Arsyet e G-20 për të shpëtuar gazetarinë
Roger Graef ka të drejtë të përgëzojë fuqizimin e komuniteteve për vëzhgimin e policisë nga qytetarët gjatë protestave të G-20, ku kamerat e qytetarëve të thjeshtë ofruan një transparencë shumë të nevojshme. Kjo gjë merr më shumë rëndësi, kur kemi parasysh raportet që gazetarët profesionistë nuk u lejuan të bënin punën e tyre më 1 prill.
Pavarësisht nga dyshimi që disa gazetarë profesionistë ndiejnë ndaj kolegëve të tyre amatorë, qartazi mediat profesionale dhe ato të qytetarëve punuan bashkë gjatë G-20. Historia e vjetër e gazetarëve të Sheffieldit, të cilët filluan të shesin patate, lakra dhe rrepa me çmim shumë të ulët jashtë shitores së një shitësi me nam të keq, sepse i jepte punëdhënësit të tyre raporte sporti falas, është pjesë e historisë paradixhitale. Tani ekzistojnë kërcënime më të mëdha. Një çështje tjetër e theksuar nga vdekja e Tomlinsonit është se shumica e raportimeve fillestare ishin të tmerrshme, e dëshmuar nga gatishmëria e shumë seksioneve të mediave profesionale që të prezantojnë versione “zyrtare”. Me të gjitha përparësitë që kanë, kamerat e qytetarëve nuk janë ilaç për të gjitha të këqijat. Nuk mund ta zëvendësojnë vigjilencën dhe këmbënguljen e raportimit të mirë hulumtues, ashtu siç u tregua nga përdorimi i fotografive dhe xhirimeve të Tomlinsonit nga “The Guardian”. Kjo ishte hulumtuar dhe verifikuar nga gazetarët, zbulimet e të cilëve e ndryshuan këndin e raportimeve nga gazetat dhe mediat e tjera. Këta reporterë këmbëngulën, pavarësisht nga kritikat prej Komisionit të Pavarur të Ankesave të Policisë (IPCC) se po e “shqetësonin” familjen e Tomlinsonit dhe deklarata e IPCC se “nuk kishte asgjë në atë histori”. Familja më vonë shprehu mirënjohje për këtë raportim. Nën kodin e ri të praktikës së gazetarëve, një gazetar duhet “tërë kohën të përpiqet të eliminojë shtrembërimin, shtypjen e lajmit dhe censurimin”.
Këtu e vërteta po del, pavarësisht se disa gazetarë në fillim pranuan deklaratat zyrtare. Por standardet gazetareske po bien, sepse ka pakësim të gjerë. Punët po humben, pavarësisht nga profitet e shëndosha. Ata gazetarë që mbeten në mediat rajonale shpesh janë të lidhur pas tastierës dhe telefonit, duke riprodhuar publikimet e lajmeve, njëlloj si shumica e seksioneve të mediave që publikuan sërish trillimin se Tomlinson kishte qenë një demonstrues i G-20 dhe e përsëritën si fakt një deklaratë të policisë që ndihma e shpejtë nuk mund të jepte mjekimin, sepse po sulmohej nga “predhat”. Ekziston një tkurrje e vërtetë e gazetave kombëtare dhe shumë gazetave të mbrëmjes që përpara kanë prodhuar disa edicione, të mbushura me lajme të freskëta dhe ndryshuese, e që tani kryesisht shkruhen një ditë më herët. Kjo ndodh për shkak të nxjerrjes së fitimeve prej miliarda sterlinash për aksionerë dhe drejtorë nga gazetat rajonale.
Asgjë nuk e pengon kapacitetin e mediave profesionale që të mbajnë publikun të informuar më shumë sesa zvogëlimi i vendeve të punës dhe standardeve. Gazetaria po nënçmohet seriozisht, megjithatë punëdhënësit po kërkojnë zbutjen e rregullave të monopolit për të mundësuar shkrije të mëtejshme dhe të zvogëlojnë konkurrencën. Fushata “Çohu për Gazetarinë” po thekson shkatërrimin e këtij profesioni, i shkaktuar nga kërkesat e vazhdueshme për fitime të majme.
Fushata ka nevojë për përkrahjen e të gjithë atyre që e çmojnë principin e lirisë së shtypit dhe që kërkojnë të ruajnë gazetarinë cilësore.