E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha blen vizitën në Francë me 17 helikopterë ushtarakë

Nga Enton Palushi

Qëllimi i vizitës së kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, në Francë, është lobimi i qartë për të blerë 17 helikopterë ushtarakë nga një kompani franceze. Lajmin e bëjnë të ditura mediet franceze. Një raport i agjencisë Reuters, së cilës i referohet dhe revista e mirënjohur franceze “L’Express”, thekson se për këtë qëllim është mbajtur dhe takimi në pallatin presidencial.

Sipas saj, kompania Eurocopter, një kompani me shumicë aksionesh të shtetit francez, synon marrjen e këtyre helikopterëve, që Shqipëria ka planifikuar t’i blejë pas anëtarësimit në NATO. Ajo çka është e rëndësishme, është që në garë janë tri kompani, Eurocopter, për të cilën lobojnë francezët, Agusta, një kompani italiane që i përket grupit Finmeccania, dhe kompania amerikane Sikorski që i përket grupit United Technologies.

Siç raporton “L’Express”, Eurocopter e dëshiron këtë tender, pasi bëhet fjalë për një shumë të majmë, e cila është parashikuar tashmë në buxhet.

“Presidenti francez dhe Sali Berisha ranë dakord veç të tjerash që të intensifikojnë marrëdhëniet ekonomike mes Parisit dhe Tiranës, që janë pak të zhvilluara, dhe Nicolas Sarkozy nënvizoi rëndësinë, nisur nga ambiciet evropiane të Shqipërisë, e projektit të blerjes së 17 helikopterëve ushtarakë.

Eurocopter, filiali i EADS, është në garë për këtë kontratë të shumëdëshiruar edhe nga italianët e Agusta (grupi Finmeccanica) dhe amerikanët e Sikorsky (filial i grupit United Technologies)”, - raporton “L’Express”.

Kryeministri, Sali Berisha, e ka përdorur kështu këtë vizitë për të marrë mbështetje nga Franca, një vend i rëndësishëm i BE, në prag të aplikimit për marrjen e statusit kandidat.

Gjithçka është pjesë e një historie të qartë lobimi që nis që nga marrëdhëniet e mira me ambasadoren franceze. Prej kohësh në valët e televizionit kombëtar “Klan”, një televizion nën ndikimin absolut të kryeministrit, Sali Berisha, transmetohet një spot i kompanisë Eurocopter, e cila synon të sjellë helikopterët ushtarakë në Shqipëri.

Përdorimi elektoral i një vizite

Që një takim mes kryeministrit shqiptar dhe presidentit francez nuk përjetohet njësoj, si në Shqipëri, ashtu dhe në Francë, kjo është afërmendsh.

Që një takim i tillë të përdoret sidomos në prag-fushate, sidomos nga vende të botës së tretë si Shqipëria, edhe kjo nuk do shumë për t’u kuptuar.

Që Shqipërisë i duhet një mbështetje nga një vend i njohur evropian tani që bën aplikimin për në BE, dhe kjo është dihet, për shkak se evropianët e kanë kundërshtuar ashpër aplikimin, duke e quajtur lëvizje elektorale.

Që asnjë palë nuk thotë zyrtarisht asgjë konkrete për takimin, edhe kjo është më se e qartë.

Që Berisha do takohet me presidentin francez, Sarkozy, kjo dihet prej ditësh, e madje termi tête-à-tête na është bërë refren.

Por shihni njoftimet zyrtare të Presidencës franceze dhe Kryeministrisë shqiptare për të kuptuar se si përdoret ky takim nga pala shqiptare. Fjalë të tilla si fuqimisht, plotësisht, ngrohtësisht, historik mbizotërojnë në të paktën 6 paragrafët e parë të njoftimit me 14 paragrafë. Njoftimi i palës franceze ka vetëm një të tillë.

Njoftimi i Presidencës franceze

Bisedë me zotin Sali Berisha, kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Presidenti i Republikës, Sarkozy, priti kryeministrin e Shqipërisë, Berisha, të premten në 24 prill në orën 5 e gjysmë në pallatin Élysée. Biseda u bazua kryesisht në marrëdhëniet e Francës me Shqipërinë dhe në perspektivën e bashkëpunimit. Çështjet evropiane dhe rajonale zunë vend, teksa Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit mes Shqipërisë dhe BE ka hyrë në fuqi më 1 prill dhe Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s në samitin e Strasburg-Kehl-it më 3-4 prill të këtij viti.

Njoftimi i Kryeministrisë shqiptare

Presidenti Sarkozy mbështet plotësisht kryeministrin Berisha

- Presidenti Sarkozy: Franca mbështet fuqimisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe e mbështet statusin e vendit kandidat të saj në BE

Kryeministri Berisha u prit sot në një takim nga Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, në pallatin Élysée.

Presidenti Sarkozy, pasi i uroi mirëseardhjen kryeministrit Berisha, e falënderoi që iu përgjigj ftesës së tij për të vizituar Élysée dhe i uroi mirëseardhjen në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke i shprehur edhe mirënjohjen dhe falënderimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë me forcat e saj përkrah NATO-s në operacionet e saj, si dhe përkrah forcave të Kombeve të Bashkuara në Çad.

Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi presidentin Sarkozy për pritjen dhe takimin e ngrohtë e miqësor, u shpreh se takimi mes tyre është një hap i rëndësishëm historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Presidenti Sarkozy i shprehu kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shqipëria, në mënyrë të qartë, do të jetë anëtare e BE dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. Franca, u shpreh Presidenti Sarkozy, e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE.

Kryeministri Berisha falënderoi presidentin francez për mbështetjen e qartë që i jep integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar faktin se 96 për qind e shqiptarëve e mbështet integrimin në BE dhe kjo bën që ky proces të jetë i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm.

Presidenti Sarkozy u shpreh se të gjitha arritjet e Shqipërisë janë plotësisht të merituara, pasi asnjë vend tjetër sa Shqipëria, nuk ka vuajtur nga një diktaturë aq mizore.

Edi Paloka: Berisha në Francë për të treguar si ruhet rritja ekonomike pozitive

Që kur lajmi se Shqipëria do ketë rritje pozitive në rajon është përhapur në gjithë botën, deputetët e djathtë s’po lënë vend pa treguar me krenari një gjë të tillë. Edhe pse rritja do jetë 0.4 për qind, sërish ata janë të gëzuar. Madje, njëri prej tyre, deputeti Edi Paloka, duke folur në një emision televiziv, tha se kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ndodhet në Francë pikërisht për këtë arsye, për t’u dhënë një leksion liderëve franceze se si të drejtojnë ekonominë e tyre.

Dy ditë më parë, kryeministri, Sali Berisha, sulmoi ashpër FMN, duke theksuar se ajo po i zhyt vendet në varfëri, duke lënë të nënkuptohet se largimi i saj lidhej pikërisht me këtë çështje.

Vende në zhvillim, si Kina dhe India, parashikojnë gjithashtu rritje pozitive, por janë jashtëzakonisht të theksuara se kanë megjithatë rënie prej disa pikësh në rritjen ekonomike. Por në Shqipëri, edhe pse pritet që rënia të jetë drastike për ekonominë, askush nuk flet për këtë çështje. Rëndësi ka që rritja të jetë pozitive. Edhe pse 0.4.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›