Një mbrëmje me “Kamersolistët e Ausburgut”
Pas udhëtimit të stërgjatë në skena të ndryshme të botës, kësaj here do të jetë radha e Shqipërisë. Debutimi i 150 koncerteve nuk e pengon atë të ndalojë qoftë për një natë edhe në vendin tonë, për të dhuruar një mbrëmje me muzikë klasike. Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, “Kamersolistët e Ausburgut” janë të ftuarit e radhës për të interpretuar në skenë tradicionale. Një nga formacionet gjermane më prestigjioze do të luajnë vetëm për mbrëmjen e 22 tetorit në TKOB, nën dirigjimin e mjeshtrit të madh Hermann Mayer. Ai njihet gjithashtu edhe si çelosolist i Orkestrës Simfonike të Hamburgut, Bambergut etj., ndërkohë që në këtë mbrëmje koncertore ka përzgjedhur një repertor të veçantë muzikor. Në program ai do të interpretojë vepra nga: A. Vivaldi, J. S. Bach, W. A. Mozart, G. Donizetti, E. Mahle, A. Dvorak, e shumë të tjerë. Mbrëmja e tij koncertore në Shqipëri nuk do të mjaftohet vetëm me skenën e TKOB-së në Tiranë. Turi i tij do të udhëtojë edhe në disa prej skenave më të njohura, në qytetet shqiptare. Pas debutimit klasik në kryeqytet, mjeshtri Hermann Mayer do të niset menjëherë në drejtim të qyteteve të tjera si Shkodër, Durrës, Fier dhe Korçë.