Artan Minarolli: QKK një bord me 8 anëtarë, një menaxhim më i mirë
Një bord me tetë anëtarë do të jetë ai që do të miratojë projektet kinematografike të filmit artistik me metrazh të gjatë, të shkurtër dhe atij dokumentar. Përjashtim do të bëjnë vetëm projektet për filmin e animuar. Kjo gjini filmi do të vazhdojë të funksionojë me një bord me pesë anëtarë, ku në ditët në vijim pritet të miratohen dhe emrat e anëtarëve të tij.
Ky vendim për shkrirjen e disa bordeve dhe të jetë vetëm një bord me tetë anëtarë që do të miratojë projekte të ndryshme filmash, u mor pas mbledhjes që u zhvillua para dy ditësh pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Kanë qenë shoqatat e kineastëve, të cilat kanë rënë dakord për një formulë të tillë. Vetë kryetari i QKK, Artan Minarolli në një prononcim dhënë për gazetën tregon se një bord me tetë anëtarë është një gjë shumë e mirë për miratimin projekteve. Sipas tij, një bord i vetëm sjell dhe një menaxhim më të mirë të punës në projektet kinematografike që paraqiten në QKK dhe kërkojnë të mbështeten financiarisht për tu realizuar. Tashmë nuk do të ketë disa borde, por do të jetë vetëm një bord me tetë anëtarë, i cili do të marrë në shqyrtim të gjitha projektet artistike. Ishin katër shoqata, të cilat e miratuan këtë, por dhe unë doja që të jetë një bord i vetëm, pasi kjo sjell dhe një menaxhim më të mirë të punës, pohon Artan Minarolli, kryetar i QKK. E ndërkohë që emrat e anëtarëve të bordit pritet të miratohen në datën 12 mars, duke bërë të mundur të marrë fund dhe pritja për të marrë vesh se cilët do të jenë ata që do të marrin në dorë projektet kinematografike shqiptare. Këshilli miratues për projektet kinematografike erdhi me tetë anëtarë për shkak se katër shoqata kineastësh propozuan nga dy emra për në bord. Kështu shoqata e kineastëve shqiptarë (2 anëtarë), shoqata e kineastëve shqiptarë "Lumiere" (2 anëtarë), shoqata e kineastëve dhe producentëve shqiptarë (2 anëtarë) dhe shoqata "Lidhja e Kineastëve të Filmit Dokumentar" (2 anëtarë). Për të arritur me një bord prej tetë anëtarësh, Minarolli që kur u zgjodh kryetar i QKK ftoi të gjitha shoqatat për të biseduar për idetë dhe strategjitë e Qendrës Kombëtare Kinematografike, një kërkesë për bashkëpunim që gjatë këtyre ditëve u shkojë shoqatave të kineastëve shqiptarë. Para se të arrinte këtu kryetari i QKK shprehet se në këtë mënyrë arrij të formuloj idetë e mia dhe të jem në sinkron me kërkesat e kineastëve. Por në fokus të punës së tij ka qenë gjithmonë dhe menaxhimi më i mirë i fondeve publike. Me miratimin e bordit prej tetë anëtarësh pritet që të nisë dhe shqyrtimi i projekteve kinematografike, gjë e cila pritet të diskutohet në muajin qershor. Në mbledhjen që u zhvillua në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë pjesëmarrës ishin: kryetari i shoqatës së "Kineastëve Shqiptarë" Ndriçim Xhepa, kryetari i shoqatës "Lidhja e Kineastëve të Filmit Dokumentar" Esat Ibro, kryetarja e "Kineastëve dhe Producentëve Shqiptarë" Sabina Kodra, kryetari i shoqatës së "Kineastëve të rinj Belmond" Jonid Jorgji. Në mbledhjen që u zhvillua në QKK ishte i pranishëm dhe Kujtim Çashku, kryetari i shoqatës "Lumiere", por mësohet se ai bojkotoi atë, por ajo u bojkotua dhe nga kryetari i shoqatës "Lidhja e Kineastëve dhe Filmit Dokumentar" Esat Ibro, që ikën pa e firmosur vendimin e Qendrës. Bordet e deritanishëm kanë qenë të përbërë me 7 anëtarë (për Filmit Artistik) dhe 5 anëtarë (Filmi i Animuar, Filmi Dokumentar). Ndërkohë që pritet miratimi i emrave të bordit që do të miratojë projektet kinematografike, pranimi i vendit tonë në Eurimage sjell një mundësi më shumë për kineastët shqiptarë. I gjendur vetëm para disa ditësh në Tiranë sekretari i përgjithshëm i Eurimage Roberto Olla bëri të ditur se çfarë përfitojnë kineastët shqiptarë nga kjo strukturë europiane. Në fjalën e tij ai theksoi se Eurimage do të jetë një dritare e hapur për kinematografinë shqiptare, duke vënë theksin se mbështeten projekte me mesazhe universale, por dhe cilësore. E ndërkohë duket e muaji mars për kryetarin e QKK ka sjellë shumë punë, ku një pjesë e tyre ka konkretizuar dhe idetë që vetë ai pati kur u vendos në krye të saj.
Nga Julia Vrapi