Unaza e Vogël, Bashkia shemb oborret e familjeve
Erald Kapri
Inspektorati i Ndërtimit Tiranë prishi dje disa objekte prapa Hotel “Tiranës” në krye-qytet, duke shkaktuar irritimin e banorëve që i posedojnë ato. Fadroma prishi disa mure rrethuese të këtyre shtëpive, me argumentimin se do të zgjerohet rruga për lehtësimin e trafikut. Banorët e këtyre banesave protestuan ashpër për këtë ndërhyrje pasi, sipas tyre, askush nuk mund të ndërhyjë në pronë private. Ndonëse prishja e mureve rrethues u bë gjatë paradites, banorët e tyre i gjejmë në rrugë. Disa prej tyre na tregojnë se nuk e prisnin që Inspektorati Ndërtimor i Tiranës të prishte oborret e tyre. Familjet e këtyre pronave vijonin të qëndronin para shtëpive të tyre, ndërsa shihnin makinat që ngarkonin mbetjet e mureve të rrëzuara të oborreve të tyre. “Jemi familje të vjetra, me shtëpi prej 200 vitesh këtu” - thonë ata duke shtuar se “në datën 1 prill na erdhi një shkresë nga Inspektorati i Ndërtimit të Tiranës, me firmën e Drejtorit Ardit Kaja”. Ata shprehen më tej se askush nuk u ka komunikuar nëse do të shpronësohen për tokën që Bashkia e Tiranës po u merr për të zgjeruar rrugën. “Nuk po e kuptojmë nëse do të shpronësohemi apo jo për pronat tona. Askush nuk ka dhënë shpjegime për këtë” -shprehen banorët. Familjet tregojnë më tej se plani francez, i miratuar tashmë, parashikon ndryshe për pronat e tyre. “Plani francez parashikon që në shtëpitë tona të bëhet lulishte, me përjashtim të një ndërtese 6-katëshe. Ne presim që të shpronësohemi për këtë”, - thotë njëri prej tyre.
Në terren duken prishjet e fadromës, e cila kishte rrëzuar mure rrethues të këtyre banorëve. Ata tregojnë se janë disa familje që janë prekur nga kjo ndërhyrje. “Këtu jetojnë familje të vjetra me prona të vjetra. Janë prekur familjet e Cen Kazazit dhe vëllait të tij Aliu, që bëri më shumë se 40 vite burg në diktaturën komuniste. Familja Dobronishti, Këllezi, Nicca, Murra, Qosja dhe Jarani” - shprehen ata.
Fadromat nuk kishin rrëzuar asnjë shtëpi, por vetëm muret rrethuese. Sipas banorëve, Bashkia e Tiranë kërkon të zgjerojë rrugën Bardhok Biba, por edhe rrugën Urani Pano, që sipas tyre nuk ekziston më si rrugë, pasi është zënë nga pallatet. Disa makina të vogla ngarkonin mbetjet e prishjesh, ndërsa pritej të fillonte puna për sistemimin e kësaj rruge, e cila do të përdoret për kalimin e automjeteve nga Bulevardi Zogu i Parë për të dalë prapa Pallatit të Kulturës.
Ndërkaq gjatë paradites banorët protestuan ashpër dhe kërkuan që fabromat të ndalnin punën. Ata u mbështetën edhe nga Kryetari i Partisë Demokratike për Tiranë, njëkohësisht deputeti Aldo Bumçi. Ai deklaroi para mediave se Bashkia e Tiranës po prish pa të drejtë banesat e tyre, ndërsa shtoi se do të kërkohet llogari në Këshillin Bashkiak të Tiranës. “Prona është e shenjtë. Si deputet i PD dëshiroj të siguroj këta banorë që e drejta do të shkojë në vend. Ne do të vendosim në lëvizje gjithë mekanizmat, Këshillin Bashkiak dhe çdo mekanizëm tjetër, që e drejta të shkojë në vend dhe që njerëzit që kanë bërë këtë akt kriminal të shkojnë para drejtësisë”, deklaroi Bumçi.
Drejtori i Inspektoratit, Kaja: Nuk prishëm shtëpi
Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor të Tiranës, Ardit Kaja deklaroi dje për gazetën “Panorama” se Inspektorati veproi sipas ligjit për prishjen e objekteve në qendër të Tiranës. Ai tha se KRRT-ja e Tiranës ka vendosur që ajo hapësirë të kthehet në një rrugë për automjetet. Drejtori tha se Inspekorati nuk prishi asnjë banesë banimi, por vetëm mure rrethuese që sipas tij “ishin dërrasa të kalbura”. “Nuk më takon mua të merrem me shpronësimet. Detyra ime është me objektet”, tha drejtori Kaja. Ai shpjegoi se punimet po ndërmerren në kuadër të sistemimit të Sheshit Skënderbej. “Do të jetë një rrugë provizore për trafikun”, tha Kaja. Ky zgjerim rrugë do të ndihmojë në lehtësimin e trafikut pas bllokimit të Sheshit Skënderbej. Automjetet që do të vijnë nga Bulevardi Zogu i Parë, do të kalojnë në këtë segment dhe do të dalin pas Pallatit të Kulturës. Në këtë mënyrë do të shmanget kalimi në Sheshin Skënderbej. Punimet në sheshin Skënderbej kanë qenë pjesë e debateve politike në ditët e fundit, mes maxhorancës dhe opozitës. Fillimisht, Ministria e Transporteve nisi punën për asfaltimin e sheshit, ndërsa më pas Bashkia e Tiranës nisi punën për zbatimin e projektit, për sistemimin e plotë të sheshit, sipas planit fitues të një studioje belge. Kryeministri Sali Berisha doli kundër projektit, duke kërkuar një studim të trafikut, si dhe kthimin e tregut në këtë shesh. Deputetët e opozitës kanë deklaruar se Bashkia e Tinës ka vepruar sipas projektit të miratuar në KRRT-në e Tiranës, ku edhe Qeveria ka përfaqësuesit e vetë. Ndërkaq, dje Inspektorati i mjedisit kërkoi pezullimin e punimeve në shesh, me argumentimin se Bashkia e Tiranës nuk ka leje mjedisore.