E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjedisi pezullon punimet në Shesh



BLEDAR HOTI

Pezullim të përkohshëm të punimeve për rehabilitimin e she-shit “Skënderbej” dhe një gjobë 2 milion lekë të reja, për efekt të mungesës së lejes së mjedisit. Ka qenë ky urdhri që ka lëshuar Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, që është bërë i ditur nga Inspektorati i të njëjtit institucion. Bashkisë së Tiranës tashmë do t’i duhet që fillimisht të ndjekë procedurat e nevojshme për sigurimin e lejes mjedisore dhe më pas të vazhdojë me zbatimin e projektit.
Bashkia
Në një njoftim për shtyp Bashkia e Tiranës reagoi duke dhënë detaje për lejen mjedisore të sheshit dhe atë të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Në njoftim thuhet se janë ndjekur gjithë procedurat për marrjen e një leje mjedisi pranë Ministrisë përkatëse, por që nga kjo e fundit nuk ka pasur asnjë reagim. “Në arkivin e Ministrisë së Mjedisit gjendet shkresa përkatëse. Bashkangjitur shkresës, është relacioni përmbledhës i projektit, raporti i VNM-së (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis), dokumentacioni i procesit të konsultimit publik si dhe fatura e pagesës së tarifës për Lejen mjedisore. Pas një viti nga kjo kërkesë, Bashkia e Tiranës ka të drejtën të veprojë me parimin e miratimit të heshtur, ndërkohë që Ministrisë së Mjedisit i takon të zbardhë lejen përkatëse” thuhet në njoftimin e Bashkisë. Ndërkohë që lidhur me miratimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës për projektin e sheshit Bashkia ka bërë me dije se e disponon atë. “Bashkia e Tiranës bën thirrje për dhënien fund të një konflikti të stisur, që ringjall praktikën e dënueshme të “Zogut të Zi” në Qendër të Tiranës. Bashkia dhe Qeveria duhet të kryejnë detyrat e tyre reciproke në interes të qytetarëve. Bashkia e Tiranës ka për detyrë të transformojë sheshin “Skënderbej” në hapësirën më të bukur publike të vendit, dhe po e bën” vazhdon njoftimi. Në fund të tij Bashkia i kërkon Qeverisë që të shpronësojë sa më shpejt godinën e INSIG-ut për hapjen e Unazës së Vogël dhe zgjidhjen e problemit të qarkullimit.
INSPEKTORATI
Në kohën kur Bashkia ka deklaruar se ka bërë një kërkese për lejë mjedisore, Inspektorati i Mjedisit pranë Ministrisë konfirmon se nuk ekziston asnjë e tillë. Kryeinspektori Ilir Bala tha dje për Panoramën se nuk ka asnjë lejë mjedisore për fillimin e zbatimit të projektit për rehabilitimin e sheshit “Skënderbëj” dhe për më tepër nuk ka edhe kërkesë për një të tillë. “Ftoj Bashkinë e Tiranës që në rast se disponon një lejë ta publikojë atë apo nëse ekziston një kërkesë të bëhet verifikimi në librat e protokollit dhe të vërtetohet sepse në fakt ne nuk kemi në dorë një të tillë” tha Bala. Sipas tij pezullimi i punimeve në shesh nuk ka pasur asnjë prapaskenë politike sikundër u lakua dhe se Bashkia mjafton të ndjekë procedurat normale duke plotësuar dokumentacionin e nevojshëm dhe të sigurojë lejen. Pas kësaj mund të fillojë nga punimet normalisht në shesh “Skënderbej”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›