E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti provokon vendimet e padrejta për shqiptarë

Gedmond Lushka i përket brezit të artistëve të rinj që beson se arti mund të ndryshojë diçka. Në Itali, vendi ku ka studiuar arte në Venecia ka pasur më shumë mundësi identifikimi, prezantimi të punëve që ka realizuar. Thotë se ka marrë pjesë në shumë ekspozita të artit bashkëkohor në vendin fqinj, apo në vende të tjera me pikturat e tij. Pavarësisht mundësive që të ofron ikja nga Shqipëria (një vend ku artistët bashkëkohorë vuajnë mungesën e mundësive) Gedmondi ka zgjedhur rikthimin në këtë vend, për të tentuar të ndryshojë diçka. Ai e di se dhjetëra artistë të rinj që mbarojnë çdo vit Akademinë e Arteve, apo artistë tashmë të konfirmuar si vlera vuajnë këtu çdo ditë mungesën ne promovimit, apo të ekspozimit të veprave që realizojnë. Në Tiranë, artistët e rinj mund t‘i gjesh vetëm në biseda me njerëz të kësaj fushe, ndërsa prezantimi me punët që ata realizojnë çdo ditë duke besuar në këtë art, mund të ndodhë shumë rrallë.

Por Gedmondi nuk duket i dëshpëruar nga realiteti. Kjo, pasi ai është koshient për të. Ka ardhur në Tiranë për të promovuar vetveten dhe nuk është drejtuar as në Galerinë e Arteve për t‘i kërkuar vend për instalacionin që do të prezantojë sot, as në një institucion tjetër.

Ai e di që në Shqipëri është ende e vështirë që arti kontemporan me format e tij të konceptohet lehtë, ndaj dhe instalacioni që ai do të prezantojë sot është një lloj sensibilizimi që kërkon t‘i bëjë publikut. "Unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për ndërhyrjet artistike të të gjithë artistëve. Pikërisht për sensibilizimin e shoqërisë për ta ngritur në nivelet evropiane për sa i përket artit", thotë ai.

Sot në qendër të Tiranës, pikërisht pranë monumentit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, ai do të realizojë një performancë që ironizon në një farë mënyre konferencën e ambasadorëve në Londër më 1913.

Ai e rimerr si fakt të shkuarën për të rrëfyer të tashmen, një realitet që, sipas tij, është i tillë për shkak të vendimeve të marra në këtë konferencë. Por a duhet arti pas kaq vitesh të merret me vendimet e një konference, për të cilën janë marrë shumë analistë dhe historianë? Gedmond Lushka është vetëm 33 vjeç dhe mendon se ka të drejtë të merret me të shkuarën, përderisa ajo e ka lënduar vendin e tij.

Një flamur pëlhure 180 me 160 cm i zi me thekë të kuq dhe me mbishkrimin 1913 në të verdhë do të vendoset sot në orën 10.00 në monumentin e Skënderbeut.

"1913-a është data e copëtimit të trojeve shqiptare nga lakmia e fqinjëve tanë të dashur dhe prepotenca e fuqive të mëdha. Do të ishte mirë që çdo shqiptar ta interpretonte sipas mendimit të tij dhe nuk do të doja që ky instalacion të merrte kuptime ekstremiste nacionaliste, por thjesht të ishte një reflektim ndaj së shkuarës se si mund të ishte Shqipëria nëse nuk do të ishte copëtuar, si do të ishte shoqëria jonë nëse 1913 nuk do të kishte cenuar tokat shqiptare dhe njëkohësisht nuk do të kishte mohuar identitetin kombëtar. Çfarë zhvillimi do të kishte marrë vendi ynë nëse do të ishte më i bashkuar dhe më i plotë. Dhe normalisht nuk do të kishim pasur reprezaljet që ndodhën gjatë shekullit të kaluar, duke filluar që nga 1913-a e deri te konflikti serbo-kosovar", thotë Lushka. Për të, ky instalacion është një reflektim në emër të gjithë shqiptarëve.

Po përse zgjodhi monumentin e Skënderbeut për një rrëfim të tillë artistik? "Skënderbeu ishte i vetmi që për pak kohë mundi ta mbante Shqipërinë të bashkuar dhe të pacenuar nga çdo armik", thotë ai.

Duke e parë artin si një ndjesi, Gedmondi kërkon të përcjellin diçka nëpërmjet çdo pune. "Mendoj se është një gjë e mirë për të gjithë shqiptarët, duke marrë parasysh të gjitha ndryshimet demokratike në rajon. Do të ishte mirë që të flitej më tepër për padrejtësitë e shqiptarëve të shekullit të kaluar", thotë ai.

Instalacioni i sotëm, sipas tij, nuk ka pse të merret si nacionalizëm, dhe s‘ka të bëjë me situatën në të cilën ndodhet sot rajoni, duke pasur parasysh konfliktet në Maqedoni.

Kjo performancë është thjesht një rrëfim artistik ndaj një padrejtësie që ka sjellë pasoja që ende nuk janë rikuperuar në hapësirat shqiptare.

Ky është instalacioni i parë që Lushka e bën në zemër të Tiranës. Më pas do rikthehet sërish në Itali, për të menduar për projektin e ardhshëm që sigurisht do ta prezantojë në një kënd tjetër të hapësirës së kryeqytetit tonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›