Artan Fuga: Jam pro transparencës dhe hapjes së dosjeve

FILOZOFI ARTAN FUGA
Mbi fenomenin e vuajarizmit në shoqërinë shqiptare.
Shqiptari nuk e respekton shumë privatësinë. Ne i fusim shumë hundët te punët e njëri-tjetrit
Në një shoqëri, e cila ka qenë e mbyllur për gati 50 vjet dhe nuk i mbetej gjë tjetër veçse të merrej me veten e vet, termi vuajarizëm gjen vend gjerësisht. Filozofi Artan Fuga na tregon për këtë fenomen në shoqërinë shqiptare gjatë viteve të diktaturës, si një institucion shoqëror dhe institucional, por edhe pas ndryshimit të sistemeve. Në një intervistë Fuga jep mendimin e tij për privatësinë, transparencën, përgjimin përmes kamerave, hapjen e dosjeve, etj.
Profesor Fuga, le ta fillojmë intervistën nga termi vuajarizëm. Çmendime ju ngacmon?
Vuajarizmi ka të bëjë me natyrën e njeriut. Vuajarzëm do të thotë dëshirë për të parë, akses për të parë, madje, shumë më tepër: pasion për të parë, obsesion për të parë, i cili tek shumëkush shpeshherë, kapërcen të gjitha kënaqësitë e tjera. Kënaqësinë për të parë e ka çdo njeri normal: për të parë një ngjyrë të bukur, një peizazh të bukur, një njeri që e konsideron të bukur, një vepër arti, sepse estetika e syrit është një nga misteret e qenies njerëzore. Mirëpo, sipas psikanalizës dhe psikopatologjisë analitike, tek vuajaristi kënaqësia për të parë diçka kthehet në një lloj sëmundjeje, një lloj traume apo simptome, një sjellje që konsiderohet devijante ose e sëmurë.
Për raportin midis kapaciteteve njerëzore për të ngrënë, për të parë, për të prekur, por edhe vokacioneve njerëzore për të kënduar, për të folur, për të lexuar, për të njohur, i referohem një mendimtari të madh të shekujve më parë, njërit nga etërit e kishës, Shën Agustinit, i cili thotë se, shpeshherë, marrëdhëniet mes njerëzve transformohen. Njeriu transformon mjetin në qëllim dhe qëllimin në mjet. Në çkuptim? Ai vazhdon dhe thotë se, që njeriu të hajë është normale, është një gjendje ku nuk ka asnjë mëkat, por në momentin kur njeriu jeton për të ngrënë, nevoja e të ngrënit kthehet nga një instrument për të jetuar, në qëllimin e jetës. Pikërisht këtu fillon mëkati, sëmundja. Dhe njeriu mund të vdesë duke ngrënë, se nuk përmbahet.
Niçja, diku thotë se, nëse një qen ha aq sa për tu ngopur dhe kur ngopet ndalon, një njeri mund të hajë derisa të vdesë. E njëjta gjë me shikimin. Të parët është një mënyrë që njeriu të orientohet në jetë. Pra, është një instrument. Në momentin kur njeriu jeton për të parë, pikërisht atëherë fillon simptoma psiko-patologjike, fillon vuajarizmi.
Ka edhe një element të dytë. Vuajarizmi lidhet të paktën me tri karakteristika kryesore: E para, të shohësh atë që morali e ndalon ta shohësh, pra të kapërcesh tabunë. Është një kënaqësi e madhe. Bëhet fjalë për tabunë morale. Fëmijët p.sh. në moshën e pubertetit dhe në moshën e adoleshencës kanë një dëshirë për të parë atë që ia ndalojnë për ta parë. Është një sjellje e zakonshme te fëmijët të shohin nga vrima e çelësit. Për çfarë arsye? Është misteri. Çfarë ndodh përtej asaj që mua më vënë pengesë për të parë? Të shohësh nuditetin e qenies njerëzore, të shohësh lakuriqësinë, të shohësh një gjë që është moralisht e ndaluar. E dyta, vështrimi në formën e vuajarizmit do të thotë që nëpërmjet të parit të dikujt, vështrimi të lejon që të identifikohesh me atë njeri. Të identifikohesh me aktorët që je duke parë dhe me aktorët që janë në kryerjen e një aksioni. Berkli thotë që te njeriu ndodh infektimi i shqisave, që do të thotë se me anë të syrit ndodh që të marrë kënaqësi i gjithë trupi. Ka njerëz të obseduar, vuajaristë për të parë filma pornografikë ose për të ndjekur dhe për të gjetur mundësi për të parë njerëz të tjerë në një marrëdhënie seksuale të nxehtë. Pra, ndodh procesi i identifikimit.
E treta dhe më dramatikja, ndodh kur, shpeshherë, njeriu, duke parë skena të dhimbshme, katastrofike, merr kënaqësi. Ky është misteri i qenies njerëzore, filozofikisht. Nga pikëpamja psikanalitike, e antropologjisë: të gëzohesh kur sheh skena të tmerrshme.
Ka një poemë në kulturën greko-romake ku autori thotë: sa bukur është të shohësh, kur je në breg, një anije që mbytet. Për çfarë arsye? Gëzohesh që ti nuk je atje. Një përzierje e dhimbjes për atë që e pëson katastrofën, e mpleksur me një kënaqësi. E keni parasysh kur ndodh një aksident se si mblidhen njerëzit për të parë? Policia thotë: Kaloni, ska asgjë për të parë!, e megjithatë, turma mblidhet për të parë katastrofën sepse merr gëzim, një gëzim të çuditshëm, misterioz.
Fatos Klosi, pas këmbënguljes së dikujt që e quante disi të çuditshme si një shkencëtar, fizikan, pranonte detyrën e kryetarit të SHIK, në një bisedë ka thënë: Kam dëshirë dhe dua të arrij që njerëzit të mos përgjohen, sepse është krejt tjetër detyra e këtij institucioni në demokraci. Cili është mendimi juaj për këtë?
Nuk e di se kur dhe në çkontekst e ka thënë. Në imazhin tim zoti Klosi është një koleg, një profesor, një njeri me integritet. Mua më duket e natyrshme ajo që është thënë. Kjo, sepse, përgjithësisht, midis intelektualit dhe shërbimit civil, nëpunësisë, sidomos në këto detyra pak delikate dhe që kanë të bëjnë me ruajtjen e të drejtave të individit, intelektuali ndodhet keq. Një intelektual e ka brejtje të bëhet polic, sepse intelektuali është liria, mirëkuptimi i tjetrit, është falja e tjetrit, është kuptimi i vesit; kurse një polic është bindja e tjetrit, përpjekja për ta eliminuar, pra, nuk ka këtë detyrë. Një polic i Policisë rrugore nuk ka kohë të bindë tjetrin, nuk ka kohë të falë tjetrin, nuk ka kohë të kuptojë tjetrin. Ai të ndalon, vë gjobën dhe vazhdon punën e tij; intelektuali ndodhet keq në këto raste. Më kujtohet një këshilltar për sigurinë, një njeri i madh, Henry Kissinger, që, kur e pyetën si këshilltar e si njeri që bën politikë, se, pse nuk bëhej ministër, sekretar Shteti i Mbrojtjes (bëhet fjalë kur SHBA-të ishin në luftë në Vietnam), ai tha se unë mund të shpjegoj një marrëdhënie gjeopolitike, por unë nuk mundem dot që të marr vendimin për të bombarduar, sepse nuk e kam këtë kapacitet moral. Duhet dikush tjetër që ta ketë këtë kapacitet, jo vetëm ta kuptojë se duhet bombarduar, por edhe ta kalojë në akt, unë se bëj dot.
Gjykoj që intelektuali në atë rast ka qenë në këtë situatë dhe, sigurisht, intelektuali e ka tendencën për të zbutur survejimin e qytetarit. Kam parasysh faktin që marrëdhënia mes SHIK-ut dhe qytetarit ishte shumë e tensionuar dhe ekzistonte një lloj frike kolektive ndaj Shërbimit Informativ Kombëtar, që, në fakt, duhet të jetë e kundërta. Këta organizma dhe vetë shteti duhet të bëjnë që edhe të ushtrojnë detyrën për të mbrojtur kombin, rendin, por duhet ta bëjnë dhe në atë mënyrë që qytetari, jo të ketë frikë nga shteti i tij, por të jetë solidar me shtetin e tij. Kemi rastin amerikan, mbas sulmit terrorist, ku ata gjejnë solidaritet me shtetin për të mbrojtur rendin, vlerat e demokracisë, për të mbrojtur botën nga akte të shëmtuara terroriste. Nuk është detyra e SHIK-ut të survejojë qytetarin. Ka të drejtë zoti Klosi që e ka thënë këtë gjë. Këtë e bën vetëm intelektuali.
Shpesh, në kohën e sotme, shkaqet për survejimin gjenden gjithmonë në mentalitetin dhe praktikat e shtetit totalitar komunist. Por, siç dihet, mbretërit, perandorët dhe të gjithë sundimtarët kanë pasur debulesë për shërbimet sekrete (spiuni i famshëm i perandorit Napolon). Çmendim keni ju për këtë rast?
Për mendimin tim, duhet të ndahen në tri nivele. Jam shumë dakord me atë që thoni ju, se survejimi, sidomos në periudhën e totalitarizmit, ka marrë përmasa të tjera. Më kujtohet romani Dosja H e shkrimtarit Ismail Kadare. Ai e ka ngritur në art, në një metaforë të