Artan Imami - Martesa, një burg psikologjik
Sonila Merolli
Ndodh që njeriut t’i duket vetja i përjetshëm, se ka pafundësinë përpara dhe të mos e ndiejë se vitet ikin gjithsesi. Artan Imami ka nisur ta kuptojë se nuk ka në dispozicion pafundësinë, ndonëse mosha brenda tij nuk përkon me atë reale. I ka pëlqyer gjithnjë të jetë i pavarur, pa qenë i detyruar t’i përgjigjet pyetjes monotone „ku je?”. Babai, nëna, motra, mbesat kanë qenë gjithnjë familja e tij e nuk e ka ndjerë nevojën të ngrejë një të tijën. Për të, martesa është një kontratë, që jo detyrimisht ka lidhje me dashurinë. Sa për këtë të fundit, nuk i ka munguar asnjëherë. Ka jetuar plot histori, madje të rëndësishme, por që gjithsesi nuk e kanë çuar tek ai „hapi” i madh: „deri sa vdekja të na ndajë!”. çfarë e ka mbajtur larg lidhjeve serioze Artan Imamin? Aktori nuk ngurron të rrëfehet për veten, gratë, historitë e shkuara, frikërat, pse jo dhe dështimet.
Z. Imami, profesioni jua dikton që pjesën më të madhe të ditës ta kaloni duke aktruar, ju ndodh ndonjëherë edhe jashtë skene?
Një pjesë e qenies sonë është aktrim, qofshim aktorë apo jo, ne të gjithë luajmë paksa teatër, kur me vetëdije biem dakord për ndarjen e roleve. Duke pasur profesionin e aktorit, tek ne është më e theksuar, pasi na ndikojnë petkat e personazhit, tek i cili jetojmë. Nëse interpretoj rolin e dashnorit të përvëluar, më pëlqen ta provoj edhe në jetën reale. Sipas meje, ajo që na shtyn ndaj këtij veprimi, është se ne, njerëzit kemi frikë të jemi të sinqertë, pasi i ruhemi zhgënjimit, ruhemi që ai sinqeritet mund të keqkuptohet ose shpërdorohet. Por jo gjithnjë mund të përdorësh aktrimin. Në momentin që jam i sigurt mbi ndjenjat e partneres, aty nuk ka vend për të aktruar.
Një nga rolet tuaja më të bukura është tek “Zbutja e kryeneçes”, keni zbutur ndonjë të tillë?
Më sollët ndërmend letrat e panumërta që kam marrë nga femrat kur u vu kjo pjesë, mes të cilave lexoja edhe radhët: “A ka mundësi të më zbusësh dhe mua?! Nga radhë të këtilla më përkëdhelej sedra, por asgjë më shumë, pasi ato shkruanin në anonimat, përveç ndonjë vajze të zgjuar. Në skenë ndodhin keqkuptime, të ngatërrojnë me personazhin. Harrojnë që aktorët janë si ato qeniet fosforeshente, në jetën e zakonshme duken fare normal, ndërsa kur ngjiten në skenë ndriçojnë. Për t’iu kthyer pyetjes suaj, nuk kam pasur të tilla femra, pasi ato që më kanë dalë në rrugëtimin tim kanë qenë ‘të zbutura’ dhe të sigurta në atë çka i priste dhe prisnin.
Keni interpretuar edhe rolin e Don Zhuanit, sa jeni i tillë në jetën reale?
Don Zhuani i Molierit, ka fatkeqësinë që nuk bie dot në dashuri, ndryshe nga Kazanova që dashurohej me çdo femër që takonte. Personazhi i Don Zhuanit, që kam interpretuar unë, nuk ka lidhje me femrat. Ai është tipi i njeriut të pa ngushëlluar dhe fatkeq, që mundohet të mbushë zbrazëtinë, ndërsa unë e kam dhe më të lehtë mos të kem marrëdhënie, por kur i kam dua t’i jetoj në plotëri. Për më tepër, nuk mund të identifikohem si Don Zhuan, pasi tek femrat e bukura që kam takuar, mbi të gjitha më interesojnë emocionet.
