E rrahu me shkop, pastaj e qëlloi me pistoletë
Jovan Angjo rrëfen ngjarjen makabër, kur vajza që kishin adoptuar 29 vjet më parë i vrau gruan në sy të tij
POGRADEC - Kanë kaluar vetëm 24 orë nga ngjarja tragjike, kur një 29-vjeçare vrau nënën e saj birësuese dhe tronditja është ende e madhe në familjen Angjo në Pogradec. I trishtuar dhe njëkohësisht i tronditur për humbjen në këtë mënyrë të papritur të bashkëshortes së tij, Jovan Angjo rrëfen mëngjesin e kobshëm kur nga kërkesa për të pirë duhan, marrëdhënia me vajzën e birësuar përfundoi me përdorimin e armës.
“Në orën 3 e gjysmë të natës është ngritur dhe më ka kërkuar cigare, tregon 67-vjeçari. I dhashë dy cigare, pas rreth një ore ka ardhur prapë. Kësaj radhe i dhashë gjithë paketën. Pasi i piu cigaret filloi të përdorte dhunë karshi gruas. Mori një shkop dhe nisi ta godiste në trup. Unë ndërhyra, duke shmangur goditjet. Më pas vajti mori pistoletën dhe qëlloi gruan në zemër. Unë për vete as që nuk e dija se ajo kishte pistoletë”, thotë Jovani.
I tronditur, 67-vjeçari pranon se ai dhe bashkëshortja e tij, Shpresa, ishin në dijeni që vajza konsumonte alkool, madje sipas tij, situatat degjeneronin deri në sherr, për të cilat ishte njoftuar edhe policia. Jovani thotë se natën e krimit Anila nuk kishte dalë fare nga banesa dhe nuk kishte konsumuar alkool, duke e konsideruar krimin të paramenduar.
Burri i moshuar rrëfen gjithashtu, se vajza nuk kishte asnjë arsye për t’u ndjerë keq, pasi ai vetë i kishte gjetur familjen biologjike. Origjina e 29-vjeçares Anila Angjo ishte nga Tropoja dhe ajo vetë ishte adoptuar në moshën njëvjeçare, duke u transferuar nga Brefotrofi i Shkodrës, ku e kishin lënë prindërit e saj biologjikë.
Ndërkaq, vetëm 24 orë pas krimit, pikërisht dje, Gjykata e Pogradecit mori në shqyrtim masën e sigurisë për Anila Angjon. Gjykatësi miratoi kërkesën e prokurorit të çështjes për masën e arrestit burg pa afat, ndërsa vetë e pandehura ka deklaruar në seancë gjyqësore se e ka kryer vrasjen në kushtet e depresionit.
Tropojë
Ndalohet 52-vjeçari për kanosje me pistoletë
TROPOJë - Policia lokale e Tropojës ka arrestuar në flagrancë shtetasin Rexhep Hysenuka, 52 vjeç, nga fshati Kërrnajë të këtij rrethi ,pasi kishte kanosur me armë një shtetas të këtij fshati me emrin B. Gabja. Ngjarja ka ndodhur të martën në mesditë në qytetin e Bajram Currit, kur të dy bashkëfshatarët janë grindur për shkaqe që, siç thuhet, kanë qenë të çastit, dhe ku Hysenuka ka nxjerrë pistoletën e tipit TT dhe e ka kërcënuar Gabjen se do ta vriste. Ka qenë vetë Gabja, i cili ka njoftuar menjëherë policinë, ku më pas një grup i efektivit të gatshëm e ka ndjekur Hysenukën, derisa e ka arrestuar. I akuzuari ishte përpjekur t’i shmangej policisë dhe arrestimi tij është bërë në tentativë për të ikur. Policia tregon se është sekuestruar edhe arma e kanosjes, një pistoletë TT me disa fishekë në të. Drejtori i policisë së Kukësit, Ali Elezi, ka deklaruar për "Korrierin", se forcat e policisë janë njoftuar për këtë ngjarje nga i kërcënuari. Ky i fundit ka deklaruar për grupin hetimor, se 52-vjeçari si fillim i ka bërë presion e më pas ka nxjerrë armën për ta kërcënuar pas një sherri banal. Gabja pas kryerjes së veprimit është larguar nga vendi i ngjarjes, por informacionet e marra kanë bërë që policia ta ndjekë deri pranë një banese, tek e cila ai synonte të fshihej. 52 vjeçari do të përballet para drejtësisë me akuzat e kanosjes dhe me atë të armëmbajtjes pa leje.
F.Tota