E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti kontrovers i Hirst

Përkundër kritikave të ashpra dhe pluhurit që vazhdimisht pas vetes ngrisin veprat e tij, Damien Hirst ekspozon në galerinë e njohur londineze Tate Modern, nëpërmjet një retrospektive të madhe të tij.

Ka mbi 20 vjet që gjithçka që bën ose deklaron Damien Hirst nxit vëmendjen e mediave. Për këtë meritat i takojnë provokimeve të artistit, që janë prezente qoftë në paraqitjet e tij publike ose në veprat e tij artistike. Megjithëse, vëmendja nuk nënkupton respekt. Kështu, për shumëkënd Hirst mbetet vetëm një milioner që di si të shfrytëzojë mediat dhe kërkesat e konsumuesve të artit.

Namit të tij të keq i kontribuon edhe industrializimi i krijimeve të tij, për të cilat janë meritorë shumë ndihmës, të punësuar në studion e tij gjigant.

Mirëpo, se ekspozita e tij në Tate Modern mund t’i shërbejë shumëkujt si befasi e këndshme aludojnë disa teste kritik.

“Retrospektiva përmban disa nga veprat më të hershme të Hirst, nga të cilat lehtë lexohet origjinaliteti kompleks i tij”, shkruan kritiku i gazetës ‘The Telegraph’, Richard Dorment. Hirst preokupohet me katër tema: vdekjen, gjykimin, ferrin dhe parajsën, sqaron Dorment, duke nënvizuar se kjo është gjithnjë e qartë, edhe pse ekspozita në Tate tenton që vizitorit t’ia bartë një sferë më të thellë të krijimit të artistit.

Me kafshët e tij në formaldehid, të vendosura në vitrina të xhamit, Hirst gjeti një mënyrë efikase që t’i përballë njerëzit me zbrazësinë e vdekjes, me përfundimin dhe qetësinë e saj.

Në veprat me flutura dhe miza, insektet fillimisht i kultivon dhe i ushqen, e pastaj i shikon ftohët derisa ngordhin duke luajtur rolin e Zotit, i cili nga njëra anë jep, e nga tjetra merr shpirt, sqaron Dorment.

Në kuadër të ekspozitës në tate vizitorët mund të shohin edhe veprat që nëpër ankande kanë arritur shuma marramendëse.

Publikut britanik për herë të parë do t’i prezantohet kafka 'For The Love of God' (2007), e mbuluar me diamante, që u shit për 50 milionë funte.

Do të ekspozohen edhe skulpturat nga seria 'Natural History' (mes tyre edhe peshkaqeni në formaldehid), por edhe instalacionet 'Pharmacy' dhe 'A Thousand Years' (1990), një vitrinë e xhamit e ndarë në dy pjesë – gjysma e së cilës përmban miza, e gjysma tjetër një kokë lope, që paraqet ushqimin për to. Për të mbijetuar mizat duhet të gjejnë rrugën deri te ushqimi, por edhe t’i shmangen ‘prerësit të insekteve’.

Retrospektiva e parë e Hirst, që konsiderohet artisti më i pasur britanik, do të zgjas deri në muajin shtator.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›