Thuhet se në nënvetëdijen e një burri, ekziston modeli i një femre që ngjason me nënën. Në rastin tuaj, përligjet kjo thënie?
Kam një fat të madh me mamanë time, Valentinën, për arsye se në vitet e para të jetës, të cilat i kam kaluar në Kinë, ajo ka qenë pranë meje fizikisht. Gjithnjë kemi pasur një komunikim të hapur, për më tepër duke qenë mjeke me profesion, kemi folur për çdo gjë dhe mbi çdo gjë. Nuk ka probleme apo shqetësime të mia, që ajo mos t’i dijë. Vitet e kanë bërë më tolerante, të di të dëgjojë. Nga ana tjetër, kam qejf të madh t’ia tregoj dashurinë. Sa herë ulem të ha drekë, mamaja, edhe pse mund të ketë ngrënë, ulet përballë meje. E kush nuk do ta donte një marrëdhënie të tillë me shoqen e jetës së tij.
Ka një arsye përse nuk keni krijuar ende një familje?
Një nga arsyet e para përse njeriu mund dhe duhet të martohet, janë fëmijët. Për vite me radhë, kam qenë i rrethuar nga njerëzit e mi, nga dy mbesat e mia, të cilat janë rritur në shtëpinë e prindërve të mi, sidomos e madhja, Artesi, kështu që nuk e kam ndjerë vetminë. Ndoshta po të kisha jetuar vetëm do ta ndjeja më tepër nevojën e një partnereje pranë. Në këtë kuptim, ky afrimitet më ‘dembelosi’ disi.
Po tani që mbesat u rritën, ju ka ikur ndopak ‘dembelosja’?
Edhe pse në jetën time kam pasur histori dashurie të rëndësishme, të jetuarit tërë jetën me një grua është një hap që duhet menduar gjer e gjatë. Gjithnjë kam qenë i bindur se një histori dashurie ka jetën e saj, vjen një moment që elementet që e përbëjnë këtë ndjenjë sa të mrekullueshme, por edhe komplekse, marrin raporte te reja midis tyre. Intimiteti, komunikimi, besimi që krijohet në një raport marrin rëndësi karshi pasionit. Megjithatë nuk është kjo arsyeja përse nuk kam ndërmarrë një hap të tillë, por se për vite me radhë, e ndjeja të panevojshme.
Keni frikë?
Të gjithë njerëzit kanë frikë para një hapi të tillë, por më tepër sesa frika, tek unë kanë ndikuar pikëpamjet mbi martesën. Kam bindjen se martesa nuk është institucioni perfekt. Një kontratë civile, jo domosdoshmërish lidhet me një histori dashurie, për më tepër e shoh edhe si një ‘burg’ psikologjik. Që është në krizë, mjafton të shohësh shifrat e larta të divorceve, çka tregon se martesa në vetvete nuk është aq e përsosur. Jam i mendimit se në dhjetëvjeçarët që do të vijnë, martesa do të duket tepër e këndshme, do të marrë vlera të tjera, që tanimë janë zbehur.
Nuk ju shqetësojnë vitet?
Ne jetojmë me mendimin se jemi të përjetshëm, se po të mendonim për vdekjen nuk do të jetonim mirë. Mua më duket sikur kam kohë gjithmonë, edhe pse nga ana tjetër mosha si koncept abstrakt është çështje numrash dhe numrat vërtetë që kanë rëndësinë e tyre, por njeriu psiko-fizikisht mund të ndjehet dhe të jetë shumë më i ri sesa tregojnë ato numra. Megjithatë rrethi po ngushtohet, pasi i dua shumë fëmijët dhe do të doja të kisha shumë fëmijë, ama ka një kohë të caktuar. Të ndërmarrësh një hap të tillë lidhet sa me emocionet, aq edhe me racionalen. Kush i ndan, provon dhe zhgënjimin, i cili ndonjëherë të lë disa shenja psikologjike të pakëndshme. Përpos kësaj, jeta jetohet si i martuar, ashtu sikurse jo. Pastaj, të jetosh si beqar është një luks i madh, nuk të duhet të dëgjosh orë e çast në telefon shprehjen ‘ku je?’.
