E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telemjekësia, kapen vetëm tri raste problematike

Vetëm për tri gra shtatzëna mjekët shqiptarë kanë kërkuar ndihmën e kolegëve italianë. Duke përdorur telemjekësinë, konsulta mjekësore është kryer nga dy palë mjekë në të njëjtën kohë. Rubena Moisiu, drejtore e Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, thotë se telemjekësia është përdorur vetëm për rastet e dyshuara se nënat shtatzëna po lindin fëmijë me anomali apo sëmundje të zemrës.
Rastet
E instaluar për herë të parë në muajin nëntor të vitit të kaluar në maternitetin e ri, telemjekësia bën të mundur konsultimin e drejtpërdrejtë me mjekët italianë për diagnostikimin e nënave shtatzëna dhe të anomalive të lindura tek fëmijët neonatalë të lidhura veçanërisht me sëmundjet e zemrës. Drejtorja Moisiu thotë për “standard”: “Realisht ka pasur pak raste të cilat ka qenë e nevojshme telemjekësia, kjo edhe për shkak se jo të gjithë u drejtohen spitaleve publike. Janë trajtuar vetëm rastet që mjekët obstetër-gjinekolog kanë pasur dyshime të forta”. Në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” telemjekësia kryhet nga gjashtë mjekë, sipas Moisiut, në mes të muajit shkurt do të vijë një tjetër ekip me mjekë italianë për të trajnuar mjekë të tjerë shqiptarë për mënyrën e kryerjes sa më të saktë të procesit të telemjekësisë.
Telemjekësia
Telemjekësia është e vendosur në një dhomë të maternitetit. Kjo aparaturë lejon diagnostikimin e pacientes në të njëjtën kohë nga dy palë mjekë, në rastin tonë nga mjekët shqiptarë dhe nga ata italianë. Kjo aparaturë u vendos në Shqipëri në një maternitet, në mënyrë që të diagnostikohen fëmijët para se ata të lindin. Kështu dalin në pah jo vetëm problemet kardiake të të porsalindurve, por edhe keqformime të trakesë, ezofagut dhe diafragmës. Përmes një sistemi të tillë mjekët kanë mundësinë që të marrin pjesë direkt në ekzaminimin e rastit. Kështu favorizohen një sërë grupesh që kanë probleme të tilla si keqformime që mund të korrigjohen me ndërhyrje kirurgjikale menjëherë pas lindjes apo kardiopati kongjenitale, duke bashkëpunuar të dyja palët, si mjekët shqiptarë që asistojnë direkt në sallë ashtu edhe mjekët italianë me anë të teknologjisë. Gjithashtu me anë të këtij instalimi për herë të parë në Tiranë do të bëhet i mundur transmetimi online i konferencave, si me Italinë, ashtu edhe me Serbinë dhe Kroacinë. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të bëhen edhe shkëmbime informacioni online me të gjitha këto shtete. Bashkëpunimi mes rajonit të Toskanës dhe vendit tonë vijon prej vitesh dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi shumë fëmijë shqiptarë janë kuruar në spitalet e Toskanës, veçanërisht në Spitalin Pediatrik “A. Meyer” të Firences. Në kuadër të këtij projekti do të krijohen kushtet për shkëmbimin e eksperiencave midis mjekëve të dy vendeve, ndërsa do të zhvillohen edhe kurse trajnimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›