Arti pers flet shqip
Një botim në shqip, i pajisur edhe me ilustrime fotografike, shpalos për lexuesin historinë e artit pers. "Një hyrje në artin islamik pers", i autorit Mahnaz Shajestehfar, përkthyer në shqip nga Migen Sulaj, është një botim i "Ideart" nën kujdesin e fondacionit kulturor "Saadi Shirazi" në Tiranë. Arti iranian i ka rrënjët e veta te historia dhe kultura mijëravjeçare e këtij vendi dhe, për këtë arsye arti mund të konsiderohet pasqyra me pamje të plotë e kësaj kulture dhe mbase mund të konsiderohet si treguesi më shprehës i kulturës së tij. Libri dëshmon rrjedhën historike të artit që fillon nga koha e Persisë antike, vazhdon me periudhën islamike dhe vijon deri në ditët tona, periudha të cilat janë të shoqëruara me informacione dhe dokumente të plota artistike, pa lënë mënjanë ndikimin e artit pers në vendet e tjera të botës. Drejtori i fondacionit kulturor "Saadi Shirazi", Shahrouz Falahatpisheh, në parathënien e librit shkruan: "Artin mund ta përkufizojmë si një aktivitet human, në të cilën njeriu me qëllim dhe dijeni dhe me ndihmën e sinjalistikës të të parit, ua transferon të tjerëve ndjesitë e veta të eksperimentuara. Në këtë përcaktim, arti nuk është vetëm element për të arritur kënaqësinë, por një element ndërlidhjeje me njerëzit".