Rama: Berisha të bëjë sa më pak dëme
Edi Rama shfrytëzoi dje një inaugurim shkolle për t‘u kthyer përgjigje akuzave të një dite më parë, bërë nga kreu i qeverisë Sali Berisha. Përmes një aksioni pune, kryebashkiaku i Tiranës ka komentuar në mënyrë indirekte akuzën se "po merret më shumë me partinë se me bashkinë". "Këto shkolla që po ndërtojmë vijëmësisht janë pjesë e një Tirane që është bërë pasqyra e shpresës dhe së ardhmes, ku me të drejtë në fakt, Kryeministrit i duket vetja dhe qeveria e tij jashtë kohe dhe ngjyrave të së nesërmes", theksoi Rama. Ndërsa mirëkuptoi kreun e qeverisë teksa nuk lë rast pa iu referuar Tiranës si një problem që duhet ta zgjidhë ai. "Por në fakt, e vetmja gjë që ai ka për të zgjidhur është të largohet dhe t‘i hapë rrugë të ardhmes, duke u munduar që në pjesën e mbetur të mandatit të bëjë sa më pak dëme", u shpreh Rama. Deklaratat u bënë në përfundimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare "28 Nëntori". Sipërfaqja totale e ndërtimit të këtij objekti është 4190 m2. Për këtë shkollë u parashikua një shtim i konsiderueshëm mjedisesh të reja, të cilat do të shfrytëzohen në dobi të mësimdhënies, sipas standardeve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Rikonstruksioni i shkollës do të krijojë lehtësirat e mundshme, jo vetëm te nxënësit, por dhe te stafi pedagogjik. Shumica e mjediseve mësimore janë laboratorë të rinj të gjuhëve të huaja, të informatikës, biblioteka me një sipërfaqe prej 80 m2, nyje sanitare të mjaftueshme me sipërfaqe 200 m2, palestër me sipërfaqe 185 m2, ndërkohë që numri i klasave është rritur në 44. Salla polifunksionale me sipërfaqe 170 m2 do të shfrytëzohet për aktivitete të ndryshme, në dobi të frekuentuesve të vegjël.