Mos vallë ky ngurim ju vjen nga ndonjë histori e shkuar me ndonjë partnere posesive?
Nuk qëndron këtu ngurrimi, pasi në gjithë historitë që kam jetuar, partnereve iu kam thënë që në fillim një proverb i cili thotë: “Mos pyet shumë, që mos të të gënjejnë po aq shumë”.
Si duhet të jetë një femër që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Bukuria është vlerësimi seksual që bëjnë dy sekset karshi sho-shoqit. Një femër e tillë i bie në sy të gjithëve. Kush duket e bukur është dhe e mençur, pasi budallallëku rrezaton kaq shumë, mjafton të vëzhgosh gjuhën e trupit, nuk ka nevojë të flasë.
Si ka ndryshuar me kohë mënyra e qasjes kah një femre?
Të gjithë meshkujt bëjnë një strategji si t’i afrohen vajzave. Vite të shkuara, pasi i kishim ‘individualizuar’ në xhiron e famshme të bulevardit, i ndiqnim nga prapa për të mësuar shtëpinë. Formula në modë që e dëgjoje nga gjithë djemtë ishte: “Goce a ka mundësi një minutë!”. Nëse ajo vazhdonte ecjen këmbëngulëse, duhet të dorëzoheshe për të provuar sërish të nesërmen në momentin që kthente përgjigje kishte pranuar. Por ‘beteja’ e vërtetë ka qenë puthja, e cila ka qenë një moment dorëzimi, dhënie emocionesh, por edhe groteske njëkohësisht. Nga padurimi ne meshkujt, mundoheshim ta krijonim momentin për t’i rrëmbyer puthjen e parë artificialisht. Aty vinte grotesku, pasi vajzat‘i qepnin’ buzët derisa sigurisht vinte momenti mbas një rezistence që provonte “ndershmëri”, që ato liroheshin. Pas atij momenti, historia mbaronte, vinte radha për t’u mburrur para shokëve. Por, një shoqe ime kahershme më tregoi se sekreti i suksesit ishte mos t’u tregoje shokëve, të silleshe si ‘xhentëlmen’, edhe pse qëllimet ishin kryekëput egoiste.
Keni pasur partnere që ju dilnin jashtë parashikimeve?
Sigurisht! Historitë më të bukura që kujtoj, dhe të vetmet që tregoj janë historitë e dështimeve të mia. Duke folur seriozisht, mendoj se është shumë më mirë të dashurosh sesa të të dashurojnë dhe ti të jesh indiferent. Njeriu që do, e jeton dashurinë, qoftë edhe kur nuk pranohet. Ua siguroj se është më mirë të vuash, sesa të kesh 100 femra që lënë kokën për ty, dhe të mos ndjesh për asnjërën. është një trishtim i madh!
çfarë ndodh pasi zbehet pasioni në një marrëdhënie burrë-grua?
Fillimisht zhgënjehesh. Pyet veten, si ka mundësi që pas asaj tronditjes emocionale, të mos ketë më pasion? Megjithatë, një lloj ngrohtësie dhe drite të butë e rrethojnë gjithmonë njeriun me të cilin ke qenë i dashuruar. Kur të ndodh për herë të dytë, je i përgatitur se një gjë e tillë do të ndodhë pashmangshmërisht, përveç rasteve të rralla, ku pasioni gjen strehë brenda meje. Në një farë kuptimi ne ia japim ‘hua’ ndjenjat partnerit. Pasioni ngelet gjithmonë pasuri e jotja dhe mendoj se njeriu vuan më tepër, kur nuk mund të japë dashuri se sa të marrë.
Sipas përvojës suaj, nga se varet jetëgjatësia në një raport?
Ka një shprehje me humor Oscar Wilde, që më pëlqen: “Interesante janë femrat që kanë një të kaluar dhe burrat që kanë një të ardhme”, por ka edhe një akoma më të bukur: “Një grua tepër e mirë është e mërzitshme, një grua perverse nuk të mërzit kurrë, e sigurt është që të çmend”.
Femrat që mbushin jetën e Artanit
Sa herë i duhet të gjerbë një kafe turke, të shijojë një vakt dreke të ngrohtë, apo nëse ka një këmishë për të hekurosur, beqarit të vetëm të katit, as që i bie ndërmend të kërkojë një nuse nikoqire. Këtë ‘sektor’ e mbulojnë më së miri dhe pa përtesë “gjitonet” e tij, katër femra që i zbukurojnë jetën. Ai është i pavarur, e në të njëjtën kohë ka fatin të jetojë i rrethuar nga njerëzit më të dashur, me të cilët e lidh gjaku. ‘Momenti që nuk ka të ‘paguar’ është kur ulemi në tavolinën e mamasë të gjithë së bashku, edhe pse shpesh ajo ankohet për tekat tona në ushqime, prapëseprapë i lexohet kënaqësia”, shprehet aktori. Një raport gjithaq të ngushtë ndan me motrën, andaj kur ajo nisi të ndërtonte një jetë të re, vëllai i pamësuar me ‘rregullat’ e jetës i mbajti ‘inat’. Për pak ama, derisa dashuria ndryshoi ‘destinacion’, tek Artesi dhe Kristi, dy mbesat, pas të cilave lë kokën. Për Artanin ato mbeten dy vogëlushet të cilat jo rrallë i kanë mbushur atë zbrazëtinë e shpirtit. E madhja, krenaria e dajës, Artesi, i ka mbushur të njëzetat, ndërsa studion në një nga Universitetet e kryeqytetit, ndërsa e vogla, Kristi është maturante...
Kthim në të kaluarën me “Darkën e gabuar”
Larja e hesapeve me të kaluarën e hidhur, e gëzon akoma dhe më tepër për rolin tek pjesa “Darka e gabuar”, që pritet të ngjitet në skenë nga Fatos Haxhiraj. Artan Imami jo vetëm rikthehet në teatër, por për ironi të fatit ai ‘zëvendëson’ persekutuesin e të atit, edhe pse simbolikisht. Duke iu rikthyer paska së shkuarës, Imami tregon se gjatë viteve të diktaturës, i ati, Nustreti u akuzua padrejtësisht se kishte guxuar të fliste kundër regjimit diktatorial, edhe pse nuk kishte thënë asnjë fjalë. “Nëntë muaj me radhë, babai im, i ka kaluar në birucat e hetuesisë, pasi e detyronin të firmoste një deklaratë, ku ai shante regjimin. Si shumë absurditetet e asaj periudhe, hetuesit e dhunonin psikologjikisht, duke i thënë se djalin ta kemi arrestuar për agjitacion dhe propagandë, ndërsa vajza të ka dalë rrugëve. Imagjinoni, çfarë hoqi im atë, por edhe pjesa tjetër e familjes. E rëndësishme është se shpëtoi me pakogjë, por vuajtjet nuk mund të fshihen nga kujtesa”, kujton Artani. Tanimë kjo eksperiencë e ndihmon të futet nën lëkurën e personazhit. “Ajo çka dua të ngjall te spektatorët janë emocionet negative, të përjetuara deri në palcë. Nuk kam qëllim t’i rëndoj ndonjë personazhi apo epokës, por sepse e vërteta ka qenë akoma dhe më keq, andaj asnjëherë nuk është vonë t’i përsërisësh”, shprehet Imami.