E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një katalog për Alban Hajdinaj

Një takim përmbyllës do të organizohet në Venecia të Italisë për artistin shqiptar, Alban Hajdinaj. Në galerinë "Kontemporane", aty ku Hajdinaj ka çelur prej 6 qershorit një ekspozitë vetjake, do të promovohet katalogu i artistit. Kuratori i ekspozitës Riçardo Caldura dhe kritiku i artit Daniela Capra do të referojnë mbi artin e tij. Me ekspozitën e cila do të mbyllet nesër, Hajdinaj propozoi vepra të punuara mes viteve 2003 - 2009. I njohur në vendin fqinj edhe për pjesëmarrjet e tij në aktivitete ndërkombëtare të organizuara aty, siç është manifestimi "Manifesta 4" apo ekspozita kolektive "Eurasia", Hajdinaj ka marrë pjesë edhe në Bienalen e Venecias në edicionin e 52 të saj në vitin 2007. Punët e tij shpërfaqin në mënyrë thelbësore natyrën e imazhit: mënyra se si përdoret prej botës së konsumit dhe të publicitetit në ndërveprim me sjelljet sociale dhe aftësitë për t‘u transformuar. Në shkrimin kritik kushtuar ekspozitës së tij thuhet se interesante për t‘u parë janë pikturat në pastel, ku shpërfaqen vende dhe imazhe të produkteve të konsumit, të cilat përcillen në mënyrë paradoksale me një sfond komunikimi artistik, ku duket se ky komunikim është legjitim dhe tërësisht i nevojshëm. Në punimet e tij tepër të kujdesshme, ndien se duhet të shikosh se çfarë fshihet përtej imazhit. Edhe videot e prezantuara në këtë ekspozitë synojnë të shpërfaqin të njëjtën problematikë. Në videon e titulluar "Alisa dhe Sarah" - (2006), një revistë me imazhe nga kampionët amerikanë të sportit të wrestling, shfletohet prej dy vogëlusheve që shoqërohet në mënyrë të paperceptueshme prej lojërave dhe komenteve që ato zhvillojnë me njëra-tjetrën, gjeste dhe komente që shtojnë tensionin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›