Xhaferaj: Jo dy kulla të reja në shesh, Bushati: Ka leje nga Monumentet
Sheshi “Skëndërbej” është kthyer dje në refrenin deklaratave të disa prej institucioneve që janë përplasur në distancë. Ministri i Kulturës, Ferdinant Xhaferaj gjatë një konference për shtyp u shpreh se procedura e ndjekur nga Bashkia e Tiranës ka mangësi të theksuara dhe se fillimi i punimeve për rehabilitimin e sheshit është në kundërshtim me ligjin. Duke ju referuar një kronologjie ndër vite për këtë çështje ministri tha se në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimit i mbledhur pranë MTKRS-së në muajin nëntor të 2008-ës u vendosën kufizime dhe ndryshime në projektin e Bashkisë. “Me shkresën të posaçme të Institutit të Monumenteve të Kulturës, është informuar Bashkia Tiranë në lidhje me kushtet e miratimit të projektit. Ndryshimet e kërkuara janë: Të mos lejohet ndërtimi i 2 ndërtesave përkatësisht në aksin e Bulevardit Zogu I-rë, dhe midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë dhe pendenca e sheshit të propozuar (pjerrësia) të mos kalojë 1%” u shpreh ministri. Më tej historia ka vazhduar me një shkresë të Bashkisë së Tiranës ku i kërkon Institutit të Monumenteve njohjen e vendimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Restaurimit. Komunikimi i fundit është bërë nga Instituti ku përmes një tjetër shkrese i ka kthyer përgjigje Bashkisë dhe pasi i ridërgon materialin, i kërkon 3 kopje të projektit me ndryshimet e reflektuara. “Nga ky moment nuk ka asnjë përgjigje nga Bashkia Tiranë. Konkludoj se përsa kohë, nuk ka një zbardhje të projektit të miratuar me ndryshimet e kërkuara nga ana e Këshillit Kombëtar të Restaurimit, projekti që po zbatohet në Sheshin “Skënderbej”, nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është në kundërshtim me procedurat në fuqi”tha Xhaferaj.
PS: Sheshi po
mbahet peng
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Socialiste përmes deputetit Ditmir Bushati lidhur deklaratat e ministrit të Kulturës për sheshin. “Si deputet e përfaqësues i interesave legjitime të qytetarëve të Tiranës jam i informuar se Bashkia e Tiranës ka marrë edhe miratimin ligjor të Institutit të Monumenteve të Kulturës që megjithëse ministri e ka në varësi nuk e ka marrë vesh akoma se edhe në këtë aspekt projekti i sheshit është brenda kornizës së ligjit” u shpreh Bushati. Sipas tij ky projekt po mbahet peng nga Qeveria me synimin për të larguar vëmendjen nga kriza e rëndë e keq qeverisjes, por në fakt kjo është një arsye më shumë për të protestuar në 30 Prill. n.m