E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, afër dhe larg

Nga Xhovani Shyti

Ekstremiteti kuptimor i fjalëve “afër” dhe “larg” duket i pakuptimtë, kur çdo ditë që shkon nuk bën tjetër veçse e përqas kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare 2009, mirëpo kjo është e vërtetë vetëm në rrafshin kalendarik. Pra, në faktin që deri në datën 28 qershor kanë mbetur edhe rreth dy muaj, pasi mundësia e përmbushjes së standardeve që do të garantonin mbajtjen e zgjedhjeve sipas parametrave ligjorë duket e largët. Madje, akoma më të largët e bën këtë mundësi mosmarrëveshja e dy kampeve të politikës lidhur me pajisjen e votuesve me karta identiteti, që sakaq është shndërruar në një hendek të pakapërcyeshëm. E themi këtë nisur nga diskordanca që vihet re për këtë proces kyç të mbajtjes së votimeve të 28 qershorit. Një diskordancë që bëhet e frikshme, ngaqë dialogu duket i mbyllur në pikën kur ultimativisht pozita i ka thënë “Jo” kërkesës këmbëngulëse të opozitës për faljen e letërnjoftimeve personave në nevojë. Për pozitën qeverisëse ky proces konsiderohet i mbyllur, ndërkohë që për opozitën përbën kyçin për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, pra fillimin e dialogut të mëtejshëm midis palëve. Përse ka ndodhur kjo dhe cila do të ishte lëvizja që mund të sillte zgjidhjen? Sekretin e ardhjes së një situate të tillë e gjen, po të kthehesh pas në kohë e të ndjekësh zhvillimin e zgjedhjeve të bëra pas viteve postkomuniste. Vetë historiku i mbajtjes së proceseve zgjedhore, nga viti 1991 deri në 2007, është i frikshëm, i zhvilluar midis betejash për jetë a vdekje midis palëve, dhe jo si në një ndeshje futbolli. Në këtë historik të trishtë zgjedhor post ’90 ndesh të kenë qenë manipulatorë dhe zhvatës votash pjesëtarë të forcave të Policisë së Shtetit, zyrtarë të gjendjeve civile, anëtarë komisionesh zgjedhore, hartues listash dhe shpërndarës dokumentesh zgjedhore, rrahës të devotshëm, ministra, zv/ministra, kryeministra, kryetarë partish, drejtorë drejtorish, biznesmenë etj., kategori sociale. Gjen po ashtu manipulime me të vdekur e të ikur jashtë vendit, me certifikata false, me minorenë të rritur artificialisht në moshë, por të regjistruar e të afishuar në listat zgjedhore... Gjen ushtrimin e terrorit e dhunës shtetërore, të rrahur barbarisht e të vrarë... Gjen atentatorë dhe viktima të shpëtuar nga rastësia... Ndesh një praktikë manipulative të kthyer në industri, që ka prodhuar gjithmonë heronj e fitore dhe asnjëherë grabitës votash, prishës procesesh e ndëshkim sipas ligjit. Është një praktikë që, duke përjashtuar votimet e mbajtura më 22 marsin e vitit 1992 (të vetmet që kanë prodhuar zgjedhje), tregon se, kush ka pushtetin, ka në xhep fitoren. Një fitore që ka rrjedhur pikërisht prej shfrytëzimit të rrugëve manipulative që përfshijnë vënien e pushtetit në shërbim të fitores, por në dëm të votës së lirë. Të dy kampet e politikës e kanë provuar këtë shije, ndaj dhe ia dinë sekretin rrugëve të fitores. Kryeministri Berisha, si mjeshtër dhe arkitekt i kësaj metodologjie, e ka të qartë se pajisja me karta identiteti është një mundësi më pak për fitore. Ajo i mbyll shtegun hedhjes në veprim të fletëvotimeve të parapërgatitura me fitore, blerjes së komisionarëve etj., veprimeve antiligjore të ndodhura më parë. Për të dhe shpurën e zyrtarëve të sprovuar për manipulime nëpër proceset e shkuara zgjedhore, të votohet me karta identiteti në zgjedhjet e 28 qershorit, do të thotë t’i japësh palës opozitare mundësi verifikimi, pra kontroll të rreptë ndaj një fitoreje të manipuluar. Këtë e di mirë pozita që kundërshton ultimativisht, sikurse e di po aq mirë edhe opozita e majtë, që ngul këmbë te pajisja me karta e të gjithë atyre që nuk kanë pasaporta, që për Edi Ramën do të thotë se ata vërtet do të përjashtohen nga votimi, por jo se nuk do të hedhin fletën në kutinë e votimit. Veçse, sigurisht, jo me dorën e tyre.

E ndodhur në këtë pikë kulmore konfliktualiteti, politika shqiptare nuk jep shpresa për zgjidhje, pa ndërhyrje të një pale të tretë, mundësisht të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›