E Diel, 1 Nëntor 2026

Klaudia Mori: Jam me fat që kam zgjedhur Adrianon. Kam qenë gjithmonë vetvetja

Thonë se është një grua shumë kërkuese, fillimisht me të tjerët e më pas me veten dhe e mbron deri në fund atë që bën. Klaudia Mori ka punuar gjithmonë përkrah të shoqit, Adriano Çelentano, në variete; ka kënduar dhe aktruar me të. Si producente filmash ka treguar se ka karakter, duke sjellë në skenë historitë e De Gasperit, Ajnshtajnit, Basalias. Gjithmonë ka qëndruar larg objektivit të telekamerave, por prej 10 shtatorit do të jetë pjesëtare e jurisë së spektaklit "X-Factor" në vendin e moderatores Simona Ventura.

Zonja Mori, pse pranuat të bëheshit pjesë e spektaklit "X-Factor"?

Ndoshta nga kurioziteti. Kur regjisori i spektaklit më propozoi të zija vendin e Simona Venturës, i thashë: "Pse pikërisht mua?". U bë shumë kohë që jam larguar nga jeta publike dhe kjo ka qenë një zgjedhje e imja. Më tha se isha personi i duhur për të qenë pjesë e këtij spektakli, kam kompetencë, popullaritet dhe simpatinë e publikut. Për simpatinë e publikut ka të drejtë, ndërsa të tjerat duhen verifikuar. Ndoshta mund të jem komplet ndryshe nga ajo që njerëzit janë mësuar të shohin në televizor, mund të mos jem personi i duhur për këtë program. Ja përse jam kurioze. Shpresoj të mos i zhgënjej organizatorët, të cilët më kërkuan me aq shumë dëshirë.

Çfarë mendoni për spektaklet e talenteve të reja?

Për spektaklet e talenteve, në përgjithësi, për atë çka propozojnë dhe se si realizohen, nuk kam ndonjë mendim të mirë. Por natyrisht që "X-Factor" është ndryshe nga të tjerët. Për mendimin tim është më i miri dhe ka karakteristika e mundësi për të qenë një trampolinë për talentet e reja. Vështirësia qëndron te gjetja e këtyre talenteve.

Çdo të thotë për ju talent?

Ndryshimi, të qenit unik. Nuk është e thjeshtë ta dallosh, madje shpesh nënvlerësohet. Disa artistë jashtëzakonisht "të veçantë" mund të të zhgënjejnë.

Si mendoni se do të ndiheni përkrah dy kolegëve të tjerë?

Nuk pres asgjë të veçantë, por mendoj se do të kemi simpati për njëri-tjetrin. Pastaj, nëse gjërat nuk shkojnë mirë, mendoj se do të jem në siklet. Kështu do të ndihen edhe ato.

Me ardhjen tuaj në program do të ketë ndryshime në format?

Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë në të ardhmen. Të paktën kështu më rezulton mua. Nuk jam në brendësi të gjërave, por nëse do të ndodhë ndonjë ndryshim, shpresoj të jetë për mirë. Unë nuk kam propozuar asgjë në këtë drejtim, por i kam vënë në dijeni autorët dhe producentët se zgjedhja ime për këngëtarë do të jetë tepër selektive.

Është e vështirë të jesh guraja e Adriano Çelentanos?

Kurrë nuk është e lehtë të jesh bashkëshortja ose bashkëshorti i dikujt, të ndash jetën me një person tjetër, me të cilin vendos të martohesh në një moment pasioni. Jeta bëhet më e vështirë me kalimin e viteve dhe nëse nuk ke një dashuri e pasion të madh, është shumë e thjeshtë të arrish te ndarja. Sot është më e vështirë të gjesh motivet për të qëndruar gjithë jetën vetëm me një njeri. Partnerët duhet ta duan shumë njëri-tjetrin, pa u kushtëzuar, të mbrojnë mendimet e tyre dhe së bashku të bëjnë zgjedhjen. Unë kam pasur fatin të mos dal kurrë nga vetvetja, të kisha mendimet e mia, të bëja zgjedhjet që doja dhe gabime gjithashtu, sepse në fund të fundit jemi njerëz. Nuk ka qenë e lehtë, por unë dhe Adriano ia kemi dalë mbanë për meritën e të dyve. E kemi mbrojtur gjithmonë pa hipokrizi dashurinë që na bashkon prej 45 vjetësh, duke dëshiruar të jetojmë përgjithmonë bashkë.

Ǒpërgjigje u jepni atyre që thonë se ju jeni Joko Ono italiane?

Nuk di çfarë të them, sepse në fund të fundit është një mendim i pakuptimtë dhe maskilist. Nuk kam dëgjuar kurrë të bëjnë të njëjtat krahasime për një mashkull. Është e vështirë për t‘u pranuar që një grua është shumë e zonja, pavarësisht nga roli i saj si bashkëshorte. Në fund, kur reflekton, vëren se ekziston gjithmonë kjo lloj sarkazme e bezdisshme edhe nga ana e femrave kundrejt femrave të tjera. Joko Ono më pëlqen dhe mendoj se është një grua shumë e zgjuar.

Bota e muzikës ka ndryshuar për mirë apo për keq?

Mendoj për keq. Para së gjithash mungojnë shtëpitë e vërteta diskografike. Tani ka financues që nuk e duan muzikën dhe pseudoartistë që nuk kanë fare lidhje me kulturën dhe artin.

Bashkëshortja

Kurrë nuk është e lehtë të jesh bashkëshortja ose bashkëshorti i dikujt. Ne të dy e mbrojmë dashurinë tonë që prej 45 vjetësh

Joko Ono

Ata që më akuzojnë se jam si Joko Ono u them se janë maskilistë. Unë jam një profesioniste e zonja



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›