Artefaktet e Kosovës

Artefaktet e gjetura në Gjermani është vërtetuar se i takojnë Kosovës. Edhe pse, pasi ishin gjetur nga autoritetet gjermane, kishte pasur dyshime se ato janë të Kosovës, kjo është vërtetuar vetëm para disa ditësh nga grupi i ekspertëve kosovarë, të cilët morën pjesë, javën e kaluar, në një takim në Ministrinë e Artit dhe Shkencës të Landit të Essenit në Wiesbaden të Gjermanisë.
Grupi i ekspertëve nga Kosova, në përbërje të arkeologëve Kemajl Luci dhe Luan Gashi, si dhe Jehona Shyti, këshilltare politike dhe shefe e kabinetit të ministrit të Kulturës, në takimin që u mbajt në Ministrinë e Artit dhe Shkencës së Landit të Essenit, me zëvendësdrejtorin për Trashëgimi Kulturore në këtë ministri, koordinatorin për çështje të trashëgimisë kulturore të Landit të Essenit si dhe me ekspertë të arkeologjisë, vlerësuan se artefaktet janë të Kosovës. Këtë e konfirmoi për Express Jehona Shyti, këshilltare politike e ministrit Memli Krasniqi. Sipas saj, konkluzioni i dy palëve ka qenë që këto të kthehen në Kosovë, mirëpo shtoi se e para që është dashtë të bëhet në krejt këtë proces ka qenë që të vërtetohet a i përkasin trashëgimisë kulturore të Kosovës.
“Konstatimi i palës gjermane ishte se këto mund të jenë me prejardhje nga Kosova, ndërsa ekspertët tanë e kanë dëshmuar se ato janë me prejardhje nga Kosova dhe realisht edhe pala gjermane është pajtuar. Arsyetimet dhe argumentimet kanë qenë shumë të forta. Përfundimet e takimit kanë qenë që këto artefakte i takojnë trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe janë të periudhës së Vinçës, d.m.th. janë prej baltës”, theksoi Shyti.
Këto artefakte janë gjetur rastësisht në vitin 2007 gjatë hetimeve që zhvilloheshin ndaj një personi me nënshtetësi serbe. Edhe pse zyrtarët e Landit të Essenit kishin dyshuar se artefaktet janë të Kosovës, ata kishin kërkuar që së pari të dëshmohet vërtetësia e origjinës së tyre dhe pastaj të caktohet termini për dorëzimin e tyre palës kosovare.
Pasi është përcaktuar që ato i përkasin trashëgimisë kulturore të Kosovës, Shyti tha se pala gjermane është pajtuar që në kohë sa më të shpejt, duke i ndjekur krejt procedurat që parashihen me të drejtën ndërkombëtare dhe me të drejtat e shteteve tona, të kthehen sa më shpejt që është e mundur në Kosovë. Mirëpo, ajo nuk përmendi ndonjë datë të caktuar se kur do të ndodhë kjo.
“Ekziston një vullnet i përbashkët që ato të kthehen në Kosovë sa më shpejt që është e mundur. Për datë nuk kisha dashtë me dhanë, mirëpo unë shpresoj që brenda këtij viti do të kthehen”, tha Shyti.
Sipas saj, dyshohet se artefaktet janë gjashtë mijë vjet të vjetra, diku rreth katër mijë vjet para erës së re dhe janë të periudhës së Vinçës, pra të neolitit.
Megjithatë, ende nuk dihet se ku do të vendosen artefaktet pasi të kthehen në Kosovë. Shyti tha se ende nuk dihet nëse ato i takojnë Muzeut të Kosovës, prandaj, sipas saj, ende nuk dihet se ku do të vendosen.
“Në këto momente nuk mund të konstatojmë se janë të Muzeut të Kosovës, pasi që nuk ka fakte që ato mund të jenë të Muzeut të Kosovës. Do të vendosen në muze apo varësisht ku e kanë vendin, pasi që disa prej figurave tjera me gjasë mund të jenë të rajonit të Mitrovicës dhe sigurisht se do të vendosen aty ku e kanë vendin. Varësisht si i përcaktojnë arkeologët, ato do të vendosen në hapësirat që u takojnë”, tha Shyti.
Mendohet se diku kah shtatori apo tetori të organizohet një takim zyrtar, ku pala gjermane do t’ia dorëzojë ato palës kosovare.