E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria pas 10 vjetësh

ERMAL HASIMJA

Ndryshimi nuk është as cilësi e as pasojë e domosdoshme e rrjedhjes së kohës. Ndryshimi ndodh kur ndryshojnë shkaqet që deri në atë moment japin të njëjtat pasoja. Për këtë arsye, nëse pas 10 vjetësh Shqipëria do të jetë ndryshe, do të duhet të vërenim që sot procesin e ndryshimit të shkaqeve të situatës në të cilën ndodhemi sot.  Në tekstin e mëposhtëm kam renditur disa nga faktorët që ndikojnë më tepër në proceset e ndryshimit demokratik të një vendi. Siç do ta vëreni, tabloja nuk është edhe aq optimiste.
Trashëgimia politike.
Pas 10 vjetësh, sipas të gjitha gjasave, votuesit shqiptarë do të kenë konsoliduar mosbesimin e tyre tek elitat politike, sidomos në kushtet kur ajo nuk pritet të ndryshojë në mënyrë radikale. Edi Rama është ende në fillimet e karrierës, ndërsa Berisha, nëse Zoti nuk e ka mendjen sa duhet, mund të jetë përsëri një faktor kyç, qoftë personalisht, qoftë përmes të deleguarve. E njëjta gjë për drejtues të tjerë të partive më të vogla, të dalë të gjithë nga e njëjta shkollë. Gjithsesi, të dyja partitë kryesore janë krejtësisht krijesa të këtyre dy personazheve. E vetmja rrugë e njohur dhe e shpërblyer e qeverisjes afatgjatë deri më sot është ajo e përuruar nga Berisha dhe e zbatuar nga Rama: kontrolli i personalizuar i partisë. Për më tepër, edhe nëse Berisha, Rama, Meta e të tjerë largohen nga skena, as imagjinata më optimiste nuk arrin të gjejë sot mjaftueshëm personazhe virtuoze e të virtytshme për të mbushur vendin që do të linin. Përkundrazi, ose do ti hapin rrugën kopjeve mediokre të tyre, ose demagogëve populistë që do të shfrytëzojnë pellgjet e fundit të shpresave të votuesve naivë.
Sistemi klientelist mbi të cilin mbështetet vota në Shqipëri, por edhe qeverisja e vendit, nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar. Ajo që kemi parë në këto vite është ose thjesht zëvendësimi i një klientele nga një tjetër kur kjo e para e ka tepruar dhe nuk ka çfarë të ofrojë, ose sofistikimi i sistemit, gjë që gjithsesi nuk e bën as të padukshëm e as të pandjeshëm. Nga ana tjetër, në kushtet kur rritja ekonomike ngadalësohet, pavarësisht se i afrohemi çdo vit e më vrullshëm rekordeve botërore të zhvillimit, klientelizmi nuk do të priret të dobësohet, por përkundrazi, të përforcohet. Klientelizmi është simptomë kryesisht e shoqërive në të cilat ekonomia nuk është në gjendje ti kënaqë të gjithë ose të paktën të bëjë të shpresojnë të gjithë. Më pak zhvillim, më tepër klientelizëm.
Përsa u përket reflekseve politike të trashëguara, 10 vjet do të jenë shumë pak për të çrrënjosur teorinë përligjëse se kjo është politika, gjë që lejon gjithçka, me kusht që të sqarohet teorikisht dhe rrëfehet me pak sinqeritet në tryezën e Fevziut.
Elitat
Çdo popull ka përfaqësuesit që meriton. Le të jemi të ndershëm: të vetmit përfaqësues tanët që janë mbi nivelin e votuesit mesatar… janë zyrtarët e Ambasadës Amerikane. Në këtë vend as Zoti nuk ka aq ndikim sa ambasadori amerikan… gjithmonë nëse ambasadori ekziston. Fatmirësisht dhe fatkeqësisht. Fatmirësisht: sepse ambasadori mund të na mbrojë nga oreksi i përfaqësuesve tanë për pushtet. Fatkeqësisht: sepse këto ndërhyrje trajtojnë simptomat e problemit, por nuk mund të zgjidhin rrënjët e tij dhe, për më tepër, krijojnë një varësi paternaliste mbytëse.
Shpresat për ndryshimin e elitës zakonisht nënkuptojnë njerëz të rinj. Gati-gati mosha fetishizohet dhe sekreti duket sikur është biologjik. Por le ti shohim gjërat në sy. Një 50 apo 60-vjeçar i sotëm ka shumë mundësi të ketë kapur brezin e fundit për të cilin vlerat morale dhe komunitare shqiptare kishin njëfarë kuptimi. 30-vjeçarët e sotëm, krejt ndryshe prej tyre, janë rritur kryesisht me vlerat e mbijetesës të ngritura në epokën e tollonave. Atëherë, përse mund të shpresojmë më tepër integritet moral e përgjegjshmëri publike nga njerëz të rritur në vakum vlerash të tilla? Dikush mund të thotë se ndryshimin e bën shkollimi në Perëndim. Nuk besoj. Sa prej diktatorëve të sotëm botërorë në Afrikë e Azi nuk kanë studiuar në Perëndim? Në vitet 70, kur pyeteshin përse shkonin në Francë apo Angli, këta njerëz përgjigjeshin: Po shkoj të studioj për ministër. Dhe nëse udhëheqësia e deritanishme shqiptare na duket problematike, vlen edhe pyetja: sa prej udhëheqësve tanë të 100 viteve të fundit nuk kanë studiuar në shkollat më të mira të kohës së tyre?
E pra, miti i rinisë si burim rigjenerimi i elitës nuk lë vend për shumë shpresa.
Kultura politike
Efektet e kulturës politike, natyrisht, nuk janë të pavarura prej faktorëve të tjerë. Për shembull, thënia Fukarallëk, maskarallëk është plotësisht e vlefshme në shpjegimin e çmimit të votës ose tenderit në Shqipëri. Një popull i varfër do të shitet më lirë. Një qytetar i varfër do të gëlltisë më lehtë pushimin nga puna të dikujt tjetër për ti zënë vendin vetë.
Problemi strukturohet në trajtën e një qarku të mbyllur. Një nivel i ulët i kulturës dhe përgjegjshmërisë politike të qytetarit kushtëzon një nivel të ulët të profilit të politikanit. Ligjërimi politik i politikanit në Shqipëri ndërtohet mbi matjen e tregut zgjedhor. Këtu vlen maksima: Kështu e do populli. Cilido që ka ndjekur apo marrë pjesë në një fushatë zgjedhore, mund të marrë me mend lehtësisht sa është e mundur sot të flasësh me votues individualë apo gruporë pa bërë premtime që do të rezultojnë ose premtime klienteliste, ose mashtrime elektorale. Për këtë arsye, puna e përditshme e zyrtarit politik dhe sidomos deputetit, përfshin zgjidhjen e halleve të qytetarit X Y, p.sh. duke i gjetur punë në cilësinë e militantit të dalluar. Nga ana tjetër, kur detyrohet të flasë përpara kamerave, aty ku nuk shiten dot vende pune dhe tendera, liderët duhet të spërdredhin gjuhën për të përfshirë në premtimet e tyre gjithçka që imagjinata mund të tolerojë në kurriz të shpresës dhe logjikës elementare qeverisëse. Prandaj aktualisht PS-ja dhe PD-ja janë përtej së majtës, së djathtës dhe koherencës minimale programore.
Dhe kjo situatë nuk ka prirje të ndryshojë. Jo sepse elitat tona politike janë injorante, por sepse llogaritë e tyre bëhen mbi një elektorat që në pjesën më të madhe vuan nga injoranca politike dhe akoma më keq, nga fakti se ndan me shumicën e përfaqësuesve tanë të njëjtat vlera të munguara morale. E thënë në terma barletianë: Maskarallëkun nuk na e solli politika, ajo e gjeti atë në zemrat tona.
Situata nuk ka arsye të ndryshojë dhe aq shpejt. Për sistemin e vlerave folëm pak më herët. Sistemi i arsimit, instrumenti tjetër për një ndryshim të mundshëm mendësie, nuk përligj shpresat për ndryshim. Shumica e universiteteve shqiptare, publike dhe private, mund të arrinin lehtësisht partitë politike për nga niveli i mosbesimit të publikut. Si mund të shpresosh edukimin e brezave të rinj kur nota, madje edhe diploma në shkollat tona jo vetëm shitet, por akoma më keq, falet ose dhurohet për ti bërë nder dikujt. Për më tepër, nxitësi dhe garancia më e mirë e riprodhimit të këtij sistemi të kalbur certifikimi është gatishmëria e partive politike për të pranuar në administratën civile çdo lloj diplome.
Institucionet
Mendohet përgjithësisht se dizajni institucional dhe funksionimi i institucioneve janë katalizatorë të demokratizimit të një vendi.
Vështirë të mendohet se institucionet politike do të ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme në të ardhmen e afërt. Nga ana tjetër, ndryshimi më i rëndësishëm në institucionet jopolitike është përmirësimi i marrëdhënieve publike. Sistemi i drejtësisë vazhdon të prodhojë pafajësi në vendin ku korrupsioni është sport kombëtar i licencuar. Nëse faktorët e tjerë të lartpërmendur nuk ndryshojnë, përse duhet të presim ndryshime në cilësinë e institucioneve?
Përsa i përket dizajnit instituci

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›