E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borchardt: Politika përdor administratën në mitingje

“Bizneset që nuk financuan fushatën u kontrolluan”

Partitë politike në vend duhet të heqin dorë nga përdorimi i administratës shtetërore gjatë fushatave zgjedhore. Ky ishte apeli që erdhi dje nga ambasadori gjerman në Tiranë, Bernard Borchardt, gjatë prezantimit të fillimit të një projekti të financuar nga ambasada e Gjermanisë me temë, “Roli i politikës dhe administratës shtetërore ndaj punonjësve gjatë fushatës elektorale të 28 qershorit 2009”. Sipas Borchardt, gjatë fushatës së kaluar janë vërejtur raste të shumta presioni të bëra ndaj nëpunësve të administratës, si edhe ndaj biznesit në vend. Ambasadori gjerman theksoi se po kështu ishin të shumta rastet kur punonjësve civilë u dhanë udhëzime të prera për të marrë pjesë në veprimtari politike në kuadër të fushatës. Po kështu sipas Borchardt, partitë politike kërkuan edhe financim nga biznesi privat dhe madje penalizuan nëpërmjet organeve tatimore ato biznese të cilat nuk iu bindën.

“Presioni arriti deri në kërcënimin për pushim nga puna të atyre që refuzuan ta merrnin pjesë në aktivitete politike. Po kështu ato biznese që nuk pranuan të bëheshin palë dhe të financonin, u bënë objekt i kontrollit të organeve tatimore”, konkludoi ambasadori gjerman në fjalën e tij. Ambasadori gjithashtu theksoi se këto konstatime negative ishin pjesë edhe e raportit të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe janë dënuar me forcë nga ndërkombëtarët. “Edhe raporti i OSBE/ODIHR, lidhur me zgjedhjet parlamentare citonte shumë kritika lidhur me pjesëmarrjen e shumë nëpunësve në aktivitete partiake. Vëzhguesit e zgjedhje mundën të verifikonin vetëm disa. OSBE/ODIHR, shkruante se përmirësimet substanciale të vëna re gjatë zgjedhjeve u errësuan nga hija e parregullsive gjatë fushatës”, kujtoi ambasadori gjerman. Këto konkluzione Borchardt i konsideroi si tepër kritike dhe u bëri thirrje partive politike në vend të eliminonin këto praktika gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme lokale. Sipas përfaqësuesit të Gjermanisë në vendin tonë, Shqipëria nuk mund të vijojë më me këto probleme edhe nisur nga fakti se tashmë ajo është një vend anëtar i NATO-s dhe aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

“Ky fenomen tejet problematik, nuk duhet të ketë vend në një shtet demokratik dhe anëtar të NATO-s. I bëj thirrje Parlamentit dhe qeverisë shqiptare që të marrë masa në mënyrë që të eliminojë praktika të tilla në kohën e duhur përpara zgjedhjeve”, bëri thirrje ambasadori gjerman në Tiranë. Por ai theksoi se këto deklarata nuk i adresoheshin një partie të vetme, por të gjithë pushtetarëve në nivel lokal e kombëtar. Pak ditë më parë ambasadori i Gjermanisë, foli edhe për shkarkimet politike që ishin kryer në vend pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Sipas tij, konkurset për vendet e lira të punës, janë fiktive dhe po kështu në administratën publike janë emëruar nëpunës, të cilët nuk kanë kryer një konkurs për vendin e tyre të punës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›