Rama: Artikulli, Berisha na mbuloi me turp
Kreu i PS-së, Edi Rama bën përgjegjës Berishën, si i implikuar direkt në një skandal të tillë.
TIRANË- Turp që do ta paguajnë të gjithë shqiptarët. Ky është vlerësimi që i ka bërë Partia Socialiste "peshës" që do të kenë për Shqipërinë dhe shqiptarët, faktet e publikuara dje nga gazeta amerikane New York Time (NYT) për përfshirjen e kreut të ekzekutivit shqiptar Sali Berisha dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror në afera korruptive për trafik armësh. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në një dalje të posaçme për mediat ka shprehur dje keqardhjen e tij dhe të gjithë socialistëve, për ndikimin që do ketë ky artikull dhe faktet e servirura prej tij në imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye kreu i selisë rozë, ka bërë përgjegjës edhe një herë kryeministrin Sali Berisha, jo vetëm si kreu i qeverisë, por edhe si një i implikuar direkt në një skandal të tillë. "Ndjehem vërtet shumë keq, si qytetar i këtij vendi, pas publikimit në New York Time (NYT) dhe Herald Tribune (HT), dy ndër gazetat më prestigjioze të botës, të fakteve rrënqethëse të përfshirjes së Shqipërisë zyrtare në një trafik armësh. Ndjehem vërtet shumë keq, që sot Shqipëria e fëmijëve tanë ka dalë në faqen e parë të NYT dhe të HT për një zullum të turpshëm, që duhet ta paguajnë moralisht e ligjërisht ata, që e kanë gatuar, duke filluar nga kryeministri ynë dhe jo emigrantët shqiptarë, të cilët sot kudo në botë do të shihen përsëri si të ardhur prej një vendi trafikantësh", - tha Rama. Sipas tij, akoma më i rëndë është fakti se qeveria shqiptare mundohet që të mbulojë këtë trafik armësh me marrëdhëniet dhe partneritetin me SHBA-në. "Kryeministri ynë përgojon si i dehur kontratat e partneritetit mes dy shteteve për të mbuluar trafikun e armëve, që s'ka të bëjë as me shtetin dhe as me ligjin dhe që me bekimin dhe dijeninë e tij është zhvilluar në kundërshtim të plotë më ligjin e me parimet e vlerat e botës ku duam të integrohemi e ku SHBA mbeten pika jonë e palëvizshme e referimit", - u shpreh Rama. Duke iu referuar gjithmonë artikullit të NYT-së dhe besueshmërisë që ka kjo media në arenën botërore, kreu i selisë rozë ka shprehur keqardhjen e tij edhe për reagimin aspak dinjitoz të kryeministrit Berisha, i cili gjatë seancës së djeshme plenare nuk nguroj ta akuzoj këtë gazetë si të kapur nga mafia. "Kryeministri i vendit tonë, e të fëmijëve tanë, ka akuzuar NYT me gjuhën, që diktatura e deri djeshme komuniste akuzonte botën e lirë dhe burimet e saj të lirisë së informimit, për mbrojtje të interesave të armiqve të Shqipërisë e të procesit të integrimit të vendit tonë në NATO, madje zoti kryeministër ka shkruar edhe më larg, e ka akuzuar NYT si të kapur nga mafia duke na mbuluar me turp ne të gjithëve, që kemi për kryeministër një personazh të kapur në flagrancë nga një investigim ndërkombëtar", - theksoi kryesocialisti. Nisur nga këto zhvillime të fundit, kreu i Partisë Socialiste ka ripërsëritur edhe një herë kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Berisha dhe paraqitjen e tij përpara prokurorisë, si një hap reflektues dhe marrje përgjegjësie morale dhe ligjore për të gjithë atë histori që në këto dy javë është publikuar jo vetëm në mediat vendase por edhe ato të huaja.
Kryeministri akuzon gazetën NYT se është i lidhur me mafian
Berisha: Artikulli i NYT, letër higjenike
TIRANË- Artikulli i botuar në dy prej gazetave prestigjioze "New York Time" (NYT) dhe "Herald Tribune" (HT) për rrjetin e trafikut të armëve, ku përfshihet dhe vendi ynë, i ka dhënë një tjetër drejtim debatit politik në Shqipëri. Kur dukej se qeveria dhe kryeministri Berisha kishte mundur që t'ia hidhnin paq, vetëm me dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, çështja e Gërdecit dhe ajo e trafikut të armëve ka marrë një dimension tjetër, këtë radhë jo vetëm kombëtar, por botëror. Tragjedia e Gërdecit dhe trafiku i armëve me Shqipërinë i faktuar nga këto dy gazeta është bërë objekt i një debati të gjatë dje edhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Opozita referuar pikërisht këtyre dyartikujve ka akuzuar në vazhdimësi qeverinë dhe në veçanti kryeministrin Sali Berisha, për përfshirje në një aferë korruptive për tregtinë e armëve drejt Afganistanit. "Sot në të gjithë ekranet e botës, të të gjithë përdoruesve të internetit në botë, Shqipëria tregohet si një vend që trafikon armë, dhe me kë? Sipas artikullit të "New York Times" i kemi shitur armë një 22 vjeçari, i cili në të gjitha fotot që publikon sot "New York Times" më shumë ngjan me një gangster se sa me një biznesmen, për më tepër amerikan, siç kryeministri ynë na e prezantoi", - u shpreh nënkryetari i grupit socialistë Erion Braçe, duke hapur kështu njëkohësisht dhe debatin për këtë çështje. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të qeverisë, Berisha, i cili duke hedhur poshtë faktet e paraqitura në këto artikuj, nuk ka nguruar ti rekomandoj opozitës që ti përdorë këto dy gazeta prestigjioze si letra higjenike. "Histerizmi i turpshëm politik që ju shfrytëzoni njësoj si çakenjt kraterin e eksplozionit dëshmon qartë se ju nuk keni asnjë qëllim tjetër mbi to përveç karriges. Mbaj për letër higjenike ato sepse, mbaj për letër higjenike ato që fabrikon ti me "erionët" e tu",- u shpreh kryeministri Berisha. Në vijim të këtij debati kryeministri përveç opozitës ka akuzuar gazetën "NYT" si të lidhur me mafia dhe artikujt e botuar si të sërvirur nga individë që kërkojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. "Mafia kudo që të shprehet dhe çfarë do që të bëj nuk do mund të më lakojë kurrë, nuk do mund të thumbojë kurrë. E vërteta është që mafia e ka bërë (artikullin), e vërteta është që mafia është, nuk e mohoni dot që është mafia", - u shpreh Berisha. Sipas kreut të qeverisë, prapa këtyre artikujve fshihet mafia, e cila po përpiqet që të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ndërkohë që mazhoranca është përpjekur që ta zhvendos debatin në diskutimin e rendit të ditës së përcaktuar që më parë, opozita ka këmbëngulur që kryeministri të heqë dorë nga demagogjia dhe të përgjigjet jo vetëm për shkaqet e ngjarjes së Gërdecit por edhe për akuzat për trafik armësh. "Ne kërkojmë sqarime nga kryeministri për tre gjera, pse kryeministri ka kontraktuar kompanisë që është klub nate në Qipro, pse kryeministri ka kontraktuar kompaninë e Deliorgjit dhe pse kryeministri ka lejuar këtë diferencë të madhe çmimi", u shpreh kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj.