Gati për NGOM Fest
Sipas organizatorëve, në gjashtë skena të ndara do të performojnë në numër i madh grupesh dhe DJ’sh nga Kosova, rajoni e bota, duke krijuar kështu një kremte të veçantë muzikore në Prizren. E veçanta është se sivjet nuk do të mungojë as muzika klasike. Edhe për të organizatorët kanë paraparë një skenë.
Skenat dhe ngjarjet
Organizatorët e festivalit janë përkujdesur që adhuruesit e secilit zhanër muzikor të kenë skenën e tyre të ndarë, në mënyrë që të mos krijohet tollovi e panevojshme në kërkim të asaj që dëshirohet të dëgjohet.
Kështu, për shembull, Skena në Shatërvan është paraparë për adhuruesit e muzikës pop dhe rok.
Gjatë tre ditëve të festivalit aty pritet të performojnë grupe dhe muzicientë të shumtë nga Kosova, rajoni e më gjerë, si Zig Zag Orchestra (RKS), Humus (RKS), Freelancers (RKS), Blla Blla Blla (MKD), Parussion (MKD), Bon Bon Band (ALB), The Abroad Suspects (ALB), OM Kuartet (RKS), Andos (RKS), Genc Salihu (RKS), Momento (GRE).
Skena e dytë është ajo tek ish-Parkingu, e cila paraparë për adhuruesit e muzikës alternative. Aty do të performojnë Golem (CRO), Bim Bima (RKS), Who’s Electro (CH), The Bloody Foreigners (UK), Calibro 35 (ITA), Kirik Cizgi (TR), Public Service Broadcasting (UK), Zaa (SRB), Gipsy Groove (RKS).
Nga ana tjetër, në skenën e tretë gjegjësisht Skena në Marash, u është dedikuar adhuruesve të muzikës elektronike. Organizatorët paralajmërojnë se aty do të performojnë DJ të shumtë nga Kosova, rajoni e bota, si Darren Emerson (UK), Luke Fair (CAN), Randall Jones (USA), Louis Junior (ESP), Likatek (RKS), Jona Plumbi (AL), Digital Buda (RKS), DJ Extention (BeH), Panda (RKS) dhe DJ Wiggi (RKS).
Skena tek NGOM Caffe – që ndryshe quhet Reggae Skena – sivjet do të sjellë një numër të madh artistësh të këtij zhanri muzikor. Në skenën e improvizuar mbi Lumbardh do të interpretojnë reggae-grupe nga shtetet e rajonit, si Irie Fm (SRB), Alien No.155 (AL), Soultrain Sound (Mr.Rez&Roots Raid) (AL), FingersClear (AL), etj.
Risi e edicionit të sivjetmë është Skena e Muzikës Klasike. Kjo skenë është vendosur brenda sallës së koncerteve të Shkollës së Muzikës ‘Lorenc Antoni’, ku është paraparë që artistët e muzikës klasike të performojnë vepra të kompozitorëve të njohur botërorë. Dihet se Prizreni ndër vite ka kultivuar vlera të muzikës klasike, meqenëse nga shkolla e këtushme e muzikës – që është e para e këtij lloji në Kosovë - kanë dalë emra të njohur të këtij zhanri muzikor. Së këndejmi, në ditën e dytë të festivalit, tingujt e pianos, kitarës, flautit e violonçelit, artistët do t’i ndajnë me adhuruesit e muzikës klasike.
Duke qenë edhe vet Festivali i Muzikës dhe Aktivizmit – NgomFest është një nismë e të rinjve, e cila ka për synim nxitjen e të rinjve për të jetuar sa më tepër në mënyrë pozitive dhe për të kultivuar vlera të vërteta të artit, qëllimi i Promo Skenës (që është skena e gjashtë e festivalit) është pikërisht krijimi i mundësisë për promovimin dhe performimin e artistëve të rinj në një skenë të vërtetë. Prandaj, kjo skenë është paraparë që të jetë nikoqire e shumë grupeve të reja nga Kosova dhe nga jashtë.
Ndryshe, gjatë festivalit do të mbahen edhe shumë aktivitete të tjera përcjellëse, që kryesisht kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit dhe me promovimin e trashëgimisë kulturore të Prizrenit dhe të vendit në përgjithësi. Në këtë kontekst, vlen të përmenden: punëtoria e riciklimit, punëtoria e muzikës, ekspozita e fotografisë - Historia e Muzikës së Qytetit, Ekspozita e Objekteve të Ricikluara, ‘Qyteti i Biçikletave’, ‘Koleksionet e Disqeve’, dhe Pastrimi i Qytetit dhe Mbjellja e Fidanëve.