Arsyet që na çojnë te Topalli
Debatit që kishte nisur prej kohësh për zgje-dhjen e Presidentit të ri i dha një impuls real vetofrimi i ish-kryeministrit Nano. Si kurrë më parë, Nano zgjodhi një gjuhë kritike për të gjitha palët, duke hedhur një kandidaturë reale për të qenë mbi palët. Përballë këtij vetofrimi, shefi i maxhorancës, që ka dhe shanset më të mëdha për një mbështetje reale të një emri, ka vijuar këmbënguljen se do të mbështesë një kandidaturë nga figurat kryesore në PD. Dhe të gjitha shigjetat duket se kanë të bëjnë me një emër: Jozefina Topallin. Por sa shanse kanë këta dy kandidatë, njëri i vetëshpallur, ndërsa tjetri i mbështetur deri më tani nga shumë emra të PD-së? E, për më tepër, çfarë i ndan dhe çfarë i bashkon këto dy figura dhe cilat janë arsyet që mund të kundërshtojmë njërin e të mbështesim tjetrin, nëse mbetemi vetëm te këta dy emra?Pikësëpari duhet pranuar se Nano e vuri debatin për Presidentin në një shinë rivaliteti, që është, gjithsesi, pozitiv për emrin e ardhshëm, pasi qytetarët kanë nevojë ta njohin kreun e ardhshëm të shtetit. Dhe ky është një hap i mirë për të shmangur zgjedhjet spontane, siç ka ndodhur që nga befasia Meidani, më pas superbefasia Moisiu e së fundi edhe Topi, i cili në fund të mandatit duket se nuk ka asnjë lidhje me ato që u thanë për të në momentin e zgjedhjes, nga vetë ai apo nga ata që e mbështetën.
Por le të kthehemi te këta dy emra. Më së pari te Nano, i cili u shfaq me alternativat e tij. Parimisht do të isha dakord me gjithçka që ofroi. Por ai është një ish-kryeministër me një të shkuar mjaft kontradiktore, me ulje-ngritje marrëdhëniesh, i akuzuar, por jo i shfajësuar përballë publikut lidhur me ato që i janë thënë. Për më tepër, po tu referohemi viteve të tij si Kryeministër, pavarësisht përpjekjeve për vendosjen e një shtetit ligjor, kemi edhe instalimin e një korrupsioni me pasoja të rënda për demokracinë. Dhe, duke qenë se në atë kohë ai kontrollonte apo propozonte ish-drejtuesit e shtetit, do të thotë se ai në asnjë mënyrë nuk shmanget nga përgjegjësia mbi kërcënimin që iu bë demokracisë nga korrupsioni dhe dështimi i sistemit të drejtësisë. Ndërkaq, nga ana tjetër, Jozefina Topalli, pavarësisht kontestimeve të opozitës si spikere në Kuvend, është një figurë për të cilën akuzat thuajse nuk ekzistojnë. Edhe në qoftë se pesha e akuzave për PD-në vijojnë ti mbeten Berishës, Jozefina Topalli ka pasur fatin ta rrisë figurën e saj politike për rreth 12 vjet, fillimisht si nënkryetare e më pas si kryetare e Kuvendit, duke ndërtuar një profil ndryshe. Nuk dua këtu të shkoj në hullinë e atyre që kërkojnë një grua, pasi debati më pas nuk do të ishte shumë i vërtetë për figurën e saj. Por është e rëndësishme të themi se rastet e akuzave për gratë në institucione ka qenë gjithnjë me shanse më të vogla. Nga ana tjetër, ne kemi nevojë për një kryetar shteti që të promovojë vlera publike, vullnetarizmin, humanizmin, rëndësinë e vlerësimeve morale që bën kreu i shtetit, pa harruar këtu rëndësinë që ndërmerr për Drejtësinë. Dhe Topalli ka treguar se është angazhuar për mjaft aktivitete publike e, për më tepër, i përket edhe një shtrese ish-të persekutuarish, të cilët vijojnë pas shumë vitesh të mos mund të rishohin moralisht dënimin e së shkuarës dhe vlerësimin e tyre ndaj asaj që shoqëria i detyrohet moralisht. Por ky nuk është argument kryesor i asaj që na dërgon drejt figurës së Topallit.
Pa dyshim që do të ishte mirë që, nëse aspiron edhe ajo për në krye të shtetit, të bëjë publike qëndrimet e saj, pasi publiku ka nevojë ta dëgjojë edhe për disa gjëra që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, me besimin, me Gjyqësorin, apo edhe me debate parimore të të drejtave për abortin apo kontrollin shëndetësor, për të cilat një pjesë e shoqërisë është e interesuar të dëgjojë. Natyrisht, ne jemi republikë parlamentare dhe Presidenti ka kufizimet e veta në sistemin qeverisës. Por morali që mund të përçojë mund të jetë inkurajues ose dekurajues. Pikërisht këtu Nano e ka të humbur betejën me kurajën, pasi do të ishte cinike të besonim se ai nuk ka asnjë lidhje me atë që i është adresuar. Përndryshe, duhet të hapim debatin se jemi një shoqëri me një hipokrizi të thellë dhe ti drejtohemi atij me kërkesën e ndjesës. Duke mbetur hipotezë kjo e fundit, duket se arsyet të çojnë drejt Topallit. Është kjo e fundit që duhet të shprehë hapur nëse do të kundërshtonte një ide të tillë. Por tashmë që Nano ka hedhur kandidaturën, çdo figurë tjetër në PD do të ngjante më shumë si një rënie dakord për humbje, sesa për fitore. Ne kemi nevojë për një kthim të kurajës si arma më e vlefshme e çdo shoqërie për të besuar në ndryshim. Ndaj dhe duhet të mbështesim një figurë që të paktën na lë të shpresojmë më shumë në këtë drejtim.
