E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti i Lubonjës dhe pesë piktorëve

Vepra e artit buron prej një skenari të cilin artisti e projekton mbi kulturën, të parë si korniza e një rrëfimi, i cili nga ana e tij projekton skenarë të rinj të mundshëm, në lëvizje pa mbarim.

Fjala e shkruar… e vizatuar… Fjala – Shenjë, Fjala – Imazh… janë një pafundësi shenjash komunikimi qysh nga kohët më të hershme deri në “ditët tona” ku fokusohet Ekspo“FJALA”, pra “akti” ynë artistik në transcendencë me Futurizmin, Dadaizmin, Surrealizmin apo Fluksus… me Artin Konkret të viteve '50 ku artistët analizuan tipografinë dhe germëzimin të udhëhequr nga teoritë e psikologjisë së Geshtaltit dhe shkrimit automatik duke refuzuar publikisht shprehitë artistike dhe ideologjike të realizmit socialist… dhe më tej me kërkimet artistike Pop dhe Neo Pop që ironizojnë me “sloganin” dhe me “logon” jo më thjesht si shenjë identifikimi por si shenjë kontrolli… Konceptualët e përdorin veprën e artit si “Arkiv Informacioni” e deri tek CyberArt-i, një portë sapo e hapur për t’u eksploruar nga artistët duke shtruar pyetjen:

“A nuk është arti një loje midis njerëzve të të gjitha epokave?” (Marcel Duchamp)

Ekspozita “FJALA” është ndërtuar si proces mbi eksperiencat thellësisht të ngushta të artistëve, si instrument efikas i përvojës njerëzore në raport me një situatë të caktuar, si mundësi për të lënë gjurmë, për shfaqur dhe publikuar edhe vepra të paekspozuara dhe pikante të asaj pjese të historisë që nuk u la kurrë të rrëfehet përgjatë viteve të diktaturës (gjysma e dytë e shek. XX), pra janë faqe e “Ditarit” njerëzor që “Artisti” ka grisur disa prej tyre për t'ia shfaqur publikut, sepse “Janë shikuesit ata që e bëjnë tablonë”, ku teksti vjen si kontekst i përjetimeve të historive të ndryshme njerëzore që shpesh kanë orientim dokumentar apo simbolik… ose me anë të dekonstruksionit të fjalës dhe përmbajtjes së saj, duke e shndërruar atë (fjalën) në një qenie fizike, që merr frymë… në pjesëz shpirtërore që mëshiron veprën e artit!... tek e fundit: Kryesorja në art është të zbulojmë esencën shoqërore, morale e psikologjike të jetës intime të njerëzve dhe të marrëdhënieve të tyre, që artin do ta pasuronte shpirtërisht dhe estetikisht. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›