ekzistuese për negociata kolektive mbi çështjet e punësimit. Pjesë e këtij plani do të jetë krijimi i një strategjie veprimi për trajnime dhe stazh pune. Sistemi i informacionit të tregut të punës, analiza e tregut të punës, sistemi i standardeve profesionale do të shërbejnë për të përmirësuar aftësitë e forcave të punës dhe uljen e papunësisë.

Në bazë të partneritetit, qeveria, punëdhënësit dhe sindikatat do të punojnë bashkërisht për politika dhe sisteme në arsimin dhe formimin profesional, e nxitur nga korniza shqiptare e kualifikimeve, e cila, tashmë është miratuar në Kuvend.

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, dhe ministri i Punës, Spiro Ksera, nënshkruan “Marrëveshjen e partnerëve socialë për arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri. Kjo marrëveshje mbështetet nga Projekti CARDS AFP, i Bashkimit Europian, “Mbështetje për reformën në arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri”. Synimi i kësaj marrëveshjeje është që partnerët të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit për të përballuar tregun e punës dhe për të luftuar papunësinë. Kjo marrëveshje vendos bazat për drejtimin dhe punën që do të kryhet në ngritjen cilësore të arsimit dhe formimit profesional.

Qeveria shqiptare dhe organizatat e punëdhënësve dhe sindikatat nënshkruan këtë marrëveshje që ka në thelb një plan fillestar pune, nëpërmjet të cilit qeveria shqiptare dhe partnerët socialë do të punojnë për të identifikuar mundësi dhe masa për t’u ndërmarrë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›