Legalizimet, në seancë plenare shkojnë dy variante të ligjit
Projektligji për legalizimet e ndërtimeve pa leje, i cili u kthye për rishqyrtim pak kohë më parë nga Presidenti i Republikës, është bërë objekt debati dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Deputetët e opozitës, kanë deklaruar se ata nuk ishin njohur me esencën e këtij projektligji, ndaj dhe nuk mund ta diskutonin atë. Ndërsa, kryetari i komisionit, Beja është shprehur, se sipas rregullores ky komision nuk e ka të detyrueshme njohjen me projektligjin, pasi nuk janë ato komisionet ligjërisht përgjegjëse, por është Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese. Argument i cili nuk është pranuar nga anëtarët e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, të cilët i kanë kujtuar kryetarit të komisionit, se ata janë një organ i rëndësishëm i legjislativit dhe kanë për detyrë të shikojnë e të marrin në shqyrtim nga ana ligjore të gjitha projektligjet dhe vendimet që merr Kuvendi. Por, pavarësisht këtij qëndrimi të opozitës, kryetari Beja, ka theksuar se këto pretendime mund të ngrihen në seancën parlamentare dhe nëse deputetët e vlerësojnë si të arsyeshme, le ta kthejë projektligjin për diskutim nen për nen edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Projektligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje, kthehet për herë të dytë në komisionet parlamentare, pas mosdekretimit të Presidentit Topi. Në arsyetimin e tij, Presidenti Topi, jep 13 arsyet pse nuk e dekretoi këtë ligj ku një ndër ta është edhe votimi me 52 vota nga Kuvendi. Pas kthimit të dekretit, sërish në komisionet parlamentare, mazhoranca dhe opozita në fillim të ridiskutimit lanë të kuptojnë se ka një konsensus paraprak ku do të miratojnë ndryshimet e kërkuar nga kreu i shtetit dhe shoqata e ish-pronarëve. Por kjo ide, zgjati vetëm për një ditë dhe konkretisht në mbledhjen e parë, sepse në mbledhjen e dytë të Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese u duk fare qartë se mazhoranca nuk kishte ndërmend të lëvizte nga qëndrimet e saj dhe po kështu edhe opozita. Ashtu si edhe në diskutimin e parë edhe në ridiskutimin e këtij projektligji, shkak i debatit mes shumicës dhe opozitës ishin kompetencat e pushtetit vendor. Mazhoranca këmbëngul që ato t‘i kalojnë ALUIZNI-t, e cila varet nga Kryeministri Berisha, ndërsa opozita e ka kundërshtuar një gjë të tillë. Pavarësisht diskutimeve të gjata në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, në fund të mbledhjes u ra dakord që në Kuvend në shkohet sërish me dy qëndrime, opozita me të vetin dhe mazhoranca po ashtu. Në seancën e së hënës pritet që projektligji për legalizimet të rikthehet sërish për votim ku opozita do të votojë kundër.