E Shtunë, 31 Tetor 2026

Folklori mesdhetar takohet në Vlorë

Një festival folklorik do t‘u shtohet argëtimeve në qytetin e Vlorës. Katërmbëdhjetë grupe folklorike nga Bosnja, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Turqia, Italia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, do të marrin pjesë në Festivalin Folklorik Mesdhetar "Vlora 2009", që do të zhvillohet nga 1-5 gusht në qytetin bregdetar. Gjatë një konference të mbajtur dje për shtyp, drejtues të këtij aktiviteti bënë të ditura detaje të Festivalit, që ka mbërritur tashmë në edicionin e tij të pestë. Drejtori i Festivalit Folklorik Mesdhetar "Vlora 2009", Istref Dobi tha se "synimi i këtij aktiviteti është promovimi i resurseve turistike të Vlorës, i vlerave kulturore e folklorike, trashëgimisë kulturore, argëtimi i komunitetit vendas dhe pushuesve etj". Përveç aspektit argëtues, Dobi ka theksuar se folklori dhe traditat i bashkojnë njerëzit dhe ky do të jetë një nga mesazhet që do të përcjellë aktiviteti. Ndërsa në fjalën e tij, drejtori artistik i festivalit, prof. Ermir Dizdari, u shpreh se "krahas vënies në pah të vlerave kulturore, ky aktivitet do të shërbejë edhe si një urë komunikimi mes popujve të rajonit". Në funksion të këtyre mesazheve, është zgjedhur dhe përcaktuar dhe emblema e këtij aktiviteti; një anije me vela që simbolizon urën e komunikimit dhe bashkëpunimit mes popujve të Mesdheut. Për zhvillimin e Festivalit, janë përzgjedhur skena verore në tre sheshe të qytetit. Krahas tyre janë përzgjedhur dhe dy pika të tjera në mjediset e Parqeve Arkeologjike të Orikumit dhe të Apolonisë (Fier), të cilat në ndryshim nga viti i kaluar janë përfshirë në gjeografinë e aktiviteteve. Në këtë aktivitet Shqipëria do të prezantohet me ansamblin "Labëria". Festivali Folklorik Mesdhetar "Vlora 2009" organizohet nga Bashkia, Qendra Kulturore Vlorë dhe shoqata "Alb-Mediterraneo".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›