E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rilindësit në sytë e të sotmes vjen në Muzeun Kombëtar

Sezoni i pranverës sjell një tjetër ekspozitë në kryeqytet. E veçantë për punimet e saj, por dhe për atë që autori ka dashur të përcjellë tek publiku. Nën titullin Rilindësit në sytë e të sotmes vjen ekspozita e radhës në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Autori saj,  Everest Imeraj sjell punime krejt të veçanta në këtë ekspozitë, të cilat që në ditën e hapjes së saj ngjallën kureshtje tek publiku artdashës. Artisti Evers Imeraj ka ekspozuar punimet e tij në të cilat mbizotëron ngjyra e bardhë dhe e zezë, ndërsa ato që binin më shumë në sy ishin ndërtimi i portreteve të rilindësve me copa dërrasash. Koncepti kuratorial i ideuar nga Imeraj paraqit për vizituesit rilindësit e deformuar në sytë e neomodernes në kuadër të relativizmit ekstrem. I pyetur rreth tematikës së ekspozitës Imeraj tha se po bëhet shumë kohë që vihet re një mohim i dhimbshëm i zanafillës tonë. Mohohen eterit e kombit, deformohen ose keqpërdoren nga shoqëria jonë. Ky është një nga burimet e konfliktit që ka sot shoqëria shqiptare. Ndër përfaqësuesit e brezit të ri relativisht shqiptar ka dhe nga ata që thonë vafshi në djall rilindësve. Në fakt ky është një reflektim natyral që unë e kam pasqyruar në bardh dhe zi në pikturë. Ngjyrat bardh dhe zi në pikturë synojnë dhe dëshmojnë kontrastin e njeriut portret që me egërsinë dhe me rebelimin që mendon që i plas botës realisht është duke goditur veten me grushte përpara një pasqyre therëse. Skulptura ime është e ndërtuar e tëra në figura gjeometrike dhe gjuhësore. Më tej ai vijon të tregojë se frymëzimi i tij në realizimin e kësaj ekspozite lidhet gjithashtu edhe me zhvillimin e kohëve të fundit, ku përballen dy botë ajo e kaluar dhe ajo e sotme, të cilat në një moment bien në kundërshti me njëra-tjetrën. Me kalimin e viteve bota po shkon drejt një zhvillimi marramendës, natyrisht që çdo gjë e re bie në kundërshti me të vjetrën, duke lënë pasojat e saj të paevitueshme në kohë, duke u nisur nga ngjarje të ndryshme, dhe e reja ulet në vendin e saj, pohon artisti. Ekspozita Rilindësit në sytë e të sotmesdo të qëndrojë e hapur për publikun dhe disa ditë të tjera, duke sjellë në kryeqytet punime të realizuara me mjeshtëri por dhe interesante të artit pamor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›