Rrëshqitjet e tokës, pesë familje në çadra
Rrëshqet toka, shemben banesa dhe dëmtohet godina e Komunës Cukalat. Fenomeni natyror ka përfshirë prej disa ditësh të gjithë komunën, ndërkohë që gjendja më e rënduar paraqitet në fshatrat: Cukalat, çetë, Donofrosë, Slanicë, Krotinë, Allambres. Në këta fshatra, sipërfaqe të tëra toke kanë pësuar rrëshqitje dhe dëmtimet kanë qenë të shumta. Sipas kreut të komunës, Justi Zyka, janë dëmtuar dhjetë banesa, pesë prej të cilave janë dëmtuar krejtësisht dhe familjarët e tyre janë strehuar në çadra. Muharrem Dushku dhe bashkëshortja e tij janë një prej familjeve që tashmë është strehuar në çadër, pasi banesa e tyre është shembur krejtësisht. Ata janë shprehur se fillimisht kanë ndier lëkundje të lehta toke dhe më pas, shtëpia është shembur e gjitha, por fatmirësisht ata kanë mundur të dalin jashtë në kohë. Familjarët Dushku pohojnë se shembja e banesës u ka marrë me vete gjithçka që kishin ngritur gjatë gjithë jetës së tyre, ndërkohë që kanë bërë apel për ndihmë institucioneve shtetërore.
Ndërkohë dhe godina e Komunës Cukalat është dëmtuar plotësisht. Prej disa javësh godina kish pësuar çarje të mureve dhe administrata është detyruar t’u vendosë kyçet dyerve, pasi qëndrimi në godinë përbënte rrezik.
Kreu i komunës, Justi Zyka, ka kërkuar ndihmën e prefekturës, pasi punonjësit e administratës e kanë të pamundur të punojnë brenda godinës, pasi nuk u garantohet jeta. “Në këto kushte, kur muret janë hapur, ka pasur çarje në të gjitha zyrat dhe ambientet e brendshme, kemi vendosur që të nxjerrim nga godina të gjitha pajisjet, dokumentacionin dhe gjithçka tjetër që mund të shpëtohet. Gjithë situatën e kam bërë me dije në Ministrinë e Brendshme, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Tiranë, Prefekturës së Qarkut Berat dhe Këshillit të Qarkut. Tashmë kërkojnë që të aprovohet një fond për ndërtimin e një tjetër godine, pasi specialistët kanë pohuar se godina aktuale nuk mund të rikonstruktohet. Për të mos paralizuar aktivitetin e komunës mendojmë që të vendosemi në një godinë me qira në fshat, ose në disa prej klasave të shkollës nëntëvjeçare”, thotë kryetari i komunës.
#