E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreshjet e shiut, shembet muri rrethues i lagjes Kala

Mot i keq dhe me reshje të shumta gjatë ditëve të fundit është bërë shkak për shembjen e një pjese të murrit rrethues në pjesën perëndimore në lagjen Kala të qyteti të Beratit. Duket se pas lagjes Mangalem që për pasojë të reshjeve të dendura, rrezikohet shkëputja e masiveve të shkëmbinjve dhe masiveve të dherave që ndodhen mbi këtë lagje,

tashmë është lagja muze e kalasë ajo që rrezikohet nga i njëjti fenomen, këtë radhë nga rrëshqitja e një pjese të murit rrethues në pjesën perëndimore të saj. Burimet zyrtare të bashkisë së qytetit thanë për gazetën se mëngjesin e djeshëm punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në këtë qytet kanë parë se një pjesë e murit rrethues në pjesën perëndimore të kalasë ishte shembur, ndërsa pjesa tjetër ishte bërë gati që të shembej. Menjëherë në vendin e ngjarjes, në qendër të lagjes Kala kanë mbërritur specialistë të kësaj drejtori që kanë konstatuar se rreth gjashtë metra linear mur guri shekullor, kishte rënë gjatë natës, shembje e cila është shoqëruar dhe me shkëputjen e rreth gjysmë metri tokë. Banorët e lagjes kanë deklaruar se rënia e murrit mund të ketë ndodhur pas mesnate, ndërkohë që është konstatuar vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas specialistëve, shembja e murrit rrethues në sheshin e lagjes përballë bustit të Konstandinit ka ardhur si pasojë e shirave të shumtë të rënë gjatë këtyre ditëve dhe kryesisht në 48 orët e fundit. Ndonëse më parë nuk ishte parë si rrezikshmëri shembja e këtij muri, specialistët kanë vendosur tabela sinjalizuese për banorët e lagjes, por edhe për vizitorët e huaj dhe të vendit (turistët), me qëllim që mos të afrohen pranë murit të shembur. Gurët dhe një masiv dheu kanë përfunduar në faqen me pisha të kalasë, ndërkohë që sipas specialistëve, shembja e murit rrethues nuk vë në rrezik vlerat e kësaj lagje. Për të inspektuar situatën në vend ka mbërritur dje pranë lagjes Kala dhe Prefekti i Qarkut të Beratit, Konstandin Lefta, sekretari i përgjithshëm Petrit Sina dhe grupi i specialistëve. Ai deklaroi për gazetën se menjëherë sapo është njoftuar nga Drejtuesit e Monumenteve të Kulturës për shembjen e murit inspektoi situatën dhe premtoi mbështetje në investimin që do të realizohet për rindërtimin e murrit rrethues. Në lagjen Kala ka mbërritur nga Tirana edhe drejtori i përgjithshëm i monumenteve Valter Shtylla, i cili ka parë nga afër situatën dhe ka lënë detyrat konkrete se si do të veprohet së shpejti për të riparuar pa murin rrethues me qëllim eliminimin e rrezikut që mund tu kanoset dhe banorëve

A. Shehu

Last Updated on E Marte, 09 Mars 2010 22:46

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›