E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti në poç

Ndoshta keni parë një anije brenda shishes, por nuk keni parë Kullën e Ajfelit apo atë të Pizës brenda një poçi elektrik. E këto e shumë gjëra tjera të futura brenda poçit mund t’i shihni në fotografitë e Adrian Limanit.

“Pasioni im është fotografia. Më pëlqen të shëtis dhe të fotografoj nëpër vende të ndryshme të botës. I bëj fotografitë me dashuri, kështu që nganjëherë tentoj t’i shndërroj në objekte të artit”, kështu shkruan në një profil të tij fotografi nga Presheva Adrian Limani.

Edhe pse është 21-vjeçar, Limani ka arritur të bëjë diçka që ende nuk e ka bërë askush tjetër. Ai i ka futur nëpër poçe elektrike Kullën e Ajfelit, Statujën e Lirisë, Kullën e Pizës, flamurin shqiptar, një anije, dy shqiponja, një zog pule e shumëçka tjetër. Madje në një poç e ka futur edhe hënën e plotë. E si ka arritur ta bëjë këtë tregon vet Adriani.

Për t’i krijuar këto imazhe ai i kombinon dy apo tri fotografi. Ai thotë për Express se për krijimin e atyre fotografive nevojitet ndihma e aplikacioneve dhe ai të cilin e përdor më së shumti është Photoshop.

“Nuk është edhe shumë e lehtë sepse të nevojitet material dhe gjera interesante që rrinë bukur brenda poçit. Procesi zakonisht zgjat nga 30 minuta deri në një orë ose ndonjëherë edhe më shumë”, thotë Limani.

Para se të merrej me kategorinë ‘FineArt’ Limani është marrë vetëm me fotografimin e gjësendeve të ndryshme dhe po ashtu ka bërë fotografi vetëm të poçeve pa ndonjë efekt.

“Kur vendosa të bëj fotografi në kategorinë e ‘FineArt’ mendova ta përdorja formën e poçit për të futur gjësendet brenda në të sepse ka një formë interesante”, thekson Limani. Kësisoj ai po e krijon një botë të vetën në miniaturë dhe po e fut në poç elektrik. Idetë e frymëzimit atij zakonisht i vijnë nga librat, muzika, filmat dhe nga hapësira në të cilën jeton.

Edhe pse deri më tani ka bërë një numër të konsiderueshëm të fotografive të ndryshme artistike, Limani ende nuk ka hapur ndonjë ekspozitë personale, por shpreson se do ta bëjë këtë më kalimin e kohës. Megjithatë, atij nuk i është nevojitur hapja e ekspozitës për t’u bërë i njohur. Tashmë ai njihet edhe jashtë kufijve. Kjo falë një shkrimi të botuar para disa ditësh në gazetën britanike ‘Daily Mail’, ku krahas tekstit janë botuar edhe disa fotografi të Adrianit. Menjëherë pas publikimit të shkrimit në ‘Daily Mail’ shumë media botërore online e kanë publikuar po të njëjtin artikull. Pas këtij artikulli ai ka marrë lëvdata të shumta.

“Natyrisht se publikimi në një gazetë të madhe siç është ‘Daily Mail’ zgjon kureshtjen edhe të shumë mediave tjera, edhe të atyre shqiptare, të cilat pothuajse një javë rresht e kishin këtë lajm në qendër të vëmendjes. Natyrisht që kam marrë shumë lëvdata sepse ishte diçka shumë e madhe, se nga vendi ku jetoj është pothuajse e pamundur të depërtosh jashtë kufijve, sidomos në një ndër gazetat më të mëdha botërore. Mirëpo, tani jam i lumtur që arrita pothuajse të pamundurën nga vendi ku jetoj”, thotë Adriani, i cili aktualisht jeton në Preshevë dhe është student i rregullt në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ai shton se deri më tani është i kënaqur edhe me komentet e publikut, pasi që puna e tij është e pëlqyer edhe në portale dhe uebsajte tjera internacionale dhe kjo e bënë atë të ndihet mirë dhe i jep kurajë të vazhdojë më tutje me gjera të reja e interesante.

Midis punimeve të tij, Adriani ka bërë edhe një imazh të një poçi elektrik me flamurin kombëtar në të dhe e ka vendosur në vend të shkronjës O në Google. Me këtë ai thotë se ka dashur ta shpërndajë mesazhin që të nënshkruhet një peticion për ta shfaqur në websajtin e Google më 28 nëntor ndonjë emblemë ose simbol kombëtar shqiptar. Ai thotë se këtë imazh nuk e ka bërë me qëllim që ky të shfaqet në Google por vetëm të sensibilizojë opinionin.

“Ideja nuk ishte që kjo të shfaqet në imazhin e Google, pasi që forma e poçit nuk simbolizon diçka nga kombi ynë, edhe pse ideja e germës O i përshtatet formës së poçit dhe do dukej bukur mbase me ndonjë simbol kombëtar në të, por nuk mendoj se do të shfaqet”, thotë ai. Adriani shpreson se në të ardhmen do të marrë pjesë në ekspozita ndërkombëtare dhe do të bëhet një artist i njohur.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›