Zhani Ciko: Si vrau veten Prenk Jakova për operën Skënderbeu

Maestro Zhani Ciko
Në 100-vjetorin e Pavarësisë opera ringjitet në TKOB.
Zhani Ciko: Pse opera Skënderbeu u harrua për 44 vjet.
Produksioni i ri sjell në skenë të ridimensionuar figurën e Heroit Kombëtar.
U deshën të kalonin 44 vjet që opera Skënderbeu e Prenk Jakovës të rishihte dritën e skenës. Në 100-vjetorin e Pavarësisë, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit nxjerr nga arkivi këtë vepër, duke e risjellë atë në një dimension të ri, duke iu përshtatur jo vetëm kohës, por edhe përmasave e imazhit që shqiptarët kanë për Heroin Kombëtar.
Ajo që të bën menjëherë përshtypje, është fakti që kjo opera duhet të priste kaq gjatë që të ringjitej në skenë. Por opera Skënderbeu ka një histori të komplikuar. E porositur me urdhër nga lart, thonë se vetë Enver Hoxha e ka takuar personalisht Prenk Jakovën dhe ia ka lënë porosi, opera u shkrua në një kohë rekord. Premierën erdhën ta ndiqnin gjithë krerët e shtetit dhe pritja ishte shumë e ftohtë. Kompozitori, jo vetëm që nuk mori asnjë falënderim për punën kolosale, por iu desh të përballej me një lumë kritikash, thashethemesh e si mbyllje një dyfaqësh të zi në gazetën Zëri i Popullit. Kjo ishte një goditje fatale për kompozitorin, i cili kishte kaluar një jetë plot peripeci dhe përndjekje, për shkak të pushkatimit të të vëllait nacionalist nga diktatura komuniste. Kthimi në Shkodër do të ishte i trishtë për kompozitorin, i cili vetëm pak kohë më vonë, në gjendje të rëndë depresive i jep fund jetës në moshën 52-vjeçare. Më pas vepra u harrua. Vlonin temat e ditës me punëtorë e kooperativistë dhe Skënderbeun e mbuloi pluhuri. Pas 44 vitesh nga ai vit i largët 1968, drejtori i Teatrit Kombëtar i Operës dhe Baletit, maestro Zhani Ciko, që aso kohe ka qenë një djalë i ri, që sapo kishte vënë këmbët në opera, tregon historinë e saj, pritjen e kohës, arsyet pse u harrua dhe megaproduksionin që pritet të ngjitet së afërmi në skenën e TKOB-it.

Xhoni Athanas, në rolin e Skënderbeut, në vënien e vitit 1968
Pse opera Skënderbeu duhet të priste 44 vjet për të ardhur në skenë?
Ishte një detyrim ndaj autorit, ndaj një vepre që ka shumë muzikë brenda, që të shtyn të zbulosh shumë gjëra interesante, plus që koincidon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë. Prej vitesh kam dashur ti kthehem kësaj vepre, por e dija që ajo do të kishte kohën e duhur dhe është pikërisht ky vit, mbasi Skënderbeu mbetet vepra e parë historike e plotë në muzikën shqiptare, që tregon një afresk të madh të një epoke të lavdishme në historinë kombëtare tonën.
Përse nuk u ngjit më vonë në skenë, në fund të fundit ajo ishte një vepër për Heroin tonë Kombëtar…?
Përpara besoj se arsyet kanë qenë të shumta. Duke qenë se vepra nuk pati ndonjë sukses të madh, nuk u kujtuan më për të. Aso kohe ishte më shumë një prije ndaj temave të ditës. Pas Plenumit IV, orientimi ishte fokusimi në temën e ditës dhe Skënderbeu quhej një kapitull i mbyllur, vetëm më vonë nga mesi i viteve 80 u shfaq një vepër me temë legjendare, që ishte Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë, por deri atëherë, edhe kur vepra kishte një kontekst letrar të fuqishëm, si Lumi i vdekur apo Gjenerali i ushtrisë së vdekur, maskoheshin pas titujve si Para stuhisë, Tokë e pamposhtur, pra sloganizoheshin përmbajtjet e veprave në mënyrë artificiale. Por të gjitha këto kanë pasur rolin e tyre në zhvillimin e muzikës shqiptare, i cili duhet konsideruar pozitiv në një pjesë të rasteve.
Si do të vijë kjo vepër për publikun e vitit 2012?
Tashmë kemi mundësinë ta trajtojmë atë në gjithë gjerësinë që krijon, muzikalisht dhe skenikisht, me qëllim që të ngjitet në atë piedestal ku meriton të jetë, një grand opera, që në vizionin tonë i afrohet të gjitha operave të tjera të repertorit botëror, që kanë personazhe historike të vërteta. Aq më shumë që Skënderbeu duhet të ketë qenë një personazh shumë atraktiv, këtë e tregon dhe fakti që pas vdekjes së tij iu dedikua një opera nga Vivaldi. Ky është një

Kompozitori Prenk Jakova
rast unik, jo vetëm për Shqipërinë por në artin skenik në përgjithësi, pasi veprat e epokës baroke merreshin me tema nga lashtësia ose mitologjia dhe nuk ka raste që të kenë qenë personazhe të vërtetë. Që këtu e kuptojmë që Skënderbeu ka rrezatuar në Europë dhe ne do ta sjellim këtë rrezatim në veprën tonë. Por kemi dhe imazhin që kanë krijuar shqiptarët pasi kanë lexuar Barletin, Nolin e vepra të tjera, kanë parë monumentet e Skënderbeut. Dhe ky imazh që ne kemi, nuk është ai që ka Europa vivaldiane, ku kemi aventurat kalorësiake, të heroit që ka dhe dramat e tij të brendshme, pra një plan tërësisht tjetër. Kurse këtu kemi një Skënderbe, personazh i një historie kombëtare, që ai e udhëheq mbi disa parime të mëdha, heroike, mbareuropiane, mbarëkristiane. Të gjitha këto ndihen më shumë në muzikë sesa në fjalë, pasi autorët i janë ruajtur atakimit të vazhdueshëm me kritizerët e kohës, që prisnin vetëm një fjalë për ti vënë kyçin operës. Ky faktor ndihet në religjioztetin e veprës, në fragmente korale, në qëllimin që kanë qëndrimet e Gjergj Kastriotit në disa momente lapidare si I madhi çast po vjen apo Lirinë nuk ua solla unë, që janë dhe skenat më të mëdha të veprës. Opera krijon mundësi që ti afrohesh epokës dhe për të mos e lënë Skënderbeun siç është menduar në atë kohë, si prijës i turmave popullore, që u ndesh me një ushtri të rregullt të sistemuar të Sulltan Muratit dhe e paskan mposhtur. Kjo nuk është e vërtetë. Historia e Skënderbeut njeh sa marrëdhëniet në fushën e diplomacisë, me shtete të tjera dhe aspektin e organizimit të një shteti me princat e tjerë, të një ushtrie shqiptare, që bëri të mundur që të fitojë dhe të mposhtë për vite me radhë ushtritë e Anadollit. Dhe të gjitha këto aspekte janë pjesë e këtij megaproduksioni.
Pra vjen e riparë?
Ne e kemi riparë në të gjitha ato momente ku na lejohet, ku mund të penetrojmë për të dhënë këtë kontekst të këtij Skënderbeu, sipas vizionit tonë dhe shpresojmë ta japim këtë afresk të madh të historisë sonë, 100 vjet nga krijimi i shtetit dhe mbi 400 të tjera nga koha kur kanë ndodhur.
Ka arritur dot kjo vepër ti mbijetojë kohës në rrafshin e vlerave që mbart?
Në këtë lexim të ri pas kaq vitesh, nga një pozitë tjetër, gjej që ka faqe shumë të bukura. Opera tjetër e Prenkës, Mrika, është shumë e vlerësuar nga pikëpamja muzikore, kjo vepër e çon atë më përpara. Prenka ka avancuar në konceptin e tij për të krijuar operën, ka përpunuar mjaft në strukturë, në dramaturgjinë muzikore, plus faktit që në çdo faqe që ka kompozuar, sidomos në ariet masive, ka derdhur shumë emocion dhe ka shumë muzikë brenda.
Përse keni zgjedhur një regjisor të huaj për rivënien e kësaj vepre?
Zgjedhja e regjisorit erdhi e detyruar nga disa ngjarje të fundit. U detyruam të thërrisnim profesor Saletin, meqë ka eksperiencë me vënien e veprave masive. Është profesor në Akademinë e Vero