PS: Shqipëria, pas Haitit për infrastrukturë
"Shqipëria pas Haitit e Burundit për sa i përket infrastrukturës në ndihmë të ekonomisë". Ky ishte konstatimi i bërë dje prej nënsekretarit për programit politik të PS-së, Ervin Bushati. Sipas tij, qeveria "Berisha" premtoi në programin e saj 4.000 km rrugë rurale. Ndërsa ka hyrë në vitin e fundit të mandatit, Kryeministri duhet t‘u tregojë shqiptarëve ku janë këto rrugë, të cilat ndjeshëm po frenojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe investimet e huaja. Është e pafalshme, nënvizoi ai, për "Sali premtim-bërësin" që në Studimin e fundit të Bankës Botërore për infrastrukturën në ndihmë të ekonomisë dhe tregtisë, Shqipëria renditet e 139 nga 150 vende. Bushati theksoi se kjo situatë rëndohet akoma më shumë për Kryeministrin demagog që vetëm di të flasë, por është i paaftë të mbajë atë çka thotë, kur Shqipëria në këtë studim renditet pas Tanzanisë, Eritresë, Burundit apo Haitit. Ndërsa shtoi se përpjekjet mediatike të Kryeministrit premtim-bërës, nuk mbulojnë dot faktin që gjendja reale e infrastrukturës dhe rrugëve në Shqipëri është e mjerë duke kujtuar këtu se në këtë studim fqinji ynë Maqedonia ndodhet në vendin e 